Komisioni i Ekonomisë ka miratuar sot uljen e gjobës për mospagimin e kësteve të tatim fitimit nga 15% në 10%. Ndryshimi erdhi pas diskutimit të djeshëm gjatë Komisionit të Ekonomisë, ku kjo masë u cilësua e lartë dhe penalizuese për biznesin nga vetë anëtarët e komisionit, si dhe u diskutua legjitimiteti i saj.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj konfirmoi se masa e gjobës për mospagimin në kohë të këstit të tatim fitimit është ndryshuar nga 15% në 10%, tha Ministri. Megjithatë, deputeti i opozitës Florion Mima tha se kjo gjobë nuk duhet të ekzistojë fare dhe se ne jemi i vetmi vend në botë që aplikon një gjobë të këtij niveli për sa i përket kësteve të parapagimit të tatim fitimit dhe i kërkoi Ahmetaj që të sjellë një shembull në botë që përdor të njëjtën praktikë.
Gjoba prej 15% të shumës së këstit për t’u paguar në rast të mospagimit në afat të kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin u vendos në dhjetor të vitit të kaluar dhe ishte një nga nenet që nuk u rrëzua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kur hodhi të ashtuquajturat supergjoba. Ky nen parashikonte që “Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, sipas nenit 30, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, dënohet me gjobë në masën 15% të shumës së këstit për t’u paguar. (Ndryshuar me ligj nr. 99/2015, datë 23.09.2015, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 187, datë 28 tetor 2015, neni 114/1)).”
Më parë, bizneset nuk merrnin gjoba, në rast se nuk parapaguanin tatim fitimin, thjesht nuk merrnin dot vërtetim në tatime që kishin paguar detyrimet.
Neni i ndryshuar kaloi pavarësisht votës kundër të deputetëve të PD-së. Për të marrë formë përfundimtare, ky nen duhet të kalojë në Parlament dhe të marrë fuqi ligjore vetëm pas botimit në Fletoren Zyrtare. Pritet që edhe gjatë votimit në parlament të ketë sërish diskutimi, teksa gjoba vijon të konsiderohet e lartë.
Gjatë dikutimeve të ditës së djeshme në Komisionin e Ekonomisë, gjoba u cilësua e lartë dhe penalizues. Kryetari i komisionit, Erion Braçe, tha se nuk është legjitime vendosja e gjobës për parapagimet dhe duhet të rishikohet. Ndërsa zëvendëskryetari i komisionit, Ridvan Bode, tha se gjoba prej 15% është e lartë pasi rëndon biznesin.
Edhe në një sondazh të kryer nga ‘Monitor’ pak javë më parë, në lidhje me shkaqet se pse po mbylleshin bizneset në kryeqytet, një prej arsyeve kryesore që raportuan disa biznese ishte dhe gjoba për këstet e tatim fitimit. Bizneset kanë deklaruar se nuk e përballojnë dot gjobën prej 15% të shumës për vonesat në pagimin e kësteve të tatim fitimit. Këstet e përllogaritura në bazë të xhiros së një viti më parë, kanë vënë në vështirësi biznese, të cilët në vitin aktual gjenden në vështirësi financiare, pasi po shohin rënie të xhiros dhe fitimeve, por duhet të parapaguajnë këstet në bazë të fitimeve të vitit të kaluar.
Ahmet Gjinishi, kontabilist, tregon se kjo masë po i detyron bizneset të kalojnë në statusin pasiv dhe të pezullojnë aktivitetin. “Në vend që likuiditetin biznesi ta përdorë për të mbijetuar, është i detyruar të parapaguajë detyrimet, të cilat në rast se nuk paguhen në kohë, ngarkohen me një gjobë prej 15% të shumës së detyrimit”, thotë ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.