Intervistë me Mirsad Haliti, anëtar i Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëri
Mirsad Haliti, anëtar i Drejtorisë Ekzekutive, thotë se pandemia shpërbleu strategjinë e nisur pesë vjet më parë nga ProCredit Bank për ngritjen e një infrastrukture të mirëfilltë dixhitale.
Sipas tij, ky model biznesi, ku avancimi i kanaleve dixhitale ka qenë fokus i hershëm i bankës, mundësoi shmangien e radhëve që u vërejtën pranë shumicës së bankave të tjera në treg. Sfida kryesore për ProCredit, sipas tij, gjatë vitit 2021 lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e faktorëve makroekonomikë. Nëse ekonomia do të rimëkëmbet dhe do të nxiten investimet, efektet e krizës të jenë afatshkurtra.
Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj në vitin 2020? Cilat do të veçonit si arritjet më domethënëse dhe sfidat kryesore në aktivitetin tuaj?
Padyshim që, kryefjala edhe në sektorin bankar për vitin që lamë pas ka qenë “pandemia”. Përpjekjet e aktorëve kryesorë të tregut kanë qenë tepër intensive, me qëllim që veprimtaria e bankave të vazhdonte sa më normalisht, pavarësisht kushteve të reja. Nëse flasim për bankën tonë, fillimisht na është dashur të marrim vendime të natyrës organizative, duke siguruar që pjesa më e madhe e stafit tonë, duke përfshirë edhe ata të specializuar për këshillim klientësh, të arrijë të punojë nga shtëpia.
Për asnjë moment nuk na u desh të marrim vendime strategjike, të cilat do të preknin mënyrën e shërbimit të klientëve dhe kanalet bankare. Kjo për faktin se ne, prej më se 5 vitesh, kemi ngritur një infrastrukturë të mirëfilltë dixhitale, e pavarur tërësisht nga kontakti njerëzor. Jemi krenarë, që arritëm të ofrojmë, pa asnjë vështirësi, shërbim të sigurt e të pandërprerë 24/7 edhe në ditët më të vështira të pandemisë.
Ndërkohë, modeli ynë i biznesit na krijoi kushte komode që, edhe gjatë ditëve më sfiduese, të tregojmë vëmendje dhe kujdes ndaj nevojave të klientëve tanë. Të gjitha energjitë tona u përqendruan në kontaktimin e klientëve individualisht nga Këshilluesit tanë të Biznesit dhe të Individëve, për t’i mbështetur në përballimin e vështirësive. Arritëm të identifikonim që në fillim klientët e prekur nga situata e bllokimit dhe adresuam, në mënyrë të strukturuar, kërkesat në lidhje me shtyrjet e kësteve. Kjo qasje na siguroi që të kishim fokus maksimal në identifikimin, vlerësimin dhe plotësimin e çdo nevoje imediate për klientët tanë.
Ecuria e bankës në vitin që lamë pas është për t’u përshëndetur, pasi edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, arritëm të ndjekim me rigorozitet strategjinë tonë të biznesit për “Direct Banking”, lidhur me Klientët Individë. Gjithashtu kemi vazhduar të investojmë në zhvillimin e marrëdhënieve afatgjata me Klientët SME, duke realizuar mbështetjen e investimeve të shumta në sektorë kyç për ekonominë, siç janë prodhimi, shërbimi dhe projekte të shumta miqësore me mjedisin dhe të eficencës së energjisë.
Me gjithë sfidat e vitit 2020, kemi arritur një zhvillim pozitiv për sa i përket rritjes së total portofolit të kredisë, i cili ka shënuar rritje me rreth 12% krahasuar me një vit më parë. Kemi mbajtur një cilësi të mirë të tij, ku niveli ynë i NPL-së është nën mesataren e tregut. Tregues shumë pozitiv është rritja e portofolit të investimeve “Green”, ku kemi arritur të rrisim me 35% këtë portofol, i cili përbën dhe 19% të total portofolit të bankës.
Në këndvështrimin tuaj, cilat ishin ndryshimet më të rëndësishme që solli pandemia në mënyrën e të operuarit ose në modelin e biznesit të bankave tregtare?
Pandemia testoi edhe skenarin më të vështirë lidhur me vazhdimësinë e biznesit të bankave. U vunë re se bankat tregtare filluan të merrnin vendime të shpejta, të cilat merrnin në konsideratë kanalet dixhitale, si zgjidhja për shërbim të pandërprerë bankar. Radhët e gjata para dyerve të degëve të bankave tradicionale treguan se pjesa më e madhe e tyre ishin të papërgatitura për të përballuar, me infrastrukturën e tyre të deritanishme, situatën e re. Kjo nuk do të thotë se bankat nuk kanë pasur infrastrukturë në këtë drejtim, por ajo çfarë ka munguar është sensibilizimi i klientëve në përdorimin e kanaleve dixhitale dhe përgatitjen e tyre për të pasur akses dhe për t’i përdorur ato në mënyrë të pavarur nga punonjësi i bankës.
Në ndryshim nga tregu, për Bankën ProCredit, përtej të qenët pioniere në treg në ofrimin e këtyre shërbimeve dixhitale, kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme që të sigurojmë informim dhe platforma sa më të thjeshta në përdorim, me qëllim që çdo klient të ketë mundësi të përdorë bankën dixhitale nga telefoni, apo kompjuteri i tij.
Pikërisht modeli ynë i biznesit, ku avancimi i kanaleve dixhitale ka qenë fokus i hershëm i bankës, bëri që të mos ndesheshim me fenomenin e radhëve, kërcënim real për shpërndarjen e virusit dhe fenomen i shpeshtë i dyerve të bankave në treg. Kam besimin se kjo gjë do të ndryshojë së shpejti, pasi edhe i gjithë sektori është angazhuar dhe ka punuar gjatë 2020-s në këtë drejtim. Sektori po ndjek rrugën tonë, pasi edhe para pandemisë, 99% e transaksioneve tona janë kryer nëpërmjet kanaleve dixhitale.
Një tjetër ndryshim që pandemia do të sjellë është shërbimi nëpërmjet kanaleve direkte, përfshirë dhe telefonin. Shumë problematika rutinë vazhdojnë dhe kryhen në degët e bankave, që mund lehtësisht të zgjidhen nëpërmjet telefonit. Mendoj se bankat duhet të punojnë në mënyrë intensive në ngritjen e Qendrave të Kontaktit të specializuara, jo vetëm në dhënien e informacionit, por edhe në zgjidhjen e tyre, në mënyrë të shpejtë dhe pa procese të zgjatura. Qendra jonë e Kontaktit, e konsoliduar prej vitesh, na ka mbështetur gjatë gjithë pandemisë në asistimin e klientëve nga rehatia e zyrës, apo shtëpisë.
Ndryshimet e pritshme të përmendura, na siguruan që të kalojmë me sukses periudhën e pandemisë. Mendoj që si bankë kemi qenë tepër futuriste, pasi nuk na u desh për të ndryshuar modelin e biznesit në këtë periudhë. Modeli aktual ishte tepër fleksibël për tejkalimin e kësaj situate, qoftë ajo e panikut fillestar, qoftë edhe për situatën sot. Bankat duhet të punojnë çdo ditë në përmirësimin e mënyrës së operimit dhe jo të jenë situata të tilla iniciatorë të ndryshimeve.
Cilët sektorë apo segmente të kredituar prej jush janë prekur më shumë nga kriza ekonomike? A prisni përkeqësim me përmasa shqetësuese të cilësisë së portofolit të kredisë dhe, nëse po, kur mund të ndodhë kjo?
Në fakt, kriza shëndetësore ishte shkaktare e problematikave dhe vështirësive nga më të ndryshmet, duke mos kursyer sektorë të veçantë. Por si sektorët më të prekur, që janë financuar dhe nga banka jonë, do të veçoja: bizneset që operojnë në HORECA, operatorët turistikë dhe kompanitë që ofrojnë transport të udhëtarëve. Këshilluesit tanë të Biznesit, që në fillim të krizës, në bashkëpunim me klientët, vlerësuan në varësi të modelit të biznesit të tyre dhe ashpërsisë së masave të marra dhe kohëzgjatjes së tyre, se cilët do të jenë sektorët më të prekur.
Bazuar në këtë vlerësim, banka planifikoi një sërë masash, të cilat do ta ndihmonin biznesin, duke ruajtur njëkohësisht cilësinë e portofolit të kredisë. Për sektorët më të prekur, banka ka ofruar moratorium për një kohë më të gjatë (deri në pushimin e masave), në mënyrë që bashkërisht me klientët të vlerësohet se cilat janë pritjet për vitin 2021 dhe në përputhje me to është planifikuar ristrukturimi i pagesave të klientëve, me plane të reja të pagesave, që mundësojnë rimëkëmbjen sa më të shpejtë të biznesit.
Duke vepruar në këtë mënyrë, Banka ka minimizuar përkeqësimin në cilësinë e portofolit, por njëkohësisht vlerësojmë se dhe klientëve u kemi lejuar “frymëmarrje”, për t’i rimëkëmbur bizneset e tyre. Nga ana tjetër, për asnjë moment, nuk kemi ndalur mbështetjen me financime të reja, që mundësojnë realizimin e planeve për investime të reja, për nevoja të bizneseve, apo personale.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit në vitin 2021?
Për sa i përket ProCredit, zhvillimi i biznesit me Klientë Individë, është një ndër prioritetet tona. Mënyra e të operuarit Direkt, e konkretizuar nga shërbimet që ofrohen nën paketën e shërbimeve dixhitale të ProCredit Direct, është një mundësi më tepër që gjithnjë e më shumë profesionistë, me një axhendë të ngarkuar dhe preferojnë të kenë shërbime dixhitale në dispozicion, të na zgjedhin dhe vlerësojnë avantazhet që përfitojnë nga ne. Sigurisht që ne do të vazhdojmë me implementimin e praktikave më të mira të Grupit ProCredit, në lidhje me përmirësimin dhe prezantimin e shërbimeve të reja të ofruara nëpërmjet kanaleve dixhitale.
Nga ana tjetër, vazhdojmë të kemi përparësi dhe pikë e fortë partneritetin afatgjatë me SME-të, të cilat kanë dhe potencialin për të ndikuar në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Sfida kryesore lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e faktorëve makroekonomikë dhe të ekonomisë në tërësi. Nëse ekonomia do të rimëkëmbet dhe do të nxiten investimet, efektet e krizës të jenë afatshkurtra. Presim që viti 2021 të jetë një vit frymëmarrje për sektorët të cilët më së shumti u prekën nga pandemia dhe rrjedhimisht, në një kërkesë më të lartë kreditimi, që ne presim ta kemi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.