Prodhimi global i kontejnerëve të transportit, ka rënë në mënyrë dramatike, pasi kërkesa për mallra ka rënë, pas lehtësimit të kufizimeve pandemike, duke lënë kutitë e çelikut të grumbullohen në portet kryesore.
Shifrat e marra nga Drewry, një firmë konsulencë kërkimore detare, tregojnë se prodhimi i njësive ra me 71%, nga 1.06 milion në 306,000 midis tremujorit të parë të 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Rënia shënon një ndryshim të mprehtë nga dy vjet më parë, kur prodhimi i kontejnerëve lulëzoi, si përgjigje ndaj rritjes së kërkesës për mallra fizike të shkaktuar nga pandemia, e cila shkaktoi mungesë të tyre.
Megjithatë, kërkesa për eksporte është zbehur, pasi kufizimet janë lehtësuar dhe ekonomitë janë rihapur, duke e lënë industrinë e transportit detar me problemin e kundërt: një tepricë kontejnerësh, që kërcënon të pushtojë portet në Kinë, ku prodhohen deri në 95% të kutive në botë.
AP Møller-Maersk, një nga konglomeratet më të mëdha të transportit në botë, ka thënë se po ndalon prodhimin e kontejnerëve deri të paktën në vitin 2024, megjithëse tha se mund të rifillojë ndërtimin e kutive standarde me përmasa 20 ft, më shpejt se versionet më të mëdha 40 ft, pasi kërkesa për të parën duket të të jetë më elastike.
Anne-Sophie Zerlang Karlsen, nga Maersk tha se kompania po kërkonte të shesë ose të heqë më shumë nga kutitë e saj të vjetra për të përfituar nga teprica.
Rënia e kërkesës ka goditur rëndë prodhuesit. Fitimet e China International Marine Containers, një nga prodhuesit më të mëdhenj të vendit, pësuan ulje vjetore 91%, 160 milion Rmb (23 milion dollarë) në tre muajt e parë të këtij viti.
Shitjet e kontejnerëve standardë ranë 77% gjatë periudhës, tha kompania me bazë në Shenzhen, duke fajësuar një “rënie të vazhdueshme në tregtinë e kontejnerëve dhe një kërkesë të pamjaftueshme për kontejnerë të rinj”.
COSCO Shipping Development, krahu i prodhimit të kontejnerëve të grupit shtetëror të transportit COSCO, pësoi një ulje 71% të fitimeve në tremujorin e parë të këtij viti, 398 milionë Rmb.
Ekonomistët e Organizatës Botërore të Tregtisë (World Trade Organization, WTO) besojnë se rritja e eksporteve do të hasë vështirësi gjatë këtij viti, duke sugjeruar se kërkesa për kontejnerë do të mbetet e dobët. Parashikimet e fundit të WTO-së, të bëra muajin e kaluar, vlerësojnë nxitje të tregtisë me mallra prej vetëm 1.7% këtë vit – nga 2.7% rritje në 2022.
Linjat e transportit me kontejnerë, tashmë duhet të përballen me një rënie të rëndë të fitimeve, pas një periudhe rekord fitimesh gjatë kufizimeve të Covid-19, kur ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit – së bashku me bumin e kërkesës për mallra – rritën koston e transportit.
Lulëzimi bëri, që grupet e transportit, të nxitonin të grumbullonin kontejnerë të rinj, pasi pengesat e shkaktuara nga pandemia në shumë porte, shkaktuan në mungesë të tyre për të transportuar mallra nga Azia.
Në vitin 2021, prodhimi global arriti në 7.1 milionë kontejnerë me madhësi standarde, më shumë se dyfishi i prodhimit në vitin 2020, sipas Drewry.
Tani kërkesa ka rënë në mënyrë dramatike, aq sa pronarët e porteve në rajon përballen me problemin e ri, të gjetjes së hapësirës për vëllime rekord të kontenierëve të papërdorur.
Stoqet janë në nivele rekord në të gjithë rajonin Azi-Paqësor, tha Karlsen, duke shtuar se “sasi masive” kontejnerësh, pritej të vazhdonin të grumbulloheshin në portet e rajonit, gjatë gjithë këtij viti.
Disponueshmëria e kontenierëve në Shangai, porti më i madh i kontejnerëve në botë, ka qenë më i lartë këtë vit sesa gjatë mbylljes për shkak të pandemisë, në pranverën e vitit 2022, sipas firmës analitike Container xChange.
Megjithatë, Michael Fitzgerald, zëvendësdrejtuesi financiar në grupin e anijeve Orient Overseas Container Line, i listuar në bursën e Hong Kong-ut, tha se teprica në portet kineze ishte lehtësuar “gjatë disa javëve të fundit”. / The Financial Times