Shqipëria mund të përfitojë më shumë nga industria automotive në vend duke shtuar vlerë në prodhimin që kompanitë aktive zhvillojnë.
Një element që mund të shihet si avantazh dhe të përdoret, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare, është fakti që në vend ka prodhim të bakrit. Ky element mund t’i shërbejë sipas raportit prodhimit të telave të bakrit dhe elektronikës në bordin e makinave.
“Prodhuesit fillestarë të pajisjeve (OEM-të) rrallë janë të pozicionuar mirë për të zhvilluar teknologji të reja brenda vetes, duke krijuar një mundësi për kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) të konkurrojnë për segmente të lidhura me elektronikën dhe softuerët në zinxhirin e vlerës. Shqipëria prodhon sasi të konsiderueshme të mineralit të bakrit dhe vendi mund të shndërrohet në një qendër për prodhimin e telit të bakrit për motorët elektrikë 75 kilovat plus dhe të elektronikës në bord. Politikat që nxisin rritjen e segmenteve të veçanta të prodhimit, duke përfshirë komponentët elektronikë, njësitë e shpërndarjes së tensionit të lartë dhe mbrotjesit për sistemet elektronike, sistemet e kabllove dhe njësive të telave, ndër të tjera, mund t’u mundësojnë furnitorëve shqiptarë të zgjerojnë aftësitë e tyre të brendshme dhe rritin zinxhirin e vlerës” thuhet në raport.
I njëjti sqaron në fillim se dy tendenca të nivelit makro—elektrifikimi dhe lëvizshmëria e lidhur—po e transformojnë industrinë automotive dhe Shqipëria mund të rrise pjesëmarrjen e saj në Zinxhirin Rajonal të Vlerës në Periferinë Europiane (EP RVC) duke shfrytëzuar këto “niche” të reja në zinxhirin e vlerës së automotives.
Elektronika dhe softueri janë komponentë me rëndësi në rritje në vlerën totale të një automjeti. Shitjet e gjysmëpërçuesve të automjeteve janë trefishuar gjatë dy dekadave të fundit, dhe përmbajtja mesatare e softuerit të makinave të mëdha të pasagjerëve parashikohet që të zgjerohet me një rritje vjetore të përbërë prej 11%.
Eksportet në “grupin e automotiveve” u rritën 36%
Pavarësisht situatës së vështirë që industria automotive po përjeton, fabrikat e vendosura në Shqipëri që prodhojnë tela, kabllo apo gomina për kompani të huaja ndërkombëtare kanë pasur rritje të prodhimit në mënyrë të vazhdueshme. Kjo nuk është ndalur në asnjë nga vitet e fundit pavarësisht se krizës së pandemisë por edhe luftës Rusi-Ukrainë. Të dhënat e Institutit të Statistikave për tregtinë e jashtme tregojnë se vlera e eksporteve për makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi për janar- prill arriti vlerën rreth 99 milionë euro me një rritje prej 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vitin 2021 për janar-prill vlera e eksporteve ishte 72 milionë euro. Kjo shifër ishte me një rritje 15.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë që është viti 2020 dhe përkon me periudhën kur pandemia e COVID-19 sapo kishte nisur.
Vit pas viti industria ka pasur rritje si një tendencë e vazhdueshme e kërkesës më të lartë për prodhim por edhe për faktin që numri i kompanive që hapin fabrika të lidhura me industrinë automotive kryesisht fasoneri e thjeshtë ka ardhur në rritje.
Ndryshimi i dukshëm i ritmit të rritjes më shumë se dyfish në vitin 2022 ka të bëjë pikërisht me faktin që kompani si YURA Corporation që nisi aktivitetin pak vite më parë si dhe SEWS Cabind Albania nisën prodhimin dinamik ndërkohë që edhe kompani që kanë vite që operojnë në treg si Forschner, Delmon apo PSZ kanë vijuar planet e tyre të rritjes dhe zgjerim të prodhimit.
Pritshmëritë janë që viti 2022 të paktën në prodhim të jetë dukshëm më i mirë sesa vitet paraardhëse kjo edhe për faktin se një pjesë e prodhimit që kompanitë ndërkombëtare të automotives e merrnin nga fabrikat në Ukrainë të zhvendoset në Ballkan ku bën pjesë edhe Shqipëria. / N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.