Prodhimi i verës në vend do të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe sipas disa rregullave standarde që do të përcaktohen në një draft ligj të ri që është në proces hartimi. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural bëri me dije se aktualisht ky draft pritet të miratohet në fund të vitit duke kaluar si fillim procesin e konsultimit. Por çfarë do të ketë në objekt ky draft?
“Ky projektligj ka për qëllim vendosjen e rregullave për prodhimin, për praktikat enologjike të autorizuara e kufizimet që zbatohen për prodhimin e përgatitjen për treg si dhe për emërtimin e origjinës, të treguesve gjeografikë dhe për termat tradicionale të rrushit, verës dhe produkteve të tjera të përftuara nga rrushi dhe vera” thuhet në sqarimin e ministrisë.
Aktualisht në vend ushtrojnë aktivitet një sërë kantinash të cilat funksionojnë në bazë të ligjit “Për vreshtarinë dhe verën”, teksa një pjesë e prodhimit bëhet jashtë tregut të rregulluar duke e bërë të vështirë kontrollin dhe shifrën e saktë të prodhimit të verës në vend.
Ministria e Bujqësisë raportoi në fillim të këtij viti se Ministria e Bujqësisë, në tre vitet e fundit janë mbështetur 6 subjekte me rreth 83 milionë lekë për investim në kantina vere. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka realizuar gjithashtu edhe krijimin e Kadastrës së Vreshtit, një bazë të dhënash shumë e rëndësishme për të gjitha parcelat me vreshta në vend. Shqipëria ka rreth 11 mijë hektarë vresht të varieteteve të ndryshme. Ndërkohë gjatë vitit 2018 prodhimi i verës në vend u rrit me 9.1%. Produkti shitet në tregun vendas dhe për eksport.
Ajo që vihet re vit pas viti është rritja e sipërfaqeve të mbjella me vreshta, një interes i zgjuar jo vetëm nga bizneset që sot kanë kantina prodhimi dhe po i integrojnë ato edhe me agroturizëm falë një paketë lehtësuese që ndërmori qeveria.
Problematika që kanë raportuar vazhdimisht prodhuesit në vend është kostoja e lartë e lëndës së parë në këtë rast rrushit për të prodhuar verën. Prodhuesit vendas thonë se mund të blejnë rrush në vendin fqinj, Maqedoni, 20 cent për kg, ndërkohë që në vend e marrin për 35 cent për kg
Prodhuesit pohojnë se gati 75% e tregut mbulohet nga vera që vjen nga jashtë, kryesisht nga Italia dhe Franca.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.