Ugur Sahin, shefi ekzekutiv i BioNTech, kompania që krijoi vaksinën e parë kundër Covid-19 së bashku me kompaninë Pfizer, tha se ndoshta do të jetë e nevojshme një formulë e re deri në mesin e vitit 2022, për të mbrojtur njerëzit kundër mutacioneve të ardhshme të virusit, raportoi Financial Times.
Ugur Sahin tha për Financial Times se megjithëse variantet aktuale të Covid-19, si varianti më ngjitës Delta, nuk ishin aq të ndryshme sa të zhvlerësonin vaksinat aktuale, në të ardhmen, do të shfaqen lloje të reja që mund të jenë edhe më problematike.
“Krijimi i një vaksine të re këtë vit është diçka krejtësisht e panevojshme, por nga mesi i vitit të ardhshëm, mund të krijohet një situatë tjetër,” tha ai. “Ky është një evolucion i vazhdueshëm, dhe ai sapo ka filluar.”
“Ky virus do të qëndrojë me ne dhe do të përshtatet edhe më tepër me mjedisin,” tha ai.
BioNTech bashkëpunoi me gjigantin farmaceutik amerikan Pfizer Inc. për të krijuar vaksinën kundër Covid-19. Muajin e kaluar, kompanitë dorëzuan të dhënat fillestare tek rregullatorët amerikanë në lidhje me përdorimin e vaksinës për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, duke synuar vaksinimin e fëmijëve të moshës shkollore.
Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i presidentit Joe Biden, tha se SHBA-ja po arrin të frenojë rritjen e rasteve. Ai u bëri thirrje amerikanëve që të vaksinohen pasi numri i vdekjeve në vend nga pandemia kaloi shifrën 700,000.
Fauci tha se megjithëse shkalla e vaksinimit të plotë ka arritur në 55%, rreziku kryesor janë 70 milion njerëzit e kualifikuar për vaksinim që nuk kanë marrë ende asnjë dozë.
Fauci hodhi poshtë përpjekjet për të fajësuar emigrantët dhe turistët për përhapjen e Covid-19 në SHBA, një ide e krijuar nga 37% e amerikanëve në përgjithësi dhe 55% e republikanëve, sipas një sondazhi të fundit nga Fondacioni Kaiser Family.