COVAX varet nga gati një miliard doza të vaksinës AstraZeneca që bëhen nga Instituti i Serumit në Indi.
Prodhuesi më i madh i vaksinave, Instituti i Serumit i Indisë tha se shpreson të fillojë shpërndarjen e dozave të vaksinave për programin e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, e njohur si COVAX dhe për vendet e tjera deri në fund të vitit, një vonesë kjo që fatkeqësisht do të ndikojë ndjeshëm në përpjekjet globale për të imunizuar njerëzit kundër COVID -19.
Instituti i Serumit i Indisë (SII), furnizuesi kryesor i dozave të vaksinave Covid-19 tek COVAX, tha në muajin mars se po shtyn të gjitha eksportet e vaksinave të koronavirusit për të përballuar vrullin shpërthyes të rasteve në Azinë Jugore, i njohur si nënkontinenti indian.
Në atë kohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Gavi, një nga partnerët e COVAX, thanë se ata prisnin që dërgesat e vaksinave COVID-19 nga India të rinisnin deri në qershor dhe ndërprerja do të ndikonte në rreth 90 milionë doza.
“SII ka shpërndarë më shumë se 200 milionë doza”, tha Instituti i Serumit në një deklaratë të postuar në llogarinë e tij në Twitter. Kompania tha se në ditët e fundit, kishte pasur “diskutime të forta” mbi vendimin e qeverisë indiane dhe prodhuesve të vaksinave në lidhje me eksportin e mundshëm të vaksinave.
“Edhe pse ne vazhdojmë t’i japim përparësi Indisë, ne gjithashtu shpresojmë të fillojmë shpërndarjen tek COVAX dhe vendet e tjera deri në fund të vitit”.
Në prill, deri në 60 shtete kishin ndaluar planet e tyre të imunizimit sepse furnizimet e shtyra nga COVAX do të thoshin se shumica nuk kishin asnjë burim tjetër të vaksinave të Covid-19. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Serumit, Adar Poonawalla, paralajmëroi më parë se nëse kriza e koronavirusit në Indi nuk ulet, “Unë jam i frikësuar se çfarë do të na duhet të bëjmë dhe çfarë do të ndodhë”.
Përpjekja e Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë vaksinat COVID-19 varet nga gati një miliard doza të vaksinës AstraZeneca që po prodhohen nga SII. Ka ende sasi të vogla të vaksinës Pfizer-BioNTech dhe marrëveshje me prodhues të tjerë, përfshirë Johnson Johnson dhe Moderna Inc., por shumica e dozave të tyre do të dorëzohen vetëm në fund të këtij viti ose vitit tjetër./Firstpost