Prodhuesit e vezëve, të pambrojtur nga kriza e Covid-19 

03/04/2021 10:06 PM 0 komente

Varësia e lartë për importin e misrit dhe sojës po dëmton prodhuesit shqiptarë të vezëve. Rritja e çmimit të lëndës së parë nga pandemia ka shtuar kostot e prodhimit, e cila i ka detyruar operatorët të rrisin çmimin e shitjes me pakicë deri me 30% krahasuar me periudhën para Covid-19. Kompanitë kryesore të prekura nga kriza e shtrenjtimit të lëndës të parë kërkojnë si zgjidhje heqjen e parapagimit të TVSh-së tek imputet blegtorale dhe rritjen e subvencioneve për fermerin.

 

Dorina Azo

Prej marsit të vitit të kaluar, prodhuesit e vezëve në Shqipëri po vuajnë shtrenjtimin e lëndës së parë të prodhimit dhe tkurrjen e konsumit në periudhën e karantinës nga mbyllja e hoteleve dhe restoranteve.

Rritja e çmimeve të misrit dhe sojës në tregjet ndërkombëtare për shkak të krizës nga Covid-19 ka shtuar kostot për prodhimin e vezëve. Për këtë arsye disa kompani janë detyruar të rrisin çmimin mesatar të shitjeve me pakicë në fermat e tyre nga 15 deri 30% krahasuar me 2019. Vështirësitë nga furnizimi i lëndës të parë vijnë pas një viti të artë prodhimi.

Në 2019, prodhimi i vezëve u rrit 4,5%, krahasuar me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Nga të gjithë operatorët e tregut u prodhuan në total 865 milionë kokrra vezë. Në 8 vitet e fundit, ky është niveli më i lartë, pas atij të 2012-s kur u prodhuan 887 milionë kokrra. Peshën më të lartë në prodhim e zë Qarku i Durrësit me 30% të totalit, zona e Malësisë së Madhe me 7% të prodhimit dhe Berati, me 6%. Në zonën e Durrësit prodhimi është më i lartë se në bashkitë e tjera, pasi aty janë të përqendruara kompanitë kryesore të Shqipërisë.

Për furnizimin e lëndës së parë sektori është tërësisht i varur nga importi. Kompanitë njëzëri ngritën shqetësimin se rritja 30% e çmimit të imputeve blegtorale ka shtuar kostot e prodhimit.

“Efekti kryesor nga pandemia është rritja e lëndës së parë të prodhimit, misrit dhe sojës në tregjet ndërkombëtare. Në këtë periudhë, sektori po vuan varësinë e lartë për furnizimin e tyre nga jashtë. Ndryshimi i çmimeve ka shtrenjtuar kostot e prodhimit dhe ka shtuar ndjeshëm humbjet e sektorit. Konsumi është i njëjtë si në periudhën para pandemisë”, pohon administratori i kompanisë “AIBA”, Andi Duka.

Qasja është e njëjtë edhe për drejtuesit e kompanisë “Beata”. Në këtë periudhë, sipas tyre, pandemia rriti kostot e prodhimit nga shtrenjtimi i çmimit të lëndës së parë në tregjet e huaja, ndërsa konsumi nuk ndryshoi. Përfaqësuesit e kompanisë pohuan për “Monitor” se pas një rritje të lartë të shitjeve të vezëve në muajin mars të vitit të kaluar, niveli i tyre është kthyer në normalitet, si në periudhën para Covid-19.

“Në muajin mars kur u vendos karantina, shumë njerëz, duke mos ditur se sa do të zgjaste izolimi, rritën shpenzimet për produktet e shportës, duke përfshirë edhe atë të vezëve. Në këtë periudhë, familjet shqiptare krijuan rezerva ushqimore. Për këtë arsye, shitjet e vezëve të kompanisë u rritën vetëm në mars. Pas këtij muaji u rikthye normaliteti. Konsumi nuk ka ndryshuar, vazhdon të jetë i njëjtë.”

Drejtori i shitjeve të kompanisë “Ovvital”, Lilo Seraj, pohoi se në muajt e karantinës kanë hasur shumë vështirësi në sigurimin e lëndës së parë në tregjet kombëtare si: misër, soja dhe vitaminat. “Shumë fabrika të prodhimit të vitaminave ndaluan prodhimin për t’u përshtatur me kryerjen e studimeve për Covid-19. Para pandemisë 1 kg sojë tregtohej 55 lekë, aktualisht është 85-90 lekë”, tha z. Seraj.

Operatorët pohojnë se lënda e parë e prodhimit të vezës dhe mishit të pulës zë 85% të kostove të tyre (35% e zë lënda e sojës, çmimi i së cilës është dyfishuar.) Rritje e lartë është shënuar edhe në çmimin e misrit. “Në Serbi çmimi i misrit, para marsit të vitit të kaluar, ishte 130-140 deri në 150 euro për ton, ndërsa tani po furnizohemi me misër që kushton 200 deri në 250 euro për ton. Kina ka ndalur prodhimin dhe është duke blerë sasi të lartë në Serbi”, nënvizon Adriatik Liço, nga kompania “Veza e Mëngjesit”.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Sa u rrit çmimi i vezës nga pandemia

Operatorët kryesorë të tregut të prodhimit të vezëve pohuan se çmimi i shitjes me pakicë nga fermat aktualisht është 13 lekë për kokërr nga 9-11 lekë për kokërr që ishte para pandemisë. Operatorët thonë se shtimi i kostove në prodhim është faktori kryesor që ndikoi në rritjen e çmimit të shitjes me pakicë.

Për të përballuar shtimin e kostove dhe për të ruajtur marzhet e fitimit (në këtë industri për shkak të çmimit të ulët të shitjes me pakicë dhe kostoja e lartë që kërkohet për të prodhuar vezë sjell që fitimet të jenë të ulëta) disa operatorë pohuan se ishin të detyruar të ndryshonin çmimet. Aktualisht në supermarkete, çmimi i shitjes së vezëve varion nga 15 deri në 17 lekë për kokërr.

“Lënda e parë e prodhimit që prej muajit mars është 30% më e shtrenjtë. Edhe kostot e transportit janë rritur. Rritja e çmimit të lëndës të parë, shtoi koston e prodhimit. Nëse më parë, çmimi mesatar i shitjes ishte 11 lekë për kokërr, aktualisht është rritur 13 lekë për kokërr”, shpjegoi drejtori i shitjeve të kompanisë “Ovvital”, z. Seraj.

Edhe përfaqësuesit e kompanisë “Beata” nënvizuan se pandemia rriti çmimet e lëndës së parë dhe kjo ndikoi te ndryshimi i çmimeve të shitjes me pakicë. “Rritja e çmimit të lëndës së parë krijon vështirësi te të gjitha kompanitë. Për këtë arsye ka një lëvizje të çmimeve në treg”. Aktualisht në supermarkete çmimi i shitjes së vezëve është 15 deri 17 lekë për kokërr.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Mbiprodhimi 

Në tregun e vezëve ekziston gjithmonë mbiprodhimi. Për këtë arsye, shumë operatorë ndihen në panik dhe nuk arrijnë të mbajnë dot çmimin brenda normave të kostos dhe fitimit. “Veza është një produkt delikat dhe nuk mund të magazinohet për një kohë të gjatë, për këtë arsye ulet çmimi. Kjo është një problematikë historike dhe asnjëherë operatorët në të gjithë tregun nuk operojnë me çmime të njëjta”, pohuan drejtuesit e kompanisë “Beata”.

Edhe administratori i AIBA-s, Andi Duka, tha se mbiprodhimi ndikon më tepër te ndryshimi i çmimeve sesa pandemia. “Në blegtori, çmimi nuk varet nga ofertë-kërkesa e tregut, por nga magazinimi i produktit i cili nuk mund të rezistojë për një kohë të gjatë”.

 

Efektet e tërmetit 

Ngjarja e tërmetit të 26 nëntorit 2019, përveç krizës nga Covid-19, u konsiderua prej tyre si faktor kryesor që ndikoi në nisjen e rënies së konsumit me mbylljen e hoteleve në qytetin e Durrësit. Drejtori i shitjeve në kompaninë “Ovvital”, z. Lilo Seraj, u shpreh se arsyeja kryesore e rënies së konsumit është frika dhe pasiguria që shkaktoi te fermerët tërmeti dhe pandemia, që i detyroi të ulnin prodhimin.

“Kërkesa për konsum të vezëve është tkurrur. Prodhuesit e vezëve në ferma, parashikuan pas tërmetit rënien e shitjeve në stinën e verës, gjë që ndodhi. Pas gushtit, kërkesa filloi të rigjallërohej, por nuk mund të plotësohej menjëherë pasi nevojiten të paktën 6 muaj.

Goditja e parë e sektorit erdhi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në qytetin e Durrësit, shumë struktura akomoduese u detyruan të pezullonin aktivitetin. Konsumi më i lartë i vezës është gjatë sezonit turistik. Në hoteleri është produkt bazik për të gjitha vaktet ushqimore. Goditjen e dytë e shkaktoi pandemia. Nga Covid-19 u prek konsumi dhe prodhimi”, tha z. Seraj.

 

Kërkesat e operatorëve 

Kompanitë kërkojnë që shteti të nisë zbatimin e politikave subvencionuese për prodhimin e lëndës së parë nga fermeri vendas dhe të zgjidhë problematikën e krijuar me ndarjen e tokës bujqësore.

“Mungesa e subvencioneve të fermerëve nga shteti për të prodhuar lëndën e parë dhe problemet ende të pazgjidhura të ndarjes së tokës bujqësore sipas ligjit nr.7501 janë faktorët kryesorë për shtimin e riskut nga rritja e çmimeve të lëndës së parë të importuar. Prodhuesit shqiptarë të vezëve nuk janë të mbrojtur nga luhatshmëritë e tregut ndërkombëtar, ndryshe nga fermerët në shtete të tjera që mbështeten te prodhimi vendas i lëndës së parë.

Për këtë arsye duhet të zbatohen politika të forta subvencionuese nga strukturat shtetërore, për të stimuluar fermerin shqiptar të prodhojë misër apo sojë me cilësi të lartë, si dhe të zgjidhen problemet e mbartura në ndarjen e tokës bujqësore. Cilësia e prodhimit të lëndës së parë është shumë e rëndësishme, pasi të gjitha proceset në fabrikë janë të automatizuara.

Parapagimi i TVSh-së për imputet blegtorale është një problem që po e vuajnë kompanitë shqiptare, pasi në shtetet e tjera, ky detyrim paguhet pasi shitet produkti. Parapagimi i TVSH-së krijon probleme me likuiditetin. Në sektorin e blegtorisë TVSh-ja e importit duhet të paguhet pas shitjeve dhe nëse kjo do të ndryshojë, do të ishte një ndihmë për sektorin”, pohon z. Andi Duka nga kompania “AIBA”.

“Veza e Mëngjesit” operon në total në 4 pulari me kapacitet 180 mijë pula. Kompania operon në treg prej 20 vitesh dhe në total, investimi është 3 milionë euro. Edhe për menaxherin e kompanisë, Adriatik Liço heqja e parapagimit të TVSH-së për lëndën e parë do t’i jepte frymëmarrje sektorit.

“Faktori kryesor që ka shtuar kostot e prodhimit është TVSH-ja e lartë dhe mungesa e subvencionimeve nga shteti për sipërmarrësit e vezëve. Shteti fqinj Maqedonia e Veriut e subvencion fermerin 1 euro për çdo pulë të kultivuar. Kostot tona janë 30-40% më të larta se ato të Kosovës, Serbisë, Greqisë dhe Italisë. Edhe pse në treg janë përfshirë paketimet dhe ofertat promocionale, kërkesa është e ulët. Shitjet kanë rënë 30%. Shumë operatorë janë në vështirësi financiare për shkak të kostos së lartë të prodhimit dhe fitimeve të ulëta. Ne eksportojmë vetëm produkt industrial, që përfshihen në kategorinë B në vendet e rajonit, ndërsa vezët që eksportohen në Kosovë janë me kosto shumë të lartë”.

Në një treg të luhatshëm me kosto të larta prodhimi dhe fitime të ulëta, për kompaninë është shqetësuese edhe mungesa e kontrolleve periodike institucionale për përmbushjen e specifikave të caktuara nga pularitë dhe mungesa e informalizimit të tregtarëve të vegjël.

Një ndër problematikat e pularive që krijon ngërç është vështirësia për të hequr pulat, të cilat dalin nga cikli i prodhimit. “Zogjtë e pulave blihen nga Austria apo Hungaria, por në Shqipëri ende nuk ekziston një rregullator për importin dhe prodhimin sipas kërkesave të tregut. Në treg ka superprodhim çka na detyron të ulim çmimet.

Para 4 muajsh ra një sëmundje e rëndë te shpendët, që ndikoi te prodhimi, pikërisht në pikun e shitjes së vezëve (tregtia e vezëve është sezonale dhe shitjet më të larta janë në 6-mujorin e parë të vitit). Strukturat shtetërore duhet të intensifikojë kontrollet dhe të mos lejojë që një pulari të mbajë pula për prodhim mbi 420 ditë, pasi ka operatorë që mbajnë pula deri në 3 vjet (të vjetruara)”, theksoi përfaqësuesi i “Vezës të Mëngjesit”.

 

Të ardhurat e operatorëve

Në total, të ardhurat e shtatë kompanive kryesore të prodhimit të vezëve në 2019, sipas bilanceve kontabël të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) ishin 2 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, ato pësuan rënie të lehtë 1%, ndërsa fitimet ranë 63%. Të ardhurat e kompanisë AIBA në 2019 ranë 10%. Kompania “Rea’s”, e pozicionuar e dyta në treg, pati rritje të xhiros 14,4% dhe zbritje shumë të lehtë të fitimit. Të ardhurat e kompanisë “Ovvital” u tkurrën 17%.

Për 2019, të ardhurat e operatorit “Beata” ranë 21% dhe fitimet u rritën 27% krahasuar me një vit më parë. Për “Vezën e Mëngjesit” të ardhurat u ulën 39% dhe fitimet 14%.

Ndryshe paraqitet situata për operatorët e vegjël të prodhimit të vezëve, sipas të dhënave të bilanceve të deklaruara në QKB. Kompania “A-K-Kanina” në 2019 ka rritur të ardhurat 31% dhe fitimet 34%. Të ardhurat e “Cocoal” në 2018 u rritën 44% dhe fitimet 19% krahasuar me 2017.

 

Konsumi i vezëve për frymë, Shqipëria ndër të parat në Europë

Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë pas Danimarkës dhe Austrisë dhe kryeson rajonin për konsumin e lartë të vezëve për frymë. Sipas të dhënave të “FAO” për vitin 2017, konsumi mesatar për frymë në Shqipëri ishte 293 kokrra vezë në vit. Në Europë, mesatarja e konsumit të vezëve ishte 324 kokrra për frymë në vit. Kryesojnë në renditje shtetet, si: Danimarka me 316 kokrra vezë për frymë dhe pas saj renditet Austria, me 294 kokrra në vit. Shqipëria renditet e treta në Europë, ndërsa kryeson në rajon.

Në Europë, pas Shqipërisë, renditet Ukraina, Rumania, Holanda dhe Spanja. Në rajon, pas Shqipërisë renditet Mali i Zi, me 241 kokrra për frymë, më pas vjen Serbia me 190 kokrra për frymë, Greqia me 170 kokrra për frymë, Maqedonia e Veriut, 110 kokrra për frymë dhe në fund për konsumin më të ulët renditet Bosnjë-Hercegovina.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë, në 2017 u prodhuan 811 milionë kokrra vezë. Në 2018 prodhimi shënoi rritje modeste prej 2% dhe 4% në 2019. Në këtë vit, prodhimi i vezëve kulmoi pas rekordit të shënuar në 2012. Niveli i prodhimit nga pularitë në 2019 përllogaritet 865 milionë kokrra.

Nuk dihet se sa pula fshati ka sot, pasi mungon matrikulimi dhe nuk mund të flasim për një përllogaritje të saktë. Ndërkohë pulat e fshatit kanë një prodhim më të ulët të vezëve në raport me pulat e pularive, duke qenë se pularitë përzgjedhin racën që jep më shumë prodhim dhe kujdesen me ushqimin që iu japin, që të jetë në nivelin ku ata duan, apo edhe kushtet e mikroklimës.

 

Burimi: FAO

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of