Prodhuesit kinezë të makinave, së shpejti mund të zotërojnë një të pestën e Daimler

04/01/2020 10:02 PM 0 komente

BAIC, një firmë në pronësi të shtetit, raportohet se dëshiron të dyfishojë aksionet e saj, afërsisht në 10%

Në mbledhjen vjetore të Daimler të zhvilluar në maj të këtij viti, një prej aksionerëve, Deka Investment, u shpreh në formë lutëse: “Mos e zëvendësoni yllin e Mercedesit me një dragua kinez”, duke iu referuar kështu blerjes së kryer në vitin 2018 nga Geely, një firme kineze e cila gjithashtu zotëron Volvon e Suedisë, dhe 9.7% të aksioneve në prodhuesin gjigand gjerman të prodhimit të makinave. Daimler tani përballet me fuqizimin e një dragoi të dytë, shkruan The Economist. Pekin Automotive Group (BAIC) thuhet se është gati të dyfishojë aksionet e tij në Daimler, afërsisht në 10%. Kjo do ta poziciononte atë përpara Geely-it, duke e shndërruar kështu në aksionerin më të madh të firmës.

Nëse strategjitë e përdorura nga Geely ishin një surprizë për të gjithë, ato të BAIC nuk ishin aspak. Në korrik të këtij viti, kompania shtetërore bleu 5% të aksioneve të Daimler. Edhe pse dragoi kinez nuk ka qenë pjesë e strukturës kryesore të Daimler, ai ka që prej vitit 2005 që bashkëpunon me të, sepse duke filluar nga motorët dhe deri tek pjesët e tjera të makinave të Mercedes-Benz-it, të shitura në Kinë, janë bërë nga dy sipërmarrjet e përbashkëta të Daimler me BAIC. Si pasojë e rënies së shënuar në shitjet e makinave kineze gjatë 2018 dhe 2019, pas vitesh të tëra rritjeje të vazhdueshme, prodhuesi vendas ka vendosur të bashkëpunojë me kompani të tjera, pikërisht për të rimëkëmbur sërish biznesin e tij.

Për BAIC, marrëdhënia me Daimler është “me një rëndësi ekzistenciale”, thotë Robin Zhu nga Bernstein, një firmë kërkimore. Në vitin 2018 shitjet nga Mercedes-Benz në Pekin, u rritën me 16% nga viti në vit, duke përbërë kështu 90 për qind të të ardhurave totale të BAIC.

Rritja e aksioneve në Daimler mund të jetë një përpjekje për të theksuar se partneri kryesor i gjigandit gjerman të prodhimit të automobikave, është BAIC dhe jo më Geely. Një zëdhënës i kompanisë Daimler u shpreh, se kjo kompani i mirëpret të gjithë investitorët afatgjatë, veçanërisht ata që i njeh mirë. Firma gjermane zotëron 9.6 për qind të aksioneve të BAIC Motor, filiali i kompanisë kineze në Hong Kong dhe 3 për qind të aksioneve të BluePark, një bashkëpunëtor tjetër i BAIC që prodhon makina elektrike dhe bateri.

Një bashkëpunim i tillë është shoqëruar edhe me shqetësime të shumta nga ana e gjermanëve. Nëse kompania kineze vendos të dyfishojë përqindjen e aksioneve të saj në Daimler, nëse e shikon të arsyeshme, ajo mund të jetë në gjendje të bllokojë disa prej vendimeve strategjike të gjigandit kinez, shprehet Marc Tüngler i DSW, një organizatë që përfaqëson interesat e investitorëve privatë gjermanë. BAIC mund t’i bashkojë lehtësisht forcat me Geely-in. Edhe pse kjo e fundit është në pronësi private, në fund të fundit, si kjo ashtu edhe BAIC përfaqësojnë shtetin kinez”, u shpreh hapur z. Zhu. Por si Geely ashtu edhe BAIC po e rishikojnë me kujdes interesin e tyre për të blerë mbi 10 për qind të aksioneve në kompaninë gjermane, në mënyrë të tillë që të shmangin kështu një kontroll të rreptë nga  ana e BaFin, rregullatori financiar i Gjermanisë.

Por Daimler është tashmë shumë e shqetësuar se një aksion i zgjeruar i firmave kineze mund të shkaktojë një kontroll më të rreptë edhe nga një organ qeveritar amerikan i cili lejon marrëveshjet e huaja, përfshirë ato midis firmave të huaja me filialet amerikane. Më 15 dhjetor, Ambasadori i Kinës në Gjermani kërcënoi të hakmerret kundër industrisë së saj të makinave, nëse Gjermani do t’u nënshtrohet kërkesave amerikane për të ndaluar Huawein, një gjigant të pajisjeve të telekomunikacionit, nga rrjetet e tij. Por, për Daimler, kjo çështje është shumë më e ndërlikuar dhe nuk mund të zgjidhet lehtësisht.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of