Prodhuesit të alarmuar, taksa mbi lëndët e para të plastikës vë në rrezik rickluesit dhe prodhuesit e materialeve të ndërtimit

25/01/2019 2:54 PM 0 komente

Pjesë e paketës fiskale 2019 ishte edhe vendosja e një takse mbi lëndët e para të plastikës. Ky ndryshim, që takson me 25 lekë kg për prodhimin vendas dhe 35 lekë kg për të importuarat për të gjitha produktete që përfshihen në Kodin 39 të nomenklaturës, ka sjellë jo pak shqetësim për sektorë dhe industri të ndryshme, nga riciklimi deri tek prodhuesit e materialeve të ndërtimit, etj,.

Nisur nga shqetësime e shprehura dhe nga problematikat që kanë sjellë ndryshimet e fundit të paketës fiskale 2019, në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar, dhe me konkretisht për taksat e materialeve plastike dhe e ambalazheve plastike të importuara në Kodin 39 të NKM, si dhe taksat e granulatit të importuar që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës, që hyri në fuqi në janar të këtij viti, prodhuesit shqiptarë vihen përballe një risku të madh në aspektin ekonomiko-financiarë të subjekteve të tyre duke çuar deri në mbyllje të aktiviteteteve të tyre prodhuese.

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptare pas tryezave teknike të zhvilluara me disa nga anëtarët në lidhje me ketë çështje dhe, pasi ka analizuar situatën dhe efektet ekonomike –financiare dhe sociale që ka shkaktuar ky ndryshim i ligjit tek prodhuesit vendas, zhvilloi sot një tryezë diskutimi në të cilën morën pjesë subjekte nga fusha të ndryshme të industrisë së prodhimit, si prodhues të ambalazheve plastike, prodhues materialeve ndërtimi, bojra, polisterol, prodhues tuba elektrike, kuti elektrike, aksesore elektrikë, prodhues të guarnicioneve për dyer dhe dritare, prodhim alumini dhe plastikës hekurit dhe nënprodukteve tyre, prodhues të çizmeve dhe sandale plastike, prodhues tubash, etj, si dhe përfaqësues nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Gjatë një intervistë të mëparshme për Revistën Monitor, Vullnet Haka president i Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës në Shqipëri, tha sektori do të vihet në vështirësi për shkak të paketës fiskale 2019.

Sipas zotit Vullnet Haka, pret të ketë reduktim të aktivitetit, pakësim të të punësuarve dhe falimentim të kompanive në varësi të marzhit të fitimit. Ndryshimet që prekin sektorin në paketën fiskale 2019 nuk pritet që të lehtësojnë situatën, madje disa vendime sipas zotit Haka i japin goditjen finale.

Problem kryesor për industrinë e riciklimit në vend mbetet ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në qoftë se ky ligj do të zbatohej, mbetjet e gjeneruara nga familjet dhe bizneset në vend do të ndaheshin që në burim dhe kompanitë e riciklimit do të kishin lëndën e parë. Kompanitë që operojnë në Shqipëri kanë kapacitete të larta, mirë po ato po përdorin vetëm 25% të tyre. Pritet që në 2019-n të ketë sërish mbyllje të fabrikave të riciklimit. Menaxhimi i mbetjeve në vend po drejtohet drejt incenerimit. Aktualisht është në funksionim vetëm inceneratori i Elbasanit, por pritet që të vihen në punë edhe inceneratori i Tiranës dhe ai i Fierit.

Taksa e ambalazhit ka krijuar shqetësim edhe për sektorin e termoizolimit në Shqipëri. Për të prodhuar materialet e termoizolimit, të cilat i bëjnë ndërtesat më eficiente në energji, Neritan Malo, i kompanisë Izoterm, importon nga jashtë një lëndë të parë që bën pjesë në Kodin 39 të nomenklaturës.  Për shkak të kësaj takse Malo shprehet se kostot vjetore të biznesit rriten me rreth 150 mijë euro në vit.

“Ky ndryshim në taksë prej 25 lek/kg lëndë e parë ose 35 lek/kg për produkt të gatshëm që përfshin polisterolin është shkatërrues për biznesin e termoizolimit. Janë miratuar ligje (i fundit nëntor 2016) që detyrojnë ndërtuesit apo individët që të përdorin termoizolimin në ndërtesa me qëllim eficensën e energjisë në ndërtesa dhe reduktimin emetimit CO2 në ambient dhe tani vendosin “taksë luksi” që do variojë nga 4-12 euro/1m3 polisterol EPS ose XPS në varësi të tipit dhe cilësisë,- tha Malo për Monitor.

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of