“Prodhuesit vendas s’po shlyejnë dot kreditë, 2017 viti më i vështirë”

07/08/2017 11:23 AM 0 komente

Flet Luan Bregasi, aksioner në Birra Tirana

Tre vitet e fundit Peja dhe Elbar, në mënyre jokorrekte dhe joligjore dhe të përkrahura ndoshta nga institucione ose individë të caktuar që kanë lidhje direkte në këtë industri, i kanë marrë frymën industrisë vendase dhe prodhimit vendas. Ky është shkaku kryesor që industria vendase ka rënie. Është shkaku i vetëm…

Prodhuesit e birrës janë sot para vështirësisë për të paguar kreditë me të cilat kanë financuar ndërtimin e fabrikave. Luan Bregasi, një nga aksionerët e Birra Tirana, tha për “Monitor” se lëngimi i biznesit shqiptar të birrës vazhdon prej tre vitesh, por viti 2017 duket më i vështirë.

E ndërsa kërkon ndërhyrjen e qeverisë për të rregulluar këtë situatë, ai vlerëson se arsyeja kryesore që prodhimi vendas po shkon drejt falimentit është “mbyllja e njërit sy” për dy marka importi që trajtohen me kushte preferenciale për hir të lidhjeve direkte me institucionet ose ndoshta për përfshirjen e individëve të caktuar që kanë lidhje direkte me këtë industri.

Zoti Bregasi, si paraqitet situata në industrinë e birrës sot? Si pozicionohet prodhimi shqiptar në treg dhe cilat janë sfidat që hasin sot kompanitë?

Industria vendase e birrës, duhet të them që në fillim, duke nisur që nga Birra Tirana që është më e hershme dhe pastaj Birra Korça, Kaon, Stela, Norga, por edhe ndërmarrje më të vogla se kjo kanë investuar rreth 80 milionë euro dhe afërsisht kanë të punësuar në rrjetin e tyre 5000 mijë persona nga prodhimi te shpërndarja në tregun kombëtar dhe në eksporte.

Është një industri që duhet vlerësuar më shumë nga institucionet shtetërore, pasi është një aset, një vlerë që kjo industri lulëzon, pavarësisht konkurrencës së madhe që imponojnë tregjet e hapura edhe për shkak të marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Por duke ju përgjigjur pyetjes suaj. Industria e birrës vendase po kalon një situatë aspak të mirë. Kjo nuk është si rrjedhojë e paaftësisë së tregut vendas për të konkurruar në raport me birrat e importit, nuk është as rrjedhojë e paaftësisë menaxheriale të kompanive që prodhojnë madje as si rrjedhojë e mungesë së cilësisë. Të gjitha këto që përmenda, tregu vendas i ka në parametra shumë të qëndrueshëm.

Kemi investime shumë cilësore, menaxhimi është rritur, cilësia e birrës gjithashtu. Kompanitë janë ndërgjegjësuar edhe për cilësinë e kapitalit njerëzor dhe shumë prej tyre kanë investuar duke sjellë punonjës të specializuar të huaj, që vijnë nga vende që prodhimin e birrës e kanë traditë. Tregu nuk po vuan për shkaqe të brendshme, teknike apo menaxheriale. Ky treg ka kohë që vuan për shkak se disa produkte të importit, në mënyrë të pandershme dhe jo konkurrenciale, kanë hyrë në treg, duke prishur balancat me prodhimin vendas.

Konkretisht Birra Peja dhe Birra Elbar, të cilat tashmë konsiderohen si birra importi, nuk u nënshtrohen rregullave dhe regjimeve që kanë produktet që vijnë nga jashtë. Duke qenë një vend që synon Bashkimin Europian, Shqipëria nuk mund të konkurrojë në mënyrë të pandershme me produktet e huaja, duke vënë barriera apo kufizime. Por sipas një direktive të BE-së është miratuar në Parlament ligji, ku thuhet se kompanitë që prodhojnë mbi 200 mijë hektolitra, duhet të kenë një fashë të akcizës më të madhe sesa kompanitë që prodhojnë më pak se 200 mijë hektolitra. Kjo është mënyra për të krijuar mundësinë që birra vendase dhe prodhuesit të kenë mundësi të konkurrojnë në mënyrë të ndershme, sepse kur një kompani ka kapacitete më të mëdha kostot e prodhimit janë më të ulëta. Këtë direktivë e përdor edhe Gjermania.

Mirëpo disa kompani, siç i përmenda më lart, në mënyrë abuzive kanë marrë referenca nga kompanitë mëmë sikur prodhojnë nën 200 mijë hektolitra dhe në mënyrë po abuzive kanë ulur çmimet e prodhimeve të tyre, duke konkurruar me kompanitë vendase. Ky është shkaku kryesor që industria vendase ka rënie. Është shkaku i vetëm.

Tre vitet e fundit, këto dy kompani, në mënyrë jokorrekte dhe joligjore dhe të përkrahura ndoshta nga institucione ose individë të caktuar që kanë lidhje direkte në këtë industri, i kanë marrë frymën industrisë vendase dhe prodhimit vendas. Unë u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Ministria e Financave, që t’i vërë këto kompani dhe të tjera në kushte të barabarta me ato të vendit. Nuk po themi që të bëhen politika proteksioniste për të mbrojtur këtë industri, në mënyrë absolute, por s’mund të bëhen politika diskriminuese siç ndodh në rastin konkret.

Investimi në fabrikat e prodhimit sipas jush kap shifrën 80 milionë euro. Shumica e këtyre parave kuptohet që janë siguruar edhe përmes huamarrjes në sektorin bankar. A kanë sot vështirësi këto kompani në shlyerjen e kredive? Po në lidhje me punësimin dhe pagat e punonjësve, a ka vonesa apo shkurtime?

Kur fola për vështirësi, e kam fjalën për ulje të sasisë së shitjes dhe ulja i ka vënë në vështirësi kompanitë për të shlyer kreditë, për të paguar interesat që u detyrohen bankave, sepse pjesa më e madhe e investimit, si në të gjitha industrisë, është bërë përmes kreditimit në bankë. Pra, ka krijuar një zinxhir të tërë vështirësish.

Po shohim mundësinë që ndoshta të ulim numrin e të punësuarve, apo shpërndarjes. Gjithë ky problem që ne cituam më lart ka krijuar një zinxhir në gjithë industrinë, që nuk lidhet vetëm me shlyerjen e kredive, uljen e punësimit, por edhe pamundësinë për të investuar apo për të rritur pagat.
Kjo vështirësi e ka bërë industrinë të vuajë pasojat e një situate që ndoshta, nëse nuk ndërhyhet, mund të shkojë në prag të mbylljes dhe falimentimit total.

A keni kërkuar nga institucionet ndërhyrje për situatën? A e keni bërë prezente problematikën, edhe pse vëmendja e përgjithshme ka qenë më shumë te politika dhe zgjedhjet. Çfarë do të kërkoni tani që pritet të vijë qeveria e re?

Së fundmi kemi pasur një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, ku e kemi bërë prezent këtë gjë me përfaqësues të tjerë të prodhuesve. Kemi kërkuar zbatim të ligjit dhe gjithashtu që kompanitë që sot nuk respektojnë rregullat e lojës të vihen në brazdën e rregullit dhe ligjit. I kemi kërkuar që këto industri të konkurrojnë në mënyrë të ndershme, me qëllim që të mos u krijojnë vështirësi të pamerituara dhe vështirësi artificiale prodhuesve vendas.

Kemi marrë premtimin që kjo do të korrigjohet dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë, sepse u bënë tre vjet që është kjo situatë. Pasojat sa vijnë dhe thellohen dhe ky vit është më i vështiri.

Ka një përpjekje të prodhuesve vendas për të sensibilizuar qeverinë dhe në mënyrë të veçantë Drejtorinë e Doganave, e cila është gardiani i rregullit dhe i ligjit në këtë industri. Duhet të ketë një qëndrim të ri dhe një marrëdhënie të re, duke i dhënë mundësi industrisë në vend të konkurrojë në mënyrë të barabartë me importin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of