Produktet bujqësore: Eksporti rriti çmimet në treg

08/07/2012 11:15 AM 0 komente

Shtimi i eksportit të perimeve në rajon është përkthyer në çmime më të larta në tregun vendas. Dëshira për të fituar ka kufizuar ofertën në tregun shqiptar, duke i shtyrë blerësit të shpenzojnë për perime pothuajse aq sa në dimër…

Në tregtinë bujqësore, këtë fillim vere ishin më të favorizuar tregtarët e fermerët, sesa blerësit. Pas çmimeve të larta të perimeve të dimrit, konsumatorët po prisnin me shumë shpresë produktet e fushës dhe mbi të gjitha, çmimet e lira të tyre. Por, pavarësisht se vlerësohet të ketë rritje relativisht të kënaqshme të prodhimeve nga fushat e mbjella, blerësit nuk janë lehtësuar nga barra e rëndë e çmimeve. Në fund të javës së kaluar, 1 kilogram domate blihej 100-120 lekë në tregun e pakicës, ose rreth 35% më shumë se një vit më parë. Më shtrenjtë po shiten edhe trangujt, specat e pjepri. Arsyeja është e thjeshtë dhe e justifikuar për një pjesë të ekspertëve të tregtisë. Tregtarët e prodhimeve bujqësore kanë arritur të eksportojnë më shumë perime e fruta muajt e fundit, krahasuar me vitin e kaluar. Natyra duket se ka favorizuar më shumë fushat shqiptare këtë vit, se ato të Serbisë, Kosovës apo Maqedonisë. Sipas zëvendësministrit të Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Fasllia, në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit kushtet e motit nuk kanë qenë favorizuese për kultivimin e fruta-perimeve, duke bërë që shumë nga këto vende të importojnë produkte në Shqipëri. “Nga janari deri tani rezultojnë 30 mijë tonë perime të eksportuara, ndërsa në të gjithë vitin e kaluar janë eksportuar 40 mijë tonë. Pra, kemi rritje prej 25% dhe pritshmëria e eksporteve për këtë vit është më e mirë krahasuar me një vit më parë”, theksoi zv.ministri i Bujqësisë.
Tregtarët e mëdhenj të fruta-perimeve, që kanë eksportuar në rajonin e Ballkanit edhe në vitet e kaluara, fituan më shumë nga kjo mundësi. Ruzhdi Koni, presidenti i shoqërisë tregtare “Agrokoni” tregon se “këtë vit, po eksportojmë më shumë perime në Serbi e Kosovë, kryesisht domate, spec, shalqinj, pjepër”. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, eksportet e kësaj kompanie janë rritur 30%. Eksportet drejt Serbisë janë ndihmuar edhe nga heqja e kufizimeve doganore. Vjet, në këtë periudhë, në tregtinë Shqipëri-Serbi ishin të vlefshme si kufizimet në kuota të eksporteve bujqësore, edhe ato të tarifave.

Prej vitesh, specialistët e tregtisë kanë vënë në dukje peshën e vogël të prodhimeve bujqësore në eksportet shqiptare dhe kanë kërkuar që qeveria të mbështesë këto eksporte. Por, sot, ata mendojnë se përmirësimi i eksportit bujqësor nuk është tërësisht pozitiv për ekonominë shqiptare, për sa kohë sjell rritje të konsiderueshme të çmimeve të prodhimeve vendase.

Çmimet e larta në vend janë pasojë e eksportit edhe sipas Ministrisë së Bujqësisë, e cila e vlerëson këtë si një zhvillim pozitiv për bujqit shqiptarë. “Përveç rritjes në sasi, në muajin qershor, eksportet kanë sjellë edhe rritje të çmimit, pra situata ka qenë shumë e favorshme edhe për bujqit që prodhojnë për eksport, por edhe për tregtarët që eksportojnë. Pra kemi një rritje në sasi dhe në çmim gjithashtu të eksportit të prodhimeve bujqësore”, deklaroi Ndoc Fasllia.

Por, ekspertët e bujqësisë mendojnë se tregu vendas nuk është aq i favorshëm për fermerët. Sipas tyre, çmimi i shitjes nga ferma është rritur vetëm 10% krahasuar me vjet, ndërkohë që tregtarët shesin me një çmim mbi 20% më të lartë se një vit më parë. Specialistët në këtë fushë janë dakord me çmimet më të larta, nëse nga kjo do të fitonin fermerët. Prof. Abdyl Sinani, ekspert në fushën e teknologjisë agroushqimore, pohon se, çmimet e larta janë një mundësi shumë e mirë për fermerët, “pasi do të kenë mundësinë të investojnë në mjetet e punës, e rrjedhimisht të rrisin rendimentin edhe për vitet e ardhshme”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of