Sigurimi kufitar ishte produkti më fitimprurës për siguruesit shqiptarë vitin e kaluar.
Megjithëse ky produkt ka një peshë të vogël krahasuar me sigurimet e tjera të detyrueshme motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, me 3% të primeve të shkruara bruto, të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se norma e fitimit bruto në këtë aktivitet ishte relativisht e lartë, me rreth 21%; kjo nënkupton se siguruesit fitojnë 21 lekë për çdo 100 lekë prime të shkruara bruto.
Polica e sigurimit kufitar mbulon përgjegjësitë motorrike të shtetasve që vizitojnë Shqipërinë me mjete të regjistruara jashtë vendit. Përfitueshmëria e lartë nga policat e sigurimit kufitar mund të shpjegohen me faktin se ato janë produkte afatshkurtra dhe gjasat e ndodhjes së dëmeve janë më të pakta krahasuar me sigurimet e tjera, që kryesisht mbulojnë periudha njëvjeçare.
Edhe produkti tjetër që mbulon sigurimet motorrike ndërkufitare, kartoni jeshil, për vitin e kaluar rezultoi me përfitueshmëri të kënaqshme, në rreth 11.5%. Ky produkt ka kthime më të luhatshme, megjithatë edhe ai solli një normë më të lartë fitimi krahasuar me vitin 2018, me rreth pesë pikë përqindje më shumë.
Produkti kryesor i tregut shqiptar, ai që mbulon përgjegjësitë motorrike ndaj palëve të treta brenda vendit (MTPL) rezulton fitimprurës në masën 6.98%, me rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Të trjera produkte me përfitueshmëri të kënaqshme ishin sigurimi i përgjegjësive, me 8.89% dhe sigurimi i mallrave në transport, me 14.15%; por pesha e këtyre produkteve në treg është e ulët.
Shifrat tregojnë se produktet e sigurimit të detyrueshëm motorrik janë përgjithësisht fitimprurëse për siguruesit. Këto produkte sjellin pjesën më të madhe të primeve (68.7% të primeve të sigurimit të jo-jetës për vitin 2019), por njëkohësisht edhe shumicën e fitimeve për kompanitë.
Përkundrazi, vitin e kaluar produktet kryesore të sigurimit vullnetar rezultuan me humbje të konsiderueshme.
Kështu, sigurimi ndaj zjarrit dhe fatkeqësive natyrore vitin e kaluar rezultoi me humbje në masën 18.76%. Për shkak të dy tërmeteve që goditën vendin vitin e kaluar, rezultati teknik i këtij produkti u përkeqësua ndjeshëm krahasuar me vitin 2018, kur kishte qenë negative me vetëm 0.11%.
Produkt me humbje më të thellë për siguruesit është sigurimi vullnetar kasko i automjeteve. Për vitin e kaluar, ky produkt rezultoi me humbje në masën 19.2%, ndërsa një vit më parë norma e humbjes kishte qenë 28.2%.
Në total, rezultati teknik i kompanive të sigurimit, që përcakton normën e fitimit nga aktiviteti sigurues, duke përjashtuar rezultatin nga investimet për vitin e kaluar pësoi një rënie të lehtë në 3.6%, nga 4.26% që kishte qenë një vit më parë. Efektin kryesor duket ta kenë dhënë tërmetet, por efekti i tyre në bilancet e siguruesve u balancua ndjeshëm nga një përfitueshmëri më e mirë në sigurimet e detryueshme motorrike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.