Flet Vehip Salkurti, administrator KOP FRUT Dibër 2012
Paragjykimi i konsumatorëve shqiptarë për produktet shqiptare është ngërçi më i madh që has sot kompania Kop.Frut. Vehip Salkurti, administrator i kësaj kompanie, e cila prodhon kryesisht lëng molle shprehet se është e vështirë të fitosh terren në tregun shqiptar të mbytur nga importi dhe ku perceptimi konsumator është që lëngu të ketë ngjyrën që ka fruta.
Në fabrikën ku ka investuar të pakën 1 milion euro, puna bëhet vetëm me një sezon nga shtatori në dhjetor dhe janë të punësuar rreth 5-6 familje. Nuk mund të prodhojë gjithë vitin, pasi edhe zgjerimi që ka në treg nuk ia lejon këtë luks.
Salkurti shprehet se rritja ka qenë graduale, por mbetet ende e vogël në treg pesha e kompanisë, pasi nuk ka gjetur edhe mbështetjen e zinxhirit shqiptar të shpërndarjes. Lidhur me operimin me kontrata, ai thotë se ka pasur interes nga Italia por tregu shqiptar funksionon në mënyrë që nuk të jep garanci për prodhimin dhe nëse ti nuk përmbush detyrimet, ke penalitete.
Mund të na bëni një përmbledhje të profilit që ka kompania Kop. frut? Çfarë produktesh prodhoni?
Aktivitetin e kemi filluar 2012 Kop. Frut me dhomat frigoriferike. Duke parë cilësinë e dobët të prodhimit menduam të ngremë një linjë të përpunimit të frutave, që nuk i tërhiqte tregu. Që kanë gjithë vlerat ushqyese por estetikisht ndoshta nuk ishin uniforme. Sot prodhojmë lëng me mollë të freskët, që nuk ka asnjë lloj konservanti brenda. Janë mollë të zonës së Dibrës. Prodhimin e bëjmë në sezonin kur vilet molla e freskët për një arsye të thjeshtë, pasi lëngu është më i shijshëm dhe më i freskët, por edhe nuk rrit kostot tona sepse po ta mbash në frigorifer, kostoja e mollës rritet.
I gjithë procesi zgjat 30 minuta nga molla te lëngu dhe paketimi që përfshin larjen shtrydhjen kalimi në sitën e kullimit të tulit të mollës. Kjo bëhet me superator, në mënyrë që të ketë sa më pak mbetje pra nuk është me filtra, pasi sa më shumë ta kullosh më pak vlera ushqyese ngelin. Më pas, gjithë lëngu kalon në temperaturë 80 gradë dhe mbyllet po në këtë temperaturë në shishe qelqi. Lëngu deri në këtë temperaturë ruan shumicën e vlerave ushqyese të një frute të freskët.
Çfarë vështirësish hasni ju si kompani lidhur me tregun?
Në fakt, ne kemi hasur më shumë vështirësi me konsumatorin sepse përgjithësisht, tendenca është që duan të shohin lëngje me ngjyrën e frutës, pra nëse molla është jeshile lëngu duhet të jetë në të njëjtën ngjyrë. Është e vështirë të bindësh konsumatorin që një frutë që ka kaluar procesin e pasterizimit nuk ruan dot ngjyrën e frutës, por vlerat i ka.
Pastaj kemi hasur edhe një lloj paragjykimi për produktet shqiptare. Shumica e shohin me hije dyshimi produktin shqiptar në përgjithësi dhe kanë tendencën të shkojnë tek pijet importuara. Kjo do ndërgjegjësim dhe fushata të mëdha marketingu, por ne nuk i përballojmë dot sepse ato janë të kushtueshme. Ne mundohemi të bëjmë shumë pak në këtë pjesë, sepse aq janë mundësitë. Po kështu, edhe zinxhiri i shpërndarjes, pra markete, supermarkete janë problematikë, nuk kanë dëshirën e mirë, edhe pse ti je duke u dhënë garanci për një produkt cilësor.
Tregtarët shprehin edhe më shumë rezerva, duke e vështirësuar zgjerimin jo vetëm të produktit tonë, por në përgjithësi të produkteve shqiptare të kësaj kategorie. Aktualisht, lëngu që ne prodhojmë ka certifikimin ISO 22000 që është certifikimi më i lartë në zinxhirin ushqimor. Aktualisht pesha jonë në treg është ende e vogël, sepse jemi të rinj dhe nuk e mbulojmë dot gjithë territorin.
E gjithë lënda e parë është vetëm nga mollët e Dibrës? Keni kontrata të dedikuara me fermerë apo i blini në treg të lirë?
Zona e Dibrës mundohet të kultivojë mollë, por pemëtaria ka shpenzimet e saj spërkatjet, plehrat kimike dhe jo të gjithë i kanë mundësitë për t’i blerë që të arrijnë të prodhojnë një produkt cilësor, për ta shitur si frutë në treg. Ato që nuk destinohen për tregun i blejmë ne dhe në fakt ka 10 herë më shumë prodhim se kapaciteti ynë.
Ne prodhim mund të bëjmë shumë më shumë por e kufizojmë atë në bazë të shitjes. Aq janë mundësitë. Aktualisht ne prodhojmë 100 mijë litra me 200 mijë kilogramë mollë që përpunojmë. Kapaciteti i fabrikës është 1 milion kilogramë në vit, por ne punojmë vetëm në periudhën e vjeshtës, shtator deri në dhjetor.
Po nga këto skemat e mbështetjes që ofrohen nga qeveria keni përfituar ndonjëherë?
Po kemi aplikuar për programin IPARD dhe kemi marrë subvencion, por realisht problemi ynë real sot është mentaliteti që ekziston për produktet shqiptare. Derisa të jetë ky lloj mentaliteti do të jetë e vështirë. Mungon mbështetja e biznesit me njëri-tjetrin kur nuk janë konkurrentë kuptohet.
Aktualisht prodhoni vetëm lëng molle? Keni menduar ndonjëherë ta zgjeroni gamën e produkteve?
Përveç lëngut të mollës, që është në tre variante sipas tre varieteteve të mollës, prodhojmë dhe uthull molle, një miks mollë me dardhë, një mollë me ftua. Përpara se të zgjerojmë gamën duhet me patjetër që të rritemi disi në treg, të kemi vendosur një rrjet të mirë shpërndarjeje. Kam eksperimentuar në një masë shumë të vogël dhe besoj që këtë vit do të jemi në sasi më të madhe me një produkt miks mollë me shegë dhe mollë me “arania”, që janë si boronicat por që kanë 4 herë më shumë antioksidantë.
E kam gjetur në Peshkopi këtë frutë, por ka vende ku kultivohet në Lushnjë, por edhe në Kosovë. Shegët, nga ana tjetër, i kam gjetur në Lezhë dhe janë shegë të egra. Ftoin dhe dardhën gjithashtu i kam siguruar në Peshkopi. Në total, Kopfrut ka shtatë produkte, të vendosura në shishe qelqi 1 litër dhe 250 mililitra. Edhe te pjesa e shisheve kemi një lloj ngarkese pasi taksohet 10 lekë për kilogram si taksë ambalazhi.
Po qershi keni menduar të përpunoni, a ka sasi të mjaftueshme në treg?
Ka edhe qershi me shumicë, por qershia do konservantë dhe nuk prodhohet dot 100% lëng. Është i tillë procesi teknologjik. Por ndoshta një variant mollë me qershi do ta shohim në një moment të dytë.
Po investimi i fabrikës sa ka shkuar? Sa njerëz keni të punësuar?
Ne kemi bërë 1 milion euro investim në fabrikë. Të punësuar jashtë sezonit janë vetëm pesë persona dhe kjo në kohën e sezonit ndryshon. Por duhet të kemi parasysh efektin që ka fabrika në punësimin jo të drejtpërdrejtë. Ne mbajmë të angazhuar dhe mbledhim prodhimin e 100 fermerëve.
Keni parë ndonjëherë mundësinë për të eksportuar produkte ndoshta edhe duke lidhur kontrata afatgjatë?
Kemi nisur prodhimin në 2015-n dhe nga viti në vit është rritur kërkesa në vend, por siç thashë nuk jemi aty ku pretendojmë. Fillimisht sfidë është tregu vendas. Kemi pasur kërkesa edhe nga jashtë, për shembull na është kërkuar nga Italia, por kur lidh kontrata të mëdha, përgjegjësia është gjithashtu e tillë. Bujqësia jonë funksionon në mënyrë që s’të jep garanci për prodhim.
Nëse ty të kërkohen 4 milionë litra lëng, të duhen 8 milionë kilogramë mollë. Ti e bën kontratën, por çështja është ku do t’i gjesh mollët. Fermerët janë të ndarë, produktet nuk kanë certifikim. Ne kemi hasur shumë vështirësi me prodhuesit. Ke të bësh me grupe prej 300-400 prodhuesish, që e kanë shumë të vështirë të bien dakord mes tyre. Plus të papriturat e motit. Vjet për shembull pati ngrica që dëmtuan prodhimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.