Rreth 2 mijë qytetarë serbë protestuan në rrugët e Beogradit së fundmi, për të protestuar kundër një skeme të re tatimi, e cila kërkon që punonjësit dixhitalë – ose ata që punojnë si profesionistë të pavarur online – duhet të paguajnë taksa të larta për pesë vitet e mëparshme. Ata paralajmërojnë se nëse qeveria e ndjek planin e saj, mbi 100,000 individë që paguajnë tatime, do të mbeten në varfëri, shkruan Tamara Petrovic për “Global Voices”.
Protestuesit, shumë prej të cilëve vijnë nga qytete të tjera të Serbisë, ngritën një kamp çadrash para Parlamentit mbrëmjen e 7 prillit. Mëngjesin tjetër, kampistët u bashkuan me protestuesit në një ecje 2-orëshe në rrugët kryesore të Beogradit, duke ndaluar përpara ndërtesave qeveritare “për të përshëndetur” ministrat e Financave dhe Punës dhe kryeministren. Ata e përfunduan ecjen e tyre duke u zotuar se do të ktheheshin pas dy javësh nëse Parlamenti serb miraton ligjin të cilin ata e kundërshtojnë me vendosmëri.
Protestat organizohen nga Shoqata e Punonjësve Online, ose Udruženje radnika na internetu, një organizatë e formuar nëpërmjet një grupi në Facebook me mbi 13 mijë anëtarë. Përveç refuzimit ndaj taksave të reja, protestuesit hedhin poshtë pretendimin e qeverisë se këto taksa kanë mbështetjen e profesionistëve të pavarur.
Më 29 mars, shoqata mbajti raundin e saj të tretë të negociatave me qeverinë dhe ashtu si përpjekjet e mëparshme në shkurt, bisedimet dështuan pasi qeveria nuk pranoi të ndryshojë shumicën e kushteve.
Për më tepër, qeveria njoftoi më 31 mars se ka rënë dakord me një organizatë tjetër që pretendon se përfaqëson profesionistët e pavarur. Deklarata e tronditi komunitetin dixhital, pasi organizata në fjalë nuk kishte qenë asnjëherë pjesë e procesit të negociatave dhe nuk kishte organizuar asnjë aktivitet drejt gjetjes së një zgjidhjeje për punonjësit dixhitalë, por përkundrazi, qëndroi e heshtur në gjashtë muajt e fundit, ose shprehu mbështetjen për kërkesat e Shoqatës së Punonjësve Online.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabić, vizitoi kampin para se të niste protesta e 8 prillit, duke u ofruar nga “një filxhan çaji” kampistëve që e kaluan natën jashtë në të ftohtë. Ata u përgjigjën se dëshironin negociata të reja dhe të ndaloheshin procedurat e Parlamentit për miratimin e një ligji të ri tatimor.
Për vite me radhë, punonjësit dixhitalë janë përjashtuar nga ligjet dhe rregulloret në Serbi. Ata nuk kanë pasur të drejtë për përfitime pensioni, as kujdes shëndetësor, dhe statusi i tyre profesional nuk ishte përcaktuar në mënyrë të ligjshme.
Ky grup u përmend vetëm në një amendament të kryer në Ligjin mbi Pensionin dhe Personat me Aftësi të Kufizuar në dhjetor 2019, që i lejonte këta persona të shtonin një pjesë të të ardhurave në fondet e tyre personale të pensionit, duke filluar nga viti 2020, por vetëm nëse ishin zyrtarisht të punësuar diku tjetër. Në vitet para tetorit 2020, pas një hetimi, autoritetet tatimore serbe pretenduan se linja e punës e njerëzve që e fitojnë jetesën, duke kontraktuar shërbime ndaj punëdhënësve të huaj, nuk ishte rregulluar me ligj dhe se ata nuk kishin asnjë kornizë për taksim.
Sidoqoftë, në vitin e pandemisë dhe krizës shkatërruese ekonomike, në vend që të ndryshonin ligjin e punës dhe të rregullonin punën online dhe të pavarur, autoritetet shfrytëzuan një hendek të paqartë ligjor në Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale të vitit 2001, duke nisur të rishikonin në mënyrë të papritur taksat.
Më pas, më 13 tetor 2020, Administrata Tatimore kërkoi që të gjithë individët privatë, që kishin marrë para nga jashtë, të paguanin taksat dhe kontributet e tyre shoqërore për 6 vitet e mëparshme, në një këst të vetëm, përfshirë interesin e përllogaritur.
Kjo ishte hera e parë që Administrata Tatimore kishte informuar ose paralajmëruar punonjësit dixhitalë për detyrimet e tyre, dhe e bëri këtë nëpërmjet një postimi në Facebook, duke u bërë thirrje atyre të “deklaronin të ardhurat nga jashtë në mënyrë të vullnetshme”. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, 99.7% e të gjithë atyre që preken nga ligji i vitit 2001, nuk kishin paguar taksa ose kontribute. Papritmas, autoritetet kërkuan një pagesë të taksave dhe kontributeve në të ardhmen dhe në mënyrë retroaktive për pesë vitet e fundit.