Cilët janë sektorët që do të formësojnë rritjen ekonomike të qëndrueshme në të ardhmen afatmesme e afatgjatë. Si do të zëvendësohen remitancat, ndërtimi e sektorë të tjerë që po shkojnë drejt maturimit. Perspektiva e sektorëve të rinj si industria e tranzitit, e teknologjisë së informacionit, kujdesit për të moshuarit e turizmit shëndetësor…
Nga Ornela Liperi
Blerina Hoxha
Që burimet e deritanishme të rritjes janë drejt shterimit, kjo është bërë e ditur prej disa vitesh. Që vendit i duhet një model i ri që do ta riorientonte drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, edhe kjo nuk është më një sekret.
Por, ajo që po mungon janë përpjekjet për një strategji gjithëpërfshirëse afatgjatë, me angazhim mes institucioneve politikëbërëse, ekspertëve, bizneseve, grupeve të interesit për të përcaktuar se cilat do të jenë prioritetet në afatin e mesëm dhe të gjatë, si mund të zhvillohen ato, ku dhe si mund të ndërhyjë qeveria, si do të integrohen kurrikulat arsimore me këto përparësi e kështu me radhë.
Me dobësitë strukturore aktuale, Shqipëria duket tepër larg tendencës globale, që po promovon një zhvillim të qëndrueshëm, që plotëson nevojat e së tashmes, pa kompromentuar aftësitë e brezave që vijnë, për të plotësuar nevojat e tyre, ndërsa promovon uljen e varfërisë, rritjen e punësimit dhe përdorimin më të drejtë të burimeve.
Si një shoqëri konsumi, Shqipëria e ka të bazuar ekonominë e saj tek aktivitetet e shërbimeve dhe të tregtisë. Pesha e sektorit pa një rritje të shpejtë pas viteve 1990 dhe aktualisht zë 52% të strukturës së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbi 85% e ndërmarrjeve operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe sektori ka të angazhuar 57% të fuqisë punëtore në vend. Linja e tregtisë dominon sektorin, ku tregtia e automjeteve dhe pasurive të paluajtshme kanë peshën më të madhe në PBB me rreth 7% secila.
Pavarësisht zhvillimit spontan të deritanishëm, vendi i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në rrugë të mbarë dhe të shfrytëzojë përparësitë krahasuese që i ka falur natyra (klimën, pasuritë natyrore, pozicionin gjeografik) dhe ato njerëzore (forcën e arsimuar dhe me njohje të gjuhëve të huaja).
Dobësitë strukturore, si eksportet e padiversifikuara dhe me vlerë të ulët të shtuar, mungesa e kompanive të sofistikuara, duhet të kthehen në avantazhe përmes vizionit afatgjatë.
Shqipëria ka mundësi të zhvillojë eksportin e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit, shërbimet e të cilave janë më të paguarat. Vendet e rajonit po injektojnë në ekonomitë e tyre miliona euro nga zhvillimi i eksportit të shërbimeve të IT, por Shqipëria ende mbetet e nënzhvilluar edhe në këtë aspekt, për shkak të trupës së kufizuar të burimeve njerëzore që iu duhen gjigantëve botërorë të IT–së. Shërbimet e mjekësisë po bëhen gjithnjë e më të kërkuara në Shqipëri, sidomos pas hapjes së tregut në këto shërbime. Shërbimet sociale me fokus kujdesin për të moshuarit shihen me perspektivë për rritjen e vlerës së sektorit. Në shërbimet mjekësore, Shqipëria shihet avantazhuese për shkak se Universiteti i Mjekësisë nxjerr burime njerëzore konkurruese me vendet europiane.
Bujqësia, dikur e lënë pas dore, është kthyer sërish në vëmendje të sipërmarrjeve dhe po tërheq investime të shumta, por ka nevojë për orientim dhe investime drejt ciklit të mbyllur, ku mbështetja e shtetit mbetet parësore.
Industria e nxjerrjes së naftës dhe mineraleve ka dëshmuar deri tani të ketë qenë peng i kontratave koncesionare, të hartuara keq, që kanë sjellë pak vlerë të shtuar për vendin, që është i bekuar nga burime të shumta natyrore. Për më tepër, koniunktura e pafavorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare e zbehin më tej rolin e këtij sektori në ekonomi.
Teksa rajoni po e amortizon rënien e çmimeve të naftës duke u diversifikuar drejt industrisë, kryesisht asaj të automjeteve dhe produkteve mbështetëse të saj, Shqipëria, të paktën në afatin e mesëm nuk e kap këtë ritëm për shkak të mungesës së burimeve njerëzore të përshtatshme Lexo shkrimin në vijim: “Sipërmarrjet shqiptare, ‘xhungla’ e rajonit”). Më shumë shanse ka diversifikimi i call center, përtej thjesht thirrjeve telefonike, por duke ofruar për të tretët edhe shërbime profesionale me vlerë të shtuar më të lartë, si ato informatike apo financiare.
Infrastruktura dhe energjia mbeten prioritete të përhershme strategjike që mund ta kthejë vendin në një nyje rajonale. Shanset për zhvillimin e turizmit janë zbehur pas masakrës në një pjesë të madhe të bregdetit, megjithatë ai vijon të mbetet prioritet, sidomos e kombinuar me turizmin ushqimor.
Në këtë speciale, me rastin e 15-vjetorit të saj, revista “Monitor” tenton të sjellë një panoramë të sektorëve prioritarë dhe ndërhyrjeve që ekspertët rekomandojnë, në mënyrë që ato të nxisin një zhvillim të qëndrueshëm, pa kompromentuar burimet për brezin e ardhshëm, që është kryefjala e të gjitha ekonomive sot në botë.
BSH: Roli ynë në formatimin e politikave ekonomike
Prononcim i posaçëm i Bankës së Shqipërisë për revistën Monitor
Eksperienca dhe problemet që ka shfaqur zhvillimi ekonomik i vendit në periudhën pas krizës së fundit botërore, kanë ngritur me të drejtë nevojën për rishikimin dhe rivlerësimin e modelit të rritjes ekonomike. Në thelb, qëllimi i këtij ushtrimi duhet të jetë vlerësimi kritik i të gjithë strukturave dhe mekanizmave mbështetës të rritjes ekonomike, duke ruajtur ato pjesë të modelit që mbeten të vlefshme dhe duke ndryshuar apo duke përmirësuar ato pjesë të cilat nuk i kanë rezistuar testit të kohës.
Përpara se të kalohet në rolin e Bankës së Shqipërisë në këtë proces, duhet të përmenden tre tipare të modelit, të cilat gjykohen si esenciale për zhvillimin e vendit në të ardhmen:
– Modeli i ri duhet të garantojë një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike. Për të arritur këtë, ai duhet të jetë më eficient në shfrytëzimin e burimeve. Po ashtu, ekonomia shqiptare duhet të jetë më konkurrente me produktet e saj në tregjet e brendshme e të huaja, si dhe më fleksibile në shfrytëzimin e oportuniteteve të reja. Këto tre karakteristika mund të arrihen vetëm me reforma strukturore të kujdesshme, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse.
– Modeli i ri duhet të garantojë një rritje më të qëndrueshme ekonomike. Ky model duhet të ketë në fokus stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe të shmangë zhbalancimet e mëdha sektoriale.
– Modeli i ri duhet të vazhdojë të bazohet në parimet e tregut të lirë. Eksperienca ka treguar se ky model zhvillimi ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë rezultatet më të mira në afatin e gjatë.
Si institucion qendror në hartimin dhe zhvillimin e politikave financiare, Banka e Shqipërisë ka natyrisht një rol jo të vogël në këtë proces. Ky rol është si direkt, në respektim të detyrave tona ligjore, ashtu edhe indirekt, në respektim të funksionit të këshilltarit që Banka e Shqipërisë ka për çështje të ndryshme publike.
Referuar pikave të parashtruara më lart, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e angazhuar në garantimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Nëpërmjet kontrollit të inflacionit, Banka e Shqipërisë eviton luhatjet e padëshiruara të aktivitetit ekonomik. Nëpërmjet rregullimit e mbikëqyrjes së kujdesshme të sistemit bankar, mirëmbajtjes dhe zhvillimit të sistemit të pagesave, Banka e Shqipërisë jep një kontribut esencial në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe në këtë mënyrë, ajo synon t’i ofrojë ekonomisë shqiptare instrumente sa më të mira dhe efektive financimi.
Të dy këto aktivitete i shërbejnë direkt qëndrueshmërisë së rritjes. Në plotësim të tyre, nëpërmjet inicimit dhe mbështetjes së reformave strukturore në sistemin financiar, Banka e Shqipërisë ndihmon gjithashtu rritjen e ndërmjetësimit financiar dhe një shpërndarje më eficiente fondesh në ekonomi. Ky aktivitet ndihmon direkt në përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike.
Së fundi, është e rëndësishme të evidentohet kontributi i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë si këshilltar i qeverisë për çështje të ndryshme që i takojnë zhvillimit të tregut të brendshëm financiar, politikës fiskale dhe administrimit të borxhit publik, zhvillimit të strategjive kombëtare të zhvillimit dhe integrimit, etj.
Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet një partner serioz në të gjitha këto angazhime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.