Flet Frida Krifca, kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është një ndër aktorët kryesorë që ka informuar dhe ndihmuar në përthithjen e fondeve IPARD. Çfarë interesi kanë pasur këtë vit dhe a janë reflektuar problematika gjatë aplikimit?
AZHBR është akredituar nga Bashkimi Europian si institucioni i duhur për administrimin e fondeve të Bashkimit Europian (BE) të programit IPARD, si Autoriteti Kontraktues me fokus zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme dhe diversifikimin e ekonomisë rurale në vend. Në momentin që flasim, Agjencia është duke zbatuar thirrjen e parë të programit, i cili mbështet fermerin dhe agropërpunuesit me grante nga fondet e përbashkëta të BE-së dhe Buxhetit të Shtetit.
Faza e aplikimit u mbyll me 317 aplikime, më shumë se dyfishi i aplikimeve të parashikuara në analizën e ngarkesës së punës gjatë procesit të akreditimit. Jemi duke kryer procedurën administrative që konsiston në vlerësimin e dosjeve dhe projekt-propozimeve, sipas kritereve të përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në program.
Detyra jonë si agjenci zbatuese është kontrolli dhe financimi i projekteve, sipas kritereve, konform rregullores së BE-së dhe Qeverisë Shqiptare, në mënyrë që të lëvrojmë fondet.
Jemi të angazhuar maksimalisht që të procedojmë shpejt për t’u ardhur në ndihmë fermerëve dhe sipërmarrësve, që ndikimi nga programi të jetë pozitiv për ekonominë e vendit, por njëkohësisht të shmangim korrigjimet financiare të cilat janë pjesë e rrugëtimit të programit, nëse procedurat nuk ndiqen rigorozisht.
Nga 317 aplikime të ardhura në AZHBR, 188 kanë aplikuar për “Investime në fermë”, 65 për “Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale” dhe 64 për “Diversifikimin e fermës dhe zhvillimin e biznesit në zonat rurale”, me kërkesë për fond rreth 56 milionë euro. Buxheti i përgjithshëm që ne çelëm për këtë thirrje, duke menduar se do të ishte i mjaftueshëm për thirrjen e parë, është 50.33 milionë euro, nga të cilat 75% ose 37.74 milionë euro kontribut i BE-së dhe 25%, ose 12.58 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.
E konsideroj kërkesën e lartë për fond, si rritje të ndërgjegjësimit të sipërmarrësve ruralë dhe fermerëve për të fuqizuar sektorin dhe rritje të konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare. Gjithashtu, një indikator besueshmërie për Agjencinë.
Thirrja e parë shërben domosdoshmërisht si një proces mësimi, si për Agjencinë, ashtu dhe për fermerët, shoqatat e fermerëve, prodhuesve dhe përpunuesve, sipërmarrësit, konsulentët, trupat teknike, bashkitë, etj., të cilët njihen vazhdimisht me mundësitë dhe kushtëzimet e programit. Ne kemi pasur mundësinë të njihemi me një mori pretendimesh, disa të padrejta, por shumë syresh të drejta, të cilat i kemi reflektuar në punën tonë apo kur tejkalojnë kompetencat tona, i kemi propozuar si kërkesa për ndryshime në program pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë në Bruksel.
Disa kërkesa të tilla janë pranuar dhe kjo na bën krenarë, pasi puna e madhe e reflektuar në menaxhimin e të gjithë këtyre dinamikave dhe marrëdhënieve kaq shumëpalëshe ka treguar që është pozitive, kur punohet fort për të argumentuar drejt dhe me ndershmëri, për qëllimin e përbashkët të zhvillimit të sektorit në vend.
Një problematikë e raportuar nga fermerët, veçanërisht në skemat kombëtare, ka qenë burokracia e lartë për përgatitjen e dokumentacionit. A mendoni se thjeshtëzimi do t’i ndihmonte në aplikime?
Vitin e kaluar, në implementimin e skemës kombëtare 2018, ne prezantuam aplikimin me “O Dokumente”, si një risi në procesin e marrjes së aplikimeve, duke sjellë një shërbim të thjeshtuar dedikuar fermerëve. Aplikimi me “O dokumente” dha rezultate në lehtësinë e aplikimit dhe saktësinë e tij për fermerët dhe këtë e dëshmojnë shumë fermerë e blegtorë përfitues anembanë vendit. Në këtë mënyrë, fermerët vetëm me kartën e identitetit dhe NIPT-in e fermerit kanë aplikuar, duke shmangur konfuzionin, radhët, duke kursyer kohë dhe pa kosto administrative shtesë.
Nëse më parë është llogaritur që kosto e plotësimit të dokumentacionit për një aplikim shkonte deri në 1,000 lekë nga nxjerrja e dokumentacioneve nëpër zyrat e shtetit, për efekt të aplikimit në AZHBR, tashmë dokumentacionin e gjeneron AZHBR për fermerin, duke verifikuar me zyrat e shtetit për llogari të fermerit. Kjo natyrisht ka shtuar ndjeshëm punën e stafit të AZHBR, por ama ka ulur kostot dhe kohën e shpenzuar keq për fermerin.
Kjo është bërë enkas që koha e tij t’i kushtohet tokës dhe fermës.
Gjithashtu për dokumente të tjera, të cilat nuk mund të gjenerohen nga portali e-Albania (p.sh., kontrata e qerasë, etj.) iu është kërkuar vetëm aplikantëve, të cilët kanë përmbushur kriteret dhe kanë qenë brenda vijës së financimit (jo të gjithëve që nuk kanë pasur siguri për financimin, si më parë). Në këtë rast, për ata aplikantë, të cilët nuk i kanë përmbushur kriteret dhe/ose kanë qenë jashtë vijës së financimit, nuk i është dashur të dorëzojnë dokumentacionin shtesë, duke i kursyer kohë dhe para, një fenomen që nuk mund të shmangej më parë.
Siç e përmenda më sipër, aplikimi me “O dokumente” në momentin e aplikimit rrit numrin e aplikantëve të interesuar, shmang kompleksitetin dhe konfuzionin, kohën dhe kostot për aplikantët. Natyrisht që jo çdo fermer shqiptar e gjen veten në skema apo mund të aplikojë, pasi shumë prej tyre nuk kanë fare NIPT. Ferma në Shqipëri ka tipare të theksuara të vetëmbajtjes, ku shumica e produkteve bujqësore janë të destinuara për konsum vetjak. Ka faktorë të tjerë si fragmentimi i tokës bujqësore, probleme me certifikatat e pronësisë së tokës, mospërmbushja e kritereve të udhëzimit, të marra së bashku, ose veçmas, mund të jenë shkak hezitimi për të aplikuar.
Në datën 17 maj është data e fundit e aplikimeve për skemat kombëtare 2019. Si kanë qenë aplikimet deri më tani dhe ku ka qenë fokusi i kërkimit të mbështetjeve?
AZHBR, aktualisht po zbaton Programin e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2019, nga fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, duke ndjekur procedurat e miratuara dhe duke vepruar në përputhje me kuadrin ligjor, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, dhe udhëzimeve përkatëse nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Aktualisht, janë kryer rreth 3281 aplikime në total, kërkesat më të larta janë për masën nr. 1. Për tufën bazë të matrikuluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1000 lekë/krerë (1071 aplikime).
Vijon me masën nr. 2. për Dorëzimin e qumështit lëndë e parë, në vlerën 10 lekë/litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes (1051 aplikime). Masa nr. 3 për mbështetje në bletari (610 aplikime). Masa nr. 5 për Mbjelljen e ullinjve në vlerën 350 000 lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 250 000 lekë/ha, për format tradicionale (344 aplikime). Si dhe masa nr. 6. Përmirësimi i teknikave të ujitjes, nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullinj, me financim deri 250 000 lekë/ha (191 aplikime). Kriteret mbi të cilat bazohet ky vlerësim janë ato të trajtimit të barabartë të aplikantëve dhe zbatimit me rigorozitet të afateve dhe procedurave të akredituara.
Programi i Mbështetjes në Bujqësi, viti 2019, ka në fokus mbështetjen e fermerëve të vegjël dhe blegtorëve në veçanti, nëpërmjet pagesave direkte për të imëta të matrikuluara, për dorëzimin e qumështit lëndë e parë, në vlerën 10 lekë/litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes.
Si e shikoni zhvillimin e agroturizmit në Shqipëri? Si mund të nxiten më tepër?
Agroturizmi është kthyer në një motor zhvillimi ekonomik për zona shumë të thella bujqësore dhe blegtorale dhe më vjen mirë që politikat nxitëse dhe incentivuese janë të orientuara sipas kërkesës dhe nevojës së sipërmarrësve ruralë. Të dy programet që po implementojmë, IPARD dhe Programi i Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2019, mbështesin me financime diversifikimin e ekonomisë të zonave rurale.
Masa 7 e Programit IPARD ka si objektiv mbështetjen e investimeve në zonat rurale, me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e bizneseve që sjellin mundësi punësimi dhe përfshirje sociale. Nga thirrja e parë, kërkesa për fond është 9,3 milionë euro, çka tregon ndërgjegjësim të grupeve të interesit dhe kërkesën e lartë në investime që nxisin diversifikimin e zhvillimit të veprimtarive rurale dhe fermave shqiptare.
Duke parë trendin në rritje të turizmit në përgjithësi dhe kërkesat e posaçme të turistëve të huaj për aktivitete agroturistike ku turisti takohet me fermën, fermerin, bujtësin, eksploron shijen, mikpritjen, traditën dhe bukën e tokës shqiptare, fermerët dhe sipërmarrësit shqiptarë po kuptojnë potencialin që ka ky sektor për diversifikimin e aktiviteteve të biznesit, rrjedhimisht edhe për rritjen e të ardhurave.
Këtë mundësi të re financimi janë duke e shfrytëzuar shumë mirë fermat shqiptare, të cilat agroturizmin po e zhvillojnë si një veprimtari plotësuese të aktivitetit bujqësor. Kjo shikohet nga interesi që ata kanë, duke kërkuar të investojnë në disa aktivitete (ofrim ushqimi, akomodim, aktivitete sportive, ekoturizëm etj.).
Deri më tani, përvoja ka treguar se ndërthurja e këtyre aktiviteteve me bujqësinë është një element kyç për sukses në investimet në agroturizëm. Kështu, deri më tani janë mbështetur me grante konkretisht 14 investime në Agroturizëm dhe 4 Bujtina me vlerë financimi në total rreth 80 milionë lekë. Jemi krenarë për këtë pasi AZHBR, përveçse një institucion zbatues i politikave ka luajtur një rol nxitës për komunitetin, duke udhëhequr fermerët dhe sipërmarrësit ruralë drejt shembujve të suksesit në këtë sipërmarrje fitimprurëse.
A janë vërtet grantet të aksesueshme për të gjithë sipërmarrësit e sektorit? Si mund t’u përqasen fermerëve më të vegjël dhe më pak të informuar në një zonë të caktuar të Shqipërisë?
Programet zhvillohen përmes një diskutimi të gjerë me grupet e interesit, me ekspertë të fushës, specialistë, duke identifikuar nevojat që ka bujqësia dhe disponueshmërinë e programeve aktuale, të cilat mbështesin bujqësinë. Nëpërmjet diskutimeve me grupet e interesit si fermerë, agropërpunues, operatorë të agroturizmit etj., identifikohen nevojat për të cilat ka sektori, dhe hartohen pikat kryesore në të cilat do të zhvillohen masat e mbështetjes, duke pasur parasysh programet aktuale të mbështetjes (për të shmangur mbivendosjen e masave të mbështetjes) dhe disponueshmërinë e fondeve.
Dua të them se, me mundësinë e artë të fondeve në dispozicion, nga BE në shumën prej 94 milionë eurosh, Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze, në kuadër të projektit për shërbime mjedisore dhe fondet e Qeverisë Shqiptare nga skema kombëtare 2019, bujqësia shqiptare ka një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e saj.
Për t’i ardhur sa më pranë fermerit, përveçse mundësisë për aplikime me 0 dokumente, aplikime në portalin e-albania nëpërmjet kompjuterit personal, ngritjen e një call center me numrin jeshil 0800 8383, AZHBR ka përfunduar investimet dhe ngritjen e 20 Agropikave, dritareve të shërbimit ndaj fermerit, të cilat japin informacion mbi programet që implementohen nga Agjencia dhe mbështesin me dije mbi aksesin në finance apo me çdo informacion të vlefshëm për fermerin, për të gjithë ata që duan të aplikojnë.
Ne jemi përpjekur maksimalisht që të jemi të hapur dhe gjithëpërfshirës në adresimin e nevojave të fermerit, të flasim në gjuhë të thjeshtë dhe të qartë për mundësitë e mbështetjes, të rrisim besueshmërinë në procesin e aplikimeve duke qëndruar larg influencave politike dhe duke u fokusuar në administrim efektiv dhe transparent. Ndaj dhe në web-in tonë pasqyrohen të gjithë listat e përfituesve, sipas qarqeve dhe projekteve të mbështetura.
Sigurisht, sfida e vazhdueshme është që, pavarësisht vështirësive të fermës shqiptare, ne t’i krijojmë një qasje sa më efektive fermerëve dhe agropërpunuesve dhe ata të përthithin sa më shumë dhe sa më cilësisht fondet në dispozicion për të rritur konkurrueshmërinë, efektivitetin e aktiviteteve të tyre bujqësore dhe standardet e produkteve shqiptare.
Problematika
Fragmentimi i tokës bujqësore, problemet me certifikatat e pronësisë së tokës, mospërmbushja e kritereve të udhëzimit janë shkak hezitimi për të aplikuar në fondet e bujqësisë.
Mundësi
Me mundësinë e fondeve në dispozicion, nga BE në shumën prej 94 milionë eurosh, Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze, në kuadër të projektit për shërbime mjedisore dhe fondet e Qeverisë Shqiptare nga skema kombëtare 2019, bujqësia shqiptare ka një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e saj.
Fermerët e vegjël
Programi i Mbështetjes në Bujqësi, viti 2019, ka në fokus mbështetjen e fermerëve të vegjël dhe blegtorëve në veçanti, nëpërmjet pagesave direkte për të imëta të matrikuluara, për dorëzimin e qumështit lëndë e parë, në vlerën 10 lekë/litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes.
Thirrja e Parë IPARD
Nga 317 aplikime të ardhura në AZHBR, 188 kanë aplikuar për “Investime në fermë”, 65 për “Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale” dhe 64 për “Diversifikimin e fermës dhe zhvillimin e biznesit në zonat rurale”, me kërkesë për fond rreth 56 milionë euro. Buxheti i përgjithshëm që ne çelëm për këtë thirrje duke menduar se do të ishte i mjaftueshëm për thirrjen e parë, është 50.33 milionë eURO, nga të cilat 75% ose 37.74 milionë euro kontribut i BE dhe 25% ose 12.58 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.
Shifra
Aktualisht, janë kryer rreth 3281 aplikime në total, kërkesat më të larta janë për masën nr. 1. Për tufën bazë të matrikuluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1000 lekë/krerë (1071 aplikime).
Vijon me masën nr. 2. për Dorëzimin e qumështit lëndë e parë, në vlerën 10 lekë/litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes (1051 aplikime). Masa nr. 3 për mbështetje në bletari (610 aplikime). Masa nr. 5 për Mbjelljen e ullinjve në vlerën 350 000 lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 250 000 lekë/ha, për format tradicionale (344 aplikime). Si dhe masa nr. 6. Përmirësimi i teknikave të ujitjes, nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullinj, me financim deri 250 000 lekë/ha (191 aplikime).
Fondi i subvencioneve prej 5 milionë eurosh, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ofron afro 4 milionë euro për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit si dhe uljen e kostove të prodhimit nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikuluara, për dorëzimin e qumështit, açuget dhe sardelet e peshkuara, ndërsa një pjesë do të shkojë për mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
1 milion euro të tjera do të shkojnë si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, dhe do të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
DUTE MAR PJESE NENJE PROGRAM PEMETORESH