Programi i reformës ekonomike të Serbisë, i cili është mbështetur nga FMN që nga korriku 2018, do të mbyllet në fund të janarit.
Instrumenti i Koordinimit të Politikave (PCI) – i cili ofron këshilla për politikat, por pa financim nga FMN – e ndihmoi Serbinë për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe financiar dhe për të vazhduar reformat strukturore. Megjithëse programi kishte nevojë për disa rregullime, për shkak të pandemisë, ai i arriti objektivat e tij kryesorë.
FMN Country Focus u takua me Jan Kees Martijn, shefin e misionit të FMN-së për Serbinë dhe Sebastian Sosa, përfaqësuesin e përhershëm të FMN-së në Beograd, për të biseduar rreth programit dhe si e ka kaluar Serbia këtë kohë të vështirë.
Programi PCI i Serbisë po përfundon. Si e vlerësoni funksionimin e tij?
Martijn: Objektivat kryesorë të PCI-së ishin nxitja e rritjes gjithëpërfshirëse, ruajtja e stabilitetit financiar dhe ndihma e autoriteteve në zbatimin e reformave ambicioze strukturore, përfshirë edhe mbështetjen në përmirësimin e pozicionit fiskal. Programi ishte në rrugën e duhur derisa goditi COVID-19 dhe objektivat e programit duhej të rregulloheshin për të pasqyruar sfidat shtesë të shkaktuara nga pandemia. Pranverën e kaluar, fokusi i PCI-së u zhvendos në mbështetjen e ekonomisë gjatë krizës dhe administrimin e rreziqeve.
Sosa: Me mbështetjen tonë, Serbia zbatoi një përgjigje të gjerë politike për të adresuar efektet ekonomike dhe sociale të pandemisë. Paketa fiskale ishte ndër më të mëdhatë në Europën në zhvillim. Ajo përfshinte rritjen e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, subvencionet e pagave, transferime universale të parave dhe një skemë të garancisë shtetërore për hua bankare kundrejt Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Banka qendrore uli normën bazë të interesit, injektoi likuiditet në sistemin bankar dhe vendosi një moratorium mbi ripagimet e huasë bankare.
Në të njëjtën kohë, reformat për të forcuar qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore dhe për të zhvilluar tregjet e kapitalit u vonuan dhe punësimi publik dhe reformat e pagave publike nuk janë zbatuar ende. Por është bërë përparim i mirë në modernizimin e administratës tatimore, forcimin e kornizave të investimeve publike dhe monitorimin dhe administrimin e rreziqeve fiskale, megjithëse nevojiten përpjekje të mëtejshme.
Serbia ka pasur një nga tkurrjet ekonomike më të ulëta në Europë në vitin 2020. Cilat janë arsyet?
Sosa: Një vlerësim i fundit nga autoritetet e ka përcaktuar tkurrjen e PBB-së reale në vitin 2020, në vetëm 1.1%. Kjo tkurrje më e vogël pasqyron disa faktorë. Së pari, ishte vrulli i fortë i rritjes përpara krizës, 5.2% në tremujorin e parë të vitit 2020 krahasuar me të njëjtin tremujor në vitin 2019. Së dyti, struktura e ekonomisë, me një varësi të ulët në sektorë me kontakt të lartë, si turizmi dhe një pjesë relativisht e madhe e bujqësisë dhe industrive të lidhura me ushqimin, të cilat u prekën më pak nga pandemia. Së fundmi, përgjigjja thelbësore e politikës, e cila ka mbështetur bizneset dhe vendet e punës.
Pavarësisht nga rënia relativisht më e ulët e aktivitetit ekonomik, ndikimi i pandemisë ka qenë i konsiderueshëm, dhe PBB-ja reale në vitin 2022 pritet të jetë 4% më e ulët se parashikimet para COVID-19.
Serbia ishte një nga vendet e pakta të Ballkanit që nuk kërkoi ndihmë financiare nga FMN-ja gjatë pandemisë COVID-19. Pse?
Sosa: Kostoja e reagimit fiskal ndaj krizës, shoqëruar me rënien e të ardhurave, për shkak të uljes së aktivitetit, e çoi deficitin fiskal në gati 9% të PBB-së në vitin 2020. Sidoqoftë, Serbia arriti të përmbushë nevojat më të mëdha të financimit në tregun e obligacioneve, si të jashtëm, edhe lokal.
Pas një periudhe të shkurtër të shtrëngimit të kushteve të financimit në prill, Serbia ishte në gjendje të kthehej në tregjet ndërkombëtare në fillim të majit, duke emetuar një eurobond prej 2 miliardë eurosh. Në dhjetor, një Eurobond 10-vjeçar me vlerë 1.2 miliardë dollarë u emetua me sukses me një rendiment relativisht të ulët.
Etja e bankave lokale për letrat me vlerë të qeverisë është rikuperuar që nga maji dhe institucionet financiare ndërkombëtare përveç FMN-së, kanë ofruar financime të konsiderueshme dhe hua dypalëshe. Nga një perspektivë e jashtme, nevojat e bilancit të pagesave të Serbisë kanë qëndruar të menaxhueshme, pavarësisht nga tkurrja e mprehtë e remitancave dhe Investimeve të Huaja Direkte. Rezervat e huaja, kanë mbetur kryesisht të qëndrueshme në vitin 2020.
Cilat janë sfidat kryesore ekonomike të Serbisë në vijim?
Martijn: Sfida kryesore është të mbështetet një rimëkëmbje e fortë ekonomike në vitin 2021, kur shumica e masave anti-krizë do të kenë skaduar. Gjithashtu, pasiguria në lidhje me rrjedhën e pandemisë dhe efektet e vonuara që ajo mund të ketë shkaktuar në shëndetin financiar të firmave dhe familjeve, mbetet shumë e lartë dhe mund të jenë të nevojshme politika shtesë për të mbështetur ekonominë dhe grupet në nevojë.
Ndërkohë, reformat strukturore duhet të përshpejtohen për ta shndërruar Serbinë në një ekonomi tregu dinamike, të drejtuar nga sektori privat. Kjo gjithashtu do të ndihmojë në përgatitjen e Serbisë për t’u bashkuar me sukses në tregun e përbashkët të BE-së, një ambicie e kahershme e autoriteteve. Përmirësimi i cilësisë së institucioneve dhe qeverisjes, që përfshin ndërmarrje shtetërore të qeverisura dhe të menaxhuara mirë, është përparësi. Adresimi i mëtejshëm i boshllëqeve të infrastrukturës së Serbisë do të ndihmonte për të nxitur konkurrencën, investimet e huaja dhe integrimin në zinxhirët rajonalë dhe globalë.
Lufta kundër informalitetit do të lehtësonte kryerjen e biznesit, duke gjeneruar gjithashtu të ardhura më të larta fiskale. Së fundmi, forcimi i angazhimit për të luftuar korrupsionin, për të rritur sundimin e ligjit dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor, do të përmirësonte klimën e biznesit dhe do të nxiste rritjen ekonomike afatgjatë.
A do të mbetet e angazhuar FMN-ja pas përfundimit të PCI-së aktuale?
Martijn: Autoritetet serbe kanë shprehur interes në një program të ri të FMN-së dhe e kanë bërë të qartë se nuk kanë nevojë për financim nga FMN-ja. Prandaj, mund të ketë një PCI pasardhës, i cili mund të ndihmojë Serbinë gjatë rimëkëmbjes nga pandemia. Një program i tillë do të mbështeste vazhdimin e politikave për të forcuar stabilitetin makroekonomik dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, duke vazhduar zbatimin e reformave strukturore dhe institucionale.
Një PCI i ri do të kërkonte jo vetëm marrëveshje mbi politikat fiskale, monetare dhe financiare, por edhe një axhendë ambicioze reformash që mund të miratohet dhe të mbështetet nga FMN-ja. Fondi gjithashtu do të mbetet i angazhuar nëpërmjet sigurimit të ndihmës teknike në shumë fusha, përfshirë reformën e administratës tatimore, menaxhimin e financave publike dhe statistikat fiskale.