Programi i rindërtimit, hapet tenderi për ndërtimin e banesave, fondi limit 42.4 milionë euro

10/03/2020 1:49 PM 0 komente

Qeveria ka hapur këtë të martë procedurën e parë për rindërtimin e banesave individuale për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Pranë Agjencisë së Prokurimit Publik çel procedura me objekt kontrate “Rindërtimi i shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti (ne kuadër te procesit te rindërtimit)” me një fond limit prej 42.4 milionë euro ashtu sikurse ishte paralajmëruar javën e shkuar. Këtë procedurë e ka hapur Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërkohë që fondi në total për banesat është më i lartë por një pjesë e tij do të menaxhohet nga Bashkia e Tiranës si autoritetit kontraktor.

Referuar dokumenteve zyrtare detajohen modelet që do të kenë shtëpitë të cilat do të jenë individuale me një kat dhe me hapësirë deri në 2+1 sipas numrit të anëtarëve të familjeve.

“Projekti për rindërtimin e shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti bazohet në tre modele me kosto të ulët dhe efiçencë energjie. Këto modele janë të trajtuara në formën e moduleve me lirshmëri kompozicionale në vetëvete dhe në raport me kontekstin. Duke marrë në konsideratë vendosjen e tyre në kompozime të ndryshme lidhur me hapësira publike apo shërbime.

Organizimi i planimetrisë është i trajtuar në formë modulare në mënyrë që mund të shumëfishohet apo zgjerohet në mënyrë logjike me dhoma apo hapësira shtesë sipas nevojës. Tipologjitë e shtëpive model janë të qëndrueshme dhe ofrojnë komoditet optimal jetese për banorët, ndërkohë që sigurojnë jetëgjatësi të ndërtesës.

Shtëpitë aksesohen nga fasada kryesore e cila është e orientuar nga rruga e cila lidh këto module me njëra tjetrën dhe pjesën tjetër të zonës. Përpos oborrit të përparmë, shtëpitë kanë edhe një oborr të pasmë i cili aksesohet në mënyrë direkte nga ambientet e brendshme. Ky oborr lidhet me një kopsht individual i cili do të përdoret për prodhim bujqësor.

Pas ndërtimit të secilit objekt do të realizohet plansistemimi i oborrit rrethues dhe kopshtit bujqësor, me ambjente të gjelbëruara, shtrim me materiale natyrore dhe infrastrukturën e nevojshme bujqësore” thuhet në dokument.

STRUKTURA E PËRGJITHSHME DHE SPECIFIKIME

“Objektet janë njëkatëshe. Kuota 0.00 e shtëpisë është 50 cm e ngritur nga niveli i tokës dhe është e mbështetur mbi një strukturë betoni të përforcuar të spostuar 20 cm nga gjurma e ndërtesës. Për të arritur nje efikasitet në energji dhe kosto, por gjithashtu edhe shpejtësi në ndërtim për një afat kohor të shkurtër, për këto modele është përdorur konstruksion metalik parafabrikatë.

Ky lloj ndërtimi është fleksibël dhe i lehtë, si rrjedhojë ofron siguri ndaj tërmeteve të shkallës së parë. Prodhimi i tyre bëhet në përputhje me kushtet klimatike të zones. Struktura përbëhet nga profile çeliku të galvanizuara me densitet të lartë. Kolonat me profil ‘H’ kanë një hap përsëritje maksimal prej 125 cm dhe lartësi 280 cm. Elementët e çelikut trajtohen me një shtresë ‘primer’ dhe bojë vaji.

Muret e jashtme kanë një trashësi prej 10 cm me përbërje prej 2 panelesh fibër-çimento (1cm) dhe termoizolim EPS me trashësi 8cm. Muret e brendshëm janë 6 cm, nga dy panele fibër-çimento (1cm), me mbushje polisteroli 4.4 cm midis. Muret propozohet të jenë me panele standarte me teksturë guri për ato të jashtmet dhe të lyer me bojë për ato të brendshme. Çatia është sistem kapriatë çeliku me intervale 125 cm dhe pjerrësi 25 gradë. Për mbulesën përdoret

fletë e valëzuar prej çeliku të galvanizuar me trashësi 0.45 cm.

Dera e jashtme është metalike me përmasa 95×220 cm. Dyert e brendshme janë druri dhe me përmasa 90×220 cm dhe 85×220 për tualetin. Dritaret janë material PVC dhe janë menduar të tre llojeve të cilat janë shumëfish të njëratjetrës, 60×60 cm për tualetin dhe 60×150 cm, 120×150 cm për pjesën tjetër të shtëpisë. Orientimi i tyre mundëson ventilim të tërthortë dhe redukton urat termike për të rritur komoditetin termik. Janë përdorur dritare termike me dopioxham dhe kanatë hijëzues për mbrojtjen nga dielli. Instalimet për ngrohje/ftohje janë me sistem multi-split”

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of