Bashkimi Europian, përmes programit IPARD II, do të mbështesë Shqipërinë me të paktën 71 milionë euro. Qeveria shqiptare duhet që të ofrojnë të paktën 25% të kësaj shume, duke e çuar fondin total në 94 milionë euro të dedikuara për bujqësinë dhe zhvillimin rural, që do të shpërndahen në mënyrë graduale në disa vite.
Ministria e Bujqësisë bëri me dje se ndërhyrja përmes IPARD është menduar në dy faza, duke detajuar edhe karakteristiken që ka secila nga katër masat e këtij programi.
Katër masa në program, Shqipëria përfiton vetëm nga tre
Në masën e parë, ku bën pjesë mbështetja e investimeve në fermë janë parashikuar të shkojnë 31.4 milionë euro. “Kjo masë do të fokusohet në sektorët që kërkojnë investime të konsiderueshme për arritjen e standardeve të BE-së, si sektorët primarë të qumështit, mishit, fruta -perimeve dhe vreshtarisë. Masa e investimit fillon nga 10 mijë euro dhe përfundon në 500 mijë euro dhe mbështetja shkon deri në 60% të këtij investimi, por në zonat malore mund të shkojë dhe në 70% të investimeve në fermë. Kjo pjesë mbulohet me grant nga ky program”, sqaron Ministria e Bujqësisë.
Në masën e dytë janë investimet në përpunim, në industrinë e qumështit, mishit, sektorit të fruta –perimeve, apo të verërave. Fondi i parashikuar për këtë masë kap vlerën 26 milionë e 500 mijë euro. Për aplikuesit që do të përmbushin kriteret financimi mund të arrijë deri në 50% të investimit, por nuk mund të kalojë më shumë se 2 milionë euro. Kjo sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i shërben edhe mbështetjes së ekonomive të tjera, jobujqësore që zhvillohen në fshat.
Masa e tretë ka një fond prej 11 milionë eurosh dhe synon diversifikimin e fermës dhe zhvillimit të biznesit. Kjo masë synon mbështetjen për aktivet afatgjata që nevojiten për diversifikimin dhe rritjen e të ardhurave të fermave. Masa e katërt për të cilën Shqipëria nuk ka marrë ende miratimin parashikon dhënien e asistencës teknike dhe fondi i dedikuar për këtë pjesë është 2.4 milionë euro.
Ministria dhe AZHBR, gati të nisin trajnimet me fermerët
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri me dije se në kushtet kur pritet që aplikimet për programin IPARD të çelen në pranverë të këtij viti, gjatë muajit shkurt do të nisin edhe trajnimet me stafet dhe fermerët. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural do të jetë edhe institucioni kyç përgjegjës për menaxhimin.
“Në gjithë vendin do të jenë 36 pika ku mund të aplikohet, të asistohesh apo të kërkosh informacion. Pesë Agropika, zyrat e AZHBR, drejtoritë bujqësore në çdo ish-rreth të gjitha do të kenë informacionin e nevojshëm për çdo fermer në mënyrë që të kuptojnë detajet e aplikimit “sqaron ministria”. Një nga elementet më të rëndësishme të të gjithë aplikimit pritet që të jetë plani i biznesit që do t’ju paraqitet institucioneve. Këto plane duhet të jenë të gjithë të hartuar në mënyrë profesionale dhe të besueshme, duke bërë të mundur edhe miratimin e pjesës së mbështetjes.
Sistemi i Informacionit Bujqësor, ende vetëm në letër
Qeveria duket se është ende në fazën e kërkimit të asistencës për krijimin dhe bërjen funksional të sistemit të informacionit bujqësor. Ky do të jetë një sistem që ishte parashikuar të bëhej me mbështetje të qeverisë italiane, por që progresi i deritanishëm, sipas Dikasterit të Bujqësisë, është ende i vogël. Sistemi është i nevojshëm në kushtet e zbatimit të programit IPARD, por edhe skemave të tjera mbështetëse që aplikohen në sektor. Pa ndonjë përparim domethënës mbetet edhe rrjeti i të dhënave për kontabilitetin e fermave
Mbështetja duhet të ecë paralelisht me ujitjen dhe masat kundër përmbytjes
Mbështetja dhe zhvillimi i bujqësisë duhet që të ecë paralelisht edhe me disa aspekte të tjera siç është zhvillimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe marrjen e masave kundër përmbytjeve. Në këto kushte, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar asistencë për dy aspekte. Së pari ujitja.
“Megjithëse në 3 vitet e fundit, kemi arritur të dyfishojmë sipërfaqen me infrastrukture ujitëse të rehabilituar, kemi ende nevojë për shtimin e përmirësimin e sipërfaqes dhe modernizimin e ujitjes (nga 225 mije ha aktualisht në 360 mije ha potencialisht e ujitshme). Asistenca e kërkuar konsiston në rritjen e kapacitetit ujitës të rezervuarëve dhe përmirësimi i sigurisë së digave të tyre, që për shkak të investimeve dhe mirëmbajtjes së kufizuar, gjendja e tyre paraqitet problematike” sqaron Ministria.
Nga ana tjetër, është kërkuar asistencë për të parandaluar apo për të minimizuar pjesën e përmbytjeve. “Fenomenet e përmbytjes nga lumenjtë në 10-vjeçarin e fundit janë bërë më të shpeshta dhe gjeografia e tyre është zgjeruar. Po kështu, dëmet nga përmbytjet janë të konsiderueshme dhe të papërballueshme nga buxheti i shtetit. Asistenca e kërkuar konsiston në marrjen e masave parandaluese për minimizimin e pasojave dhe dikton nevojën e studimeve të fizibilitetit, hartimin e projekteve të zbatimit dhe kryerjen e investimeve në veprat e mbrojtjes nga përmbytjet”, pohon ministria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.