Programi IPARD/ Thirrja e 3-të, AZHBR hap garën e konsulencës teknike për vlerësimin e dosjeve të aplikuara

14/04/2021 4:21 PM 0 komente

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) hap garën për ofrim të shërbimit të konsulencës teknike për dosjet që kanë aplikuar për thirrjen e tretë të programit IPARD II.

Shërbimi i konsulencës nga ekspertë të pavarur, si: inxhinierë mjedisi, informatike, izoteknike, ndërtimi, kimist teknolog , etj do t’i ofrohet Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve një organ i pavarur në Drejtorinë e Përzgjedhjes dhe Aprovimit të Projekteve (DPAP) i cili ka për qëllim vlerësimin e çmimit të arsyeshëm për zëra/pajisje të përfshirë në ofertat e paraqitura nga aplikanti. Objekti kryesor i punës së Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve konsiston në konsulencë teknike për dosjet e masave IPARD, që kanë aplikuar për Thirrjen e 3 -të.

Konsulencë nga ekspertët e jashtëm do të jetë për aplikimet për Masën 1: Investime në asete fizike në fermat bujqësore dhe Masa 3: Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit nga hapja e thirrjes të 3-të të programit IPARD II. Kompanitë e interesuara kanë afat për aplikim deri më 26 prill 2021. Fondi i vënë në dispozicion për prokurimin është 6 milion lekë.

Aplikimet për thirrjen e 3-të të programit nisën më 10 dhjetor dhe përfunduan më 25 prill 2021. Udhëzimi përcaktonte se thirrja e III për aplikime ishte e hapur për prodhuesit e qumështit, mishit, fruta-perimeve dhe vreshtarisë dhe për investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” vetëm në sektorin e fruta-perimeve.

Buxheti për masën e parë në total është 25,1 milion euro. Nën Masën 1 totali i shpenzimeve të pranueshme për të cilat ndihma e kërkuar do të jetë në kufijtë minimal është 10 mijë euro dhe maksimal 500 mijë euro. Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë, nuk duhet ta kalojë vlerën prej 1,5 milion euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit. Nga totali i shumës së kontributit Evropian të akorduar në këtë masë për traktorë, maksimumi i shpenzimeve do të jetë 20%. Përqindja e mbështetjes publike është deri në 60% të totalit të kostove të pranueshme të investimit; deri në 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç në datën e marrjes së vendimit për dhënien e mbështetjes); deri në 70% për investimet në zona malore, ku 100% e investimit duhet të jetë ne zonë malore, edhe në rastet kur aplikanti është nën 40 vjeç.

Buxheti për masën 3 në total është 7,6 milion euro. Nën Masën 3 totali i shpenzimeve të pranueshme për të cilat ndihma e kërkuar do të jetë në kufijtë minimal është 25 mijë euro dhe maksimal 2 milion euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of