Projektbuxheti 2014: Deficiti 6.9% e PBB, shlyerje e borxheve ndaj biznesit 39 miliardë lekë

13/12/2013 3:41 PM 0 komente

Buxheti larg të qenit konservator; parashikohet rritje e lartë e të ardhurave, por dhe me më shumë shpenzime korente, ndërkohë që investimet kapitale janë në rënie. Pozitive shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit. ..

Ministria e Financave ka hartuar projektbuxhetin 2014, që pritet të kalojë sot në qeveri. Sipas tabelave të projektbuxhetit, totali i të ardhurave parashikohet të jetë rreth 364 miliardë lekë, me një rritje prej 13%, apo 42 miliardë lekë, në raport me buxhetin e rishikuar 2013.

Të ardhurat nga TVSH pritet të rritet në vlerë absolute me 11%, ato nga tatim fitimi me 50% dhe nga akciza me 36.5%, në raport me buxhetin e rishikuar 2013. Kjo është një tendencë kejt e ndrhsme nga 2013-a, kur këta zëra kryesorë në buxhet shënuan një performancë negative. Parashikimi në shtimin e të ardhurave nga tatim fitimi e akciza ndihmohet dhe nga rritja përkatëse e taksave, ku tatim fitimi për bizneset e mëdha pritet të bëhet 15% nga 10 aktualisht dhe akcizat për një sërë produktesh do të rriten.

Tatimi mbi të ardhurat personale pritet të shënojë rënie me rreth 6%.

Totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë 459.5 miliardë lekë, me një rritje prej 54 miliardë lekë, apo 13%.

Ndikimin kryesor në rritjen e shpenzimeve e ka parashikimi i një zëri të ri, ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura me një vlerë prej 39 miliardë lekësh, nga i cili 12 miliardë lekë do të jenë detyrime të infrastrukturës dhe 22.8 miliardë lekë detyrime të tjera.

Por në rritje parashikohen dhe shpenzimet korente me 17 miliardë lekë, apo 5%, si dhe shpenzimet për sigurime shoqërore e shëndetësore me një zgjerim prej 8.1 miliardë lekë, apo 6.4%.

Një zë i rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë, ai i shpenzimeve kapitale pritet të jetë 70 miliardë lekë, më i ulëti i viteve të fundit dhe me një tkurrje prej rreth 4 miliardë lekë në raport me buxhetin e rishikuar 2013.

Në kushtet kur shpenzimet pritet të rriten më shumë se të ardhurat, edhe deficiti buxhetor parashikohet të jetë 12 miliardë lekë, apo 14% më i lartë se ai i një viti më parë, duke arritur në 6.9% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga kjo 2.8% e PBB-së e përbën zëri për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke bërë që deficiti, përjashtuar detyrimet ndaj biznesit të jetë 4.1% e PBB-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of