Me buxhetin e ardhshëm parashikohet të financohen 12,8 miliardë lekë apo rreth 122,5 milionë euro për transportin rrugor .
Në total, me buxhetin e këtij viti për ndërtimin e rrugëve me financim të brendshëm dhe të huaj ishin planifikuar 16,9 miliardë lekë. Buxheti i ardhshëm parashikon 24% fonde më pak për ndërtimin e rrugëve se buxheti 2023.
Totali i fondit për ndërtim dhe sistemim rrugësh me financim të brendshëm të buxhetit pritet të jenë 10,3 miliardë lekë për 2024. Referuar listës së projekteve të investimeve publike me financim të brendshëm të periudhës 2024-2026, që shoqërojnë projektbuxhetin 2024, fondet e pritshme për disbursim janë 14,5% më pak se plani i buxhetit të këtij viti.
50% të fondeve të planifikuara me financim të brendshëm do të shkojnë për vazhdimin e projektit të tunelit të Llogarasë. Vlera totale e projektit llogaritet 20,4 miliardë lekë.
Projekti nisi në 2021 dhe deri më 31 dhjetor 2023, vlera e financimit arrin 6,1 miliardë lekë. Për 2024 parashikohen të disbursohen 5,1 miliardë lekë. Ndërsa për vitin e fundit të projektit në 2025 parashikohen të financohen 2 miliardë lekë.
Rreth 800 milionë lekë parashikohen të shpenzohen për financimin e projektit të për Unazën e Re të Tiranës që përfshin lote ndërtimi dhe rehabilitimi.
Ndërsa për rrugën Kardhiq-Delvinë, konkretisht për shtesë punimesh në lotin 4 dhe për sistemimin dhe rivitalizimin e lotit 8 parashikohen të investohen rreth 180 milionë lekë për 2024.
Për projektin Korçë-Ersekë për 2024 parashikohet të hapet projekti i ri për modifikim kontrate për pjesën e dytë të Lotit 2, me vlerë 104 milionë lekë. Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë nisi më 2022 dhe parashikohet të mbyllet më 2026. Vlera totale e projektit arrin 2,5 miliardë lekë.
Nga buxheti i shtetit me financim të huaj për 2024 totali i fondit të parashikuar për transportin rrugor janë 2,4 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e fondit do të shkojë për financimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Do të jenë 1,7 miliardë lekë kredi nga Fondi Saudit për Zhvillim që vihen në dispozicion për vazhdimin e projektit për 2024.
Rruga, e cila nisi që në vitin 2009 dhe me rishikimin e projektit duhet të përfundonte në vitin 2019, parashikohet të përfundojë pas 2 vitesh. Afatet për përfundimin e këtij aksi janë shtyrë disa herë. Projekti parashikohet të përfundojë më 2026.
Për dy seksionet e rrugës 1 dhe 2 që janë financuar nga IsDB, siç pohoi më herët ARRSH janë në vlerën e 168 mln USD. Në fund të 2022 u miratua marrëveshjen për huasë shtesë me vlerë 49 milionë USD nga Fondi Saudit për Zhvillim, duke e çuar në 217 milionë USD faturën për ndërtimin e këtij aksi./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.