Qeveria shqiptare do të duhet të aplikojë deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti për të përfituar grante financimi nga Western Balkan Investment Framework, strukturë e ngritur nga Komisioni Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nga një rishikim i ecurisë së projekteve nga kjo strukturë është përcaktuar se Shqipëria do të duhet të nisë në gjysmën e parë të vitit 2017 projektet në infrastrukturën hekurudhore që kanë të bëjnë me ndërlidhjen e atij që njihet si Korridori i Mesdheut. Përmes tij do të realizohet lidhja mes gadishullit Iberik dhe kufirit hungarezo – ukrainas. Zgjatimi i tij përmes Korridorit 8 parashikon seksionin hekurudhor Tiranë – Durrës, që lidh Maqedoninë me portin më të madh të Shqipërisë dhe detin Adriatik.
Ecuria e këtyre projekteve pritet të diskutohet edhe në takimin e 15-të të Komitetit që do të zhvillohet në 15 dhjetor në Londër.
WBIF nënvizon se projekti hekurudhor i Shqipërisë që ka fituar të drejtën të financohet nga ky komitet është në fazën e detajimit të projektit, ndërkohë që po bëhen gati dokumentet e tenderimit, proces i cili është në fazën e tij të fundit. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka shprehur gadishmërinë për të financuar këtë projekt, në masën më të madhe ndërsa duhet që edhe qeveria shqiptare të bëjë pjesën e saj dhe të sigurojë një pjesë të fondit të ndërtimit që për gjithë seksionin Tiranë – Durrës – Rinas llogaritet në rreth 11 milionë euro.
I gjithë projekti duhet të nisë në mesin e vitit 2017 dhe të përfundojë në 2019-ën. Kredia nga BERZH do të jepet për një periudhë 15 vjeçare. Gjatë fazën së ndërtimit dhe zbatimit parashikohet të hapen 1,375 vende të reja pune. Përfitimet nga reduktimi i kohës së udhëtimit do ët jetë rreth 55 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.