Projektet koncesionare të filtrohen nga organizmat shkencorë

11/12/2018 3:46 PM 0 komente

Përndryshe, një kosto e lartë e paparashikueshme do të jetë e pashmangshme, përpos faktit që kontestues joprofesionistë (në shumicën e rasteve analistë politikë) do të gjenden me shumicë, që në vend që t’i bëjnë mirë procesit dhe interesit publik, e rëndojnë atë padrejtësisht.

Nga Dr. Eng. Faruk KABA*

 

(Ky shkrim bëhet në vëmendje të qeverisë shqiptare, respektivisht Ministrisë së Arsimit, si reagim ndaj raportit të përgatitur prej saj “Strategjia Kombëtare e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit 2017-2022”, por edhe në mungesë të plotë ndaj sugjerimeve të bëra nga dy Kongrese të Rrugëve, të mbajtur në Tiranë, në vitet 2012 dhe 2015 për të njëjtën temë: nevojën e ngritjes së strukturave kërkimore shkencore si premisë themelore për zhvillimin e vendit. Së fundi, shkrimi bëhet edhe në përgjigje të një debati krejt jo produktiv dhe inkompetent në shumicën dërmuese të rasteve lidhur me projektet koncesionare të tipit PPP, që së fundmi ka gjeneruar qeveria)

 

Çështja e shkencës dhe kërkimit shkencor kudo në botë është kthyer në një çështje jetike, pa të cilat nuk ka zhvillim, nuk ka progres, nuk ka mirëqenie. Duke qenë se inxhinieria dhe në veçanti Konsulenca inxhinierike, në aktivitetin e saj presupozon dhe kontribuon me kërkimin shkencor, ajo e shikon veten kurdoherë të përfshirë në debatin dhe në të gjitha prognozat apo strategjitë për shkencën dhe kërkimin shkencor.

“Në kushtet e ekonomisë së sotme globale, inovacioni besohet se është burimi themelor i pasurisë brenda një ekonomie” – citohet në raportin “Strategjia Kombëtare e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit 2017-2022” – përgatitur nga Ministria e Arsimit. Studimi, në thelb, merr në konsideratë shumë elemente progresive, që përputhen qartazi me synimin për riorganizimin e kërkimit shkencor dhe financimin e tij mbi koncepte moderne dhe që mund të gjenerojë zhvillime të rëndësishme në projektimin e shkencës dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.

Por a përkon studimi i kësaj strategjie, demonstrimet e këtij raporti zyrtar shtetëror, vlerësimet dhe konkluzionet e tij me atë çfarë në fakt shohim të zbatuar dhe me atë çfarë, në fakt, paraqet realiteti shqiptar?
Përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetje, le të shohim si ka qenë dhe si është trendi i zhvillimeve të shkencës në botë, veçanërisht në vendet e përparuara nga të cilët duhet edhe të marrim këtë eksperiencë.

Financimi i shkencës sot në vendet e zhvilluara është në masën mbi 3% të PBB-së: SHBA, Japonia, Gjermania, Suedia, Franca, Anglia, Koreja e Jugut, Izraeli etj., investojnë 3.5% deri 4% të PPB-së për shkencën dhe kërkimin shkencor. Ky investim rrit në mënyrë eksponenciale prodhimin dhe të mirat materiale.

 

Investimi shqiptar për shkenën, i harruar

Për fat të keq, por pse të mos e themi qartazi dhe me kurajë edhe për paaftësi tonën, Shqipëria është ndër vendet ku investimi për shkencën pothuaj është “harruar”: me vetëm 0.16% të PBB-së (mesatarja botërore 2.09%), ajo renditet ndër vendet e fundit në botë, e 193-ta(!). Kjo situatë me shkencën dhe kërkimin shkencor, herët a vonë do të reflektojë, me shenja negative në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Një mendje e ndritur ka thënë edhe “që të kursesh investimet për shkencën është njësoj si të ndalësh orën dhe të mendosh se po kursen kohën”.

Që në fillimet e zhvillimit të kapitalizmit u kuptua se në konkurrencën e ashpër të sistemit, vetëm rritja e rendimentit, që nënkuptonte zhvillimin e teknologjisë dhe më tej zhvillimin dhe investimin në kërkim shkencor, bënte të mundur uljen e kostove të prodhimit dhe respektivisht, rritjen e fitimit dhe avantazhin ndaj rivaleve. Sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, kjo u pa si e vetmja alternativë për mbijetesë në një mjedis të ashpër konkurrence, pra zhvillimi i teknologjisë dhe novacionit. Këtë e kanë kuptuar që nga kompanitë me përmasa më modeste, shumica e të cilave nuk ishin në gjendje të financonin shkencën dhe teknologjinë deri në korporatat e mëdha.

Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, në shumë vende, madje edhe të zhvilluara, lindi nevoja e një ridimensionimi dhe e një mënyre tjetër menaxhimi të kërkimit shkencor. Modeli më elokuent është ai i Belgjikës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria belge vendosi të krijojë një instrument për të përshpejtuar novacionin dhe kërkimin shkencor në industri. U pa qartë që zhvillime të reja do të përfshinin ekonominë botërore dhe këtu nuk kishte më vend për teknologji të prapambetura, për mungesë perspektive në teknologji dhe novacion. Në vitin 1946, një ministër i Teknologjisë dhe Novacionit të këtij vendi, mblodhi njerëzit më të ditur, si dhe prodhuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve më kryesore të vendit, për të diskutuar mbi nevojat e modernizimit të vendit.

Në konkluzionet e arritura, të gjithë ishin të një mendje që modernizimi i vendit do të mund të bëhej realitet vetëm nëpërmjet mbështetjes në shkencën dhe teknologjinë e zhvilluar dhe kjo, nëpërmjet ngritjes së strukturave kërkimore shkencore të mirorganizuara. Por shteti belg nuk kishte burime të mjaftueshme financiare për të subvencionuar kërkimin shkencor – u tha në takim. Çfarë duhej bërë? Duheshin gjetur rrugë të reja, burime të reja financimi.

Pas debateve, polemikave, kundërshtimeve u ra dakord së fundi që financimi i shkencës dhe kërkimit shkencor të mund të kryhej vetëm duke bashkëpunuar me biznesin, duke e bindur atë që të marrë pjesë në financimin e shkencës dhe teknologjisë në të mirë të tij. Kjo do të mund të arrihej duke vendosur një tarifë gati simbolike në kontratat e projektet sipas fushave, ku kërkohej ky zhvillim teknologjiko- shkencor.

Pas një pune bindëse dhe në mirëkuptim me bizneset, u lëshua një Dekretligj, në bazë të të cilit, bizneset e shumicës së industrisë belge, si ajo e çelikut, mekanikës, prodhimit të makinave dhe makinerive, drurit, qeramikës, çimentos, ndërtimit, energjisë elektrike, përpunimit të metalit, metalurgjisë, gazit, tekstilit, qelqit etj., bashkërenduan interesat dhe ranë dakord në ngritjen e qendrave kërkimore shkencore.

Qendra të tilla, bazuar në këto principe u ngritën në këtë vend edhe në shumë fusha të tjera të aktivitetit ekonomik. Ato edhe sot, pas shumë dekadash, funksionojnë me sukses dhe janë të grupuara në Unionin e Kolektivave të Qendrave Kërkimore (Union of Collective Research Centres – UCRC). Për atë fazë të zhvillimit të këtij vendi kur u ngritën këto qendra kërkimore, për rrethanat specifike të pasluftës dhe të stadit të zhvillimit të ekonomisë së asaj kohe, kjo formë ka qenë jashtëzakonisht inteligjente, racionale dhe frytdhënëse.

 

Kërkimi shkencor sot është primar

Në ditët e sotme, vetë faza e zhvillimit të kapitalizmit dhe sidomos globalizimi masiv i ekonomisë botërore ka bërë që veçanërisht nga grupimet e mëdha ekonomike, korporata, konsorciume etj., kërkimi shkencor të jetë primar dhe jetësor për vetë ekzistencën e tyre. Ato financojnë këtë kërkim në interesin e tyre. Vetë fakti që në vendet më të zhvilluara financohet për shkencën në masën mbi 3-4% të PBB-së është shumë domethënës. Ky investim rrit në mënyrë eksponenciale prodhimin, forcën ekonomike të këtyre grupimeve dhe të ekonomisë së vendit ku bëjnë pjesë dhe respektivisht të mirat materiale.

Në vendin tonë, me një ekonomi ende shumë të dobët, me specifikën që vetëm dy dekada më parë kishim një ekonomi të përqendruar, praktikisht të dështuar dhe tashmë jemi të përfshirë në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë, duke qenë relativisht në fazat e para të kësaj ekonomie, natyrshëm mungojnë strukturat e mëdha prodhuese dhe financimi i shkencës dhe kërkimit shkencor nëpërmjet kontributit të këtyre gjigantëve ende nuk është i mundur. Në këto rrethana ka vetëm një alternativë: nën mbikëqyrjen e shtetit dhe me nismën e tij të mbështetet ideja e krijimit të buxheteve për shkencën dhe kërkimin shkencor nga strukturat ekonomike ekzistuese, të mëdha apo të vogla.

Shumatorja e kontributit modest të tyre, duke u mbështetur nga një legjislacion adekuat, mund të bëjë të mundur ngritjen dhe funksionimin e strukturave kërkimore shkencore në interes të prodhimit dhe jo shkencë për shkencë. Për fat të keq, ende në Shqipëri, ndoshta edhe si reminishencë e së kaluarës, shkenca dhe kërkimi shkencor konsiderohen si monopol i strukturave akademike, universitare gjithashtu, dhe nuk kuptohet që ky element i progresit teknik dhe shoqëror është kërkesë dhe nevojë zhvillimi kudo ku ka prodhim, madje, nga pikëpamja ekonomike pikërisht në fushat e prodhimit, shkenca dhe kërkimi shkencor janë më të rëndësishëm.

Po të shtohet këtu edhe fakti, që për financimin e shkencës ekzistojnë edhe përvoja dhe formula që e bëjnë të mundur këtë financim, pa përdorimin e financave publike, por me kontrollin e plotë të shtetit, zgjidhja e kësaj çështje me rëndësi kombëtare bëhet plotësisht më e thjeshtë dhe plotësisht e mundur.

Sipas kësaj mundësie, shteti nuk financon vetë qendrat kërkimore-shkencore të karakterit aplikativ të prodhimit, por janë vetë bizneset, që bashkojnë interesat e tyre dhe financojnë këto institucione kërkimore. Nga një tarifë pothuaj simbolike (rreth 1% mbi çdo kontratë publike apo private) mundësohet krijimi i buxheteve të mjaftueshme për financimin e kërkimit shkencor në çdo fushë ku aktiviteti i përgjithshëm ekonomik është në përmasa të tilla, që nga kjo tarifë krijon buxhete të mjaftueshme për kërkimin shkencor.

 

Si të financohet kërkimi në Shqipëri

Le të flasim për kushtet e vendit tonë. Është e qartë se ekonomia jonë e ka pothuaj të pamundur financimin e kërkimit shkencor në përqindje të tilla 1, 2 apo 3% të PBB-së ashtu si në vendet e zhvilluara. Kjo është shprehur qartë edhe në Raportin lidhur me “Strategjinë e Zhvillimit të Shkencës në Shqipëri për vitet 2017/2022”, me gjithë synimin për të arritur tek 1 përqindëshi i GDP-së (përafërsisht 9.1 miliardë lekë).

Këtij rrethi vicioz sigurisht që i jepet fund nëse aplikohet strategjia e financimit të shkencës dhe kërkimit shkencor në bashkëpunim dhe nëpërmjet prodhimit, e thënë ndryshe, nëpërmjet kontratave (publike apo private qofshin). E thënë ndryshe, kjo realizohet nëpërmjet aplikimit të tarifës gati simbolike të lartpërmendur, e cila bën të mundur krijimin e mjeteve buxhetore për financimin e kërkimit shkencor, novacionin dhe teknologjinë e përparuar.

Duke ju referuar dokumentit të “Strategjisë së Zhvillimit të Shkencës 2017-2022” të Ministrisë së Arsimit, në kapitullin “Mbështetje e kërkimit shkencor për nxitjen e novacionit dhe zhvillimin e teknologjisë në bashkëpunim me sektorin e Biznesit” me të drejtë (por pa dhënë zgjidhje) thuhet tekstualisht që “Rritja e bashkëpunimit mes komunitetit të kërkuesve shkencorë dhe atij të biznesit do të realizohet nëpërmjet dy objektivave të mëposhtëm:

  • Krijimit të mekanizmave nxitës ligjorë, fiskalë për financimin e kërkimit shkencor nga biznesi, dhe
  • Rritjes së pjesëmarrjes së biznesit në iniciativa dhe programe rajonale.

Shumë saktë! Por ajo që thuhet në këtë “strategji” nuk shoqërohet me asnjë shpjegim apo interpretim i mënyrës se si do të mund të realizohet! Kujt i drejtohet Ministria e Arsimit me këtë strategji? Nga kush e kërkon “Krijimin e mekanizmave nxitës ligjorë, fiskalë për financimin e kërkimit shkencor nga biznesi”? Është më se e qartë që kemi të bëjmë me një huazim, që është i paqartë edhe për vetë hartuesit e kësaj strategjie dhe pa një konkluzion të qartë, vetëm në letër dhe si konstatim.

Nuk është e vështirë të kuptohet, që përvoja e lartpërmendur, pra ajo e mundësisë së krijimit të mjeteve buxhetore për financimin e kërkimit shkencor, novacionin dhe teknologjinë nëpërmjet aplikimit të një tarife në kontratat e aktivitetit ekonomik prodhues, është zgjidhja adekuate moderne e problemit.

Duke i shkuar edhe një herë më në detaje të njëjtit dokument të strategjisë të lartpërmendur, në përcaktimin e objektivave të zhvillimit të shkencës përkufizohet tekstualisht: “…kërkimi shkencor në Shqipëri pas viteve ‘90 përballet me sfidat e përshtatjes në kushtet e ekonomisë së tregut, ku duke e vlerësuar progresin shkencor si paraprijës të zhvillimit, përveç fondeve publike të rritjes së burimeve të ndryshme të financimit, konsideron edhe burime të tjera, konkretisht krijimin e mundësive për një kombinim të burimeve publike dhe private në shërbim të financimit të kërkimit shkencor…”.

Pikërisht ajo që thuhet me fjalë dhe që në thelb është shumë e saktë, duhet të zhvillohet më tej, deri në implementim, pra në ngritjen e strukturave kërkimore të mbështetura jo nga Buxheti i Shtetit, por nga prodhimi nëpërmjet mekanizmave nxitës ligjorë: “…krijimin e mekanizmave nxitës ligjorë dhe fiskalë për financimin e kërkimit shkencor nga biznesi…”.

Institute gati fantazmë, siç janë të tillë në fushat e ndërtimit, të transportit etj., vërtetojnë gjithnjë e më shumë në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri praktikisht nuk po bëhet asgjë. Programet dhe strategjitë e deklaruara janë vetëm raporte pa vlerë dhe që nuk çojnë asgjëkund.

Në raportin “Për miratimin e Strategjisë së Kërkimit Shkencor 2017-2022”, Fq. 267, thuhet gjithashtu se “Planifikimi i fondeve për shkencën synon të arrijë objektivin e parashikuar që shpenzimet për kërkimin shkencor të arrijnë në 1% të PBB” dhe se kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e kësaj mase për periudhën 2017-2022 është rreth 9.1 miliardë lekë, ku fondet janë alokuar nga:

  • Buxheti i shtetit për institucionet publike (ministritë e linjës dhe institucionet kërkimore – shkencore), në shumën prej 3.3 miliardë lekësh (!!).
  • Buxheti i Institucioneve të Arsimit të Lartë, në shumën rreth 2.2 miliardë lekë.
  • Buxheti nga donatorët në shumën rreth 1 miliard lekë.

Komenti i parë që të vjen ndër mend në këtë kontekst është, që, praktikisht, për shkencën dhe kërkimin shkencor të
prodhimit dhe që është ai që i duhet praktikisht ekonomisë sonë, shpenzimet për shkencën janë ZERO, pasi thuhet qartë që buxhetet janë për institucionet e Arsimit të Lartë dhe ministritë e linjës, dhe ai që vjen nga donatorët (vetëm 1 miliard lekë nga 9 miliardë që duhen për të arritur te 1 përqindëshi).

Gjithashtu, nga nevoja prej 9.1 miliardë lekësh për të arritur te 1 përqindëshi i famshëm (që edhe ky është gati simbolik) paraqitet një hendek në masën rreth 2.6 miliardë lekë, fond i cili duhet të planifikohet në programin e buxhetit afatmesëm 2017-2022 (?!) Po ku do t’i gjejë këto burime financimi shteti shqiptar tani dhe për të ardhmen? “Strategjia” e hartuar teorikisht thotë, që një nga burimet është “krijimi i mekanizmave nxitës ligjorë, fiskalë për financimin e kërkimit shkencor nga biznesi”, por thjesht vetëm kaq. Si do të përmirësohet kuadri ligjor, institucional dhe financiar në shërbim të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për të arritur në synimet ë kërkuara?

Nga ana tjetër, si do të sigurohet mbështetja e sektorit të biznesit për kërkimin shkencor dhe nxitjen e novacionit? Me trendin e deritanishëm, përfshirë strategjinë e hartuar, nuk ka asnjë shans për ndryshime në sensin progresiv të situatës dhe Shqipëria rrezikon të mbetet ndër vendet e fundit në botë në kërkim shkencor dhe teknologji.

Cila është zgjidhja që propozohet? Sigurisht dhe ndoshta nga të gjitha praktikat që njeh Ekonomia e Tregut e vetmja zgjidhje mbetet ajo që, nëpërmjet tarifës simbolike të përshkruar më lart mbi kontratat e sipërmarrjes, të krijohen buxhetet e nevojshme për ngritjen e strukturave kërkimore. Kjo padyshim përbën një zgjidhje origjinale për të nxitur dhe për të përshpejtuar novacionin dhe kërkimin shkencor në të gjitha fushat. Në këtë lloj zgjidhje, shteti është garanti dhe auditi, që, sipas një ligji rregullator, siguron kalimin e tarifës dhe fondeve të grumbulluara në buxhetin e Qendrës Kërkimore.

Përveç kësaj, shteti siguron raportin e drejtë ndërmjet buxhetit të krijuar dhe aktiviteteve, që Qendra obligohet të kryejë në funksion të kërkesave e nevojave dhe interesit publik të sektorit. Shteti kontrollon dhe merr pjesë në miratimin e aktivitetit çdo vjetor dhe financave të kësaj Qendre nëpërmjet Bordit (që kryeson) dhe pjesës së anëtarëve të saj në këtë bord. Shteti garanton neutralitetin në rastin e garave në tenderë lokalë apo ndërkombëtarë, ku kjo qendër kërkimore është e lirë të marrë pjesë.

Prandaj edhe këto Qendra Shkencore quhen: me INTERES PUBLIK dhe me PROCEDIM PRIVAT. Përpos të tjerave, ne besojmë edhe se një nga mjetet më efikase për të ulur në maksimum dëmin që i bëhet zhvillimit të vendit nga korrupsioni është edhe varfëria intelektuale, varfëria ekonomike me thelbin e tyre, mungesën e strukturave kërkimore shkencore, struktura nga të cilat do të mundësohet aplikimi i saktë i teknikës në fushat përkatëse të ekonomisë dhe mbyllja e shtigjeve për abuzim.

 

Si paraqitet gjendja e kërkimit shkencor sot në Shqipëri?

Para viteve ‘90, shteti shqiptar dhe ekonomia e saj e centralizuar kishin qendra kërkimore (institute) në fusha si industria, ndërtimi, bujqësia, shëndetësia, etj. Pavarësisht mungesës së theksuar të burimeve financiare për laboratorë, programe, etj., ato ishin një zë kompetent, i besueshëm dhe bërthama të mirëfillta për zgjidhjen e problemeve teknike shkencore të fushave përkatëse.

Këto institucione, të subvencionuara nga shteti i asaj kohe, nuk i rezistuan dot konkurrencës dhe ligjeve të ekonomisë së tregut, nuk i rezistuan nevojave të reja për teknologji dhe novacion dhe në fillim të viteve ’90, shumica e tyre u ezaurua.

Ato që sot kanë mbetur, të formatuara në filozofinë e kohës kur u krijuan, janë larg të qenët organizma me të vërtetë shkencorë për vetë buxhetet, infrastrukturën dhe shërbimet që ofrojnë. Specialistët, madje edhe shkencëtarë, në shumicën e rasteve ose janë larguar nga vendi(!), ose janë akomoduar në biznese apo, në rastin më të keq, merren me punë të tjera, shpesh të rëndomta. I gjithë ky fenomen është humbje e madhe për shkencën, rrjedhimisht për ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

Një fenomen i tillë ka ndodhur me ish-katër-pesë institutet e ndërtimit, të cilët, të dizintegruar u copëzuan në firma projektim-konsulencë inxhinierike, në fusha si ndërtimet civile industriale, shoqërore dhe të kulturës, infrastrukturore të transportit, energjisë (hidrocentralet), ujërave dhe ujësjellës-kanalizimeve, shërbimeve gjeologo-inxhinierike dhe të gjeodezisë etj.

Por ky proces u shoqërua edhe me krijimin pafund të subjekteve të reja të konsulencës inxhinierike, në shumicën e rasteve pa përvojat e duhura dhe në mungesë edhe të një legjislacioni të drejtë licencimi dhe të Urdhrave profesionalë (të inxhinierit, të arkitektit), nuk kanë ndihmuar, madje edhe e kanë përkeqësuar situatën me shkencën dhe kërkimin shkencor në Shqipëri.

Deri në vitin 2006, struktura e institucioneve kërkimore në Shqipëri ka qenë ndarë si më poshtë (marrë nga dokumenti “Strategjia e shkencës 2017-2022 e Ministrisë së Arsimit”):

  • Institucionet kërkimore në varësi të Akademisë së Shkencave;
  • Universitetet Publike dhe
  • Institutet në varësi të ministrive të linjës.

Në vitin 2006, qeveria shqiptare ndërmori një reformë, që për mendimin tonë dhe sipas fakteve ishte një reformë veçse rrënuese, e cila duke qenë në fuqi, vazhdon të reflektojë negativisht në shkencën dhe kërkimin shkencor. E ashtuquajtura reformë, përfshiu edhe ato pak institute kërkimore shkencore, që ekzistonin në varësinë e ministrive të linjës dhe si rezultat i saj, pothuajse 30 institute kërkimore, janë shkrirë, mbyllur apo ristrukturuar dhe pas kësaj reforme, në një pjesë të universiteteve publike, u përfshinë edhe institutet që kishin qenë më parë në varësi të Akademisë së Shkencave.

Sigurisht dhe pa komente, kjo rezultoi një eksperiment krejt i gabuar, madje edhe në raport me aq sa ishte arritur më parë. Një përvojë e ngjashme, e aplikuar në SHBA, në vitet ‘60, kishte rezultuar e gabuar. Përse atëherë duhej bërë një eksperiment i tillë edhe në Shqipëri?!

Duke qenë personalisht i fokusuar në infrastrukturën e transportit, veçanërisht me rrugët, ku janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen investimet më të mëdha të shtetit shqiptar në këto dy dekada e gjysmë në ekonominë e tregut, ne nuk kemi institute për infrastrukturën, për rrugët. Nuk kemi gjithashtu një qendër kërkimore për ujërat, për urbanistikën dhe arkitekturën, për materialet e ndërtimit, nuk kemi struktura të tilla në industri, mjekësi pse jo, në bujqësi dhe pyje. Mirë që u ezauruan, por zhvillimi i vendit nuk mund të arrihet pa to.

Duke u fokusuar në infrastrukturat e transportit mund të themi me plot bindjen se në strukturën totale të organizimit të kësaj fushe ku përfshihen subjekte publike, ministria e linjës, Administrata nacionale e rrugëve dhe administratat e rrugëve lokale, përfshi edhe një Fond (FSHZH) dhe subjekte private si Konsulenca inxhinierike dhe Kontraktorët, mungon subjekti më i rëndësishëm: struktura shkencore pa të cilën është e pamundur që:

  • Të planifikohen drejt dhe pa gabime, të monitorohen investimet e drejtpërdrejta dhe indirekte që bën shteti shqiptar në këtë fushë, përfshi projektet koncesionare (aktualisht krejt empirike dhe pa përgjegjësi direkte)
  • Të monitorohet një rrjet tejet i madh rrugor për nevojat e mirëmbajtjes, rehabilitimeve dhe investimeve të tjera (aktualisht proces inekzistent dhe praktikisht i pamundur dhe pa kapacitete për ta bërë një gjë të tillë, faktor që ka një kosto tejet të lartë për ekonominë). Nga një vëzhgim i përafërt dhe pa pretendime mund të themi që shpenzimet për mirëmbajtje – rehabilitimin e sistemit rrugor kryesor nacional janë në total rreth 120 milionë euro në vit.

Me një mirëmbajtje moderne adekuate, shkencore dhe me vrojtime të plota shkencore, që është në gjendje t’i bëjë vetëm një institucion kërkimor dhe jo një administratë, kjo shifër mund të jetë deri 2-2.5 herë më e ulët. Duke ngritur strukturat kërkimore shkencore të cituara më lart mundet që t’i kursehen ekonomisë kombëtare këto shifra të konsiderueshme.

Shtetet e mirorganizuar me rrjete rrugore disa dhjetëra apo qindra herë më të madh se ky yni, i kushtojnë një rendësi të veçantë këtij fakti. Ato kanë struktura të specializuara shkencore, të cilat mbajnë nën vrojtim rrjetin rrugor, me qëllim ruajtjen e gjendjes me kostot minimale, për t’i kursyer ekonomisë së tyre shifra të larta, por edhe cilësinë e rrugëve, nga e cila varet shumë edhe kostoja e transportit automobilistik.

  • Të verifikohen dhe mbahen në mbikëqyrje çmimet e manualeve me të cilat janë bërë dhe bëhen vazhdimisht gabime shpesh të rënda dhe befasuese nga mungesa e kompetencës profesionale.
  • Të monitorohen dhe të mbahen nën kontroll dhe përmirësim-përshtatje standardet e projektimit dhe të ndërtimit, teknologjitë e reja, standardet e prodhimit të materialeve të ndërtimit, kushtet dhe kontrolli i specializuar i projektimeve dhe ndërtimeve, dorëzimi i tyre, si procedura që veçanërisht kërkojnë jo vetëm pajisje, por dhe ekspertiza të kualifikuara.

Përpos këtyre, strukturat kërkimore shkencore kanë edhe një sërë detyrash të rëndësishme, madje edhe jetike për ecurinë në baza të shëndosha dhe bashkëkohore të industrisë së rrugëve në vendin tonë, por që nuk po i rendisim si shumë profesionale dhe për të mos rënduar këtë shkrim.

Problemet me PPP
Në ditët në vazhdim, projekte të natyrës koncesionare të tipit PPP kanë qenë të pranishme. Duke qenë se këto projekte janë shumë delikate është pothuaj e pamundur të konsiderohen “të qepura mirë profesionalisht” dhe nga pikëpamja teknike dhe ekonomike. Aq më tepër kjo është e pamundur të arrihet nga persona të veçantë apo struktura, që janë jashtë statuseve të tyre, jashtë detyrave dhe jashtë kapaciteteve.

Kjo është e pamundur. Të vetmet organizma kompetente për të filtruar këto projekte koncesionare tejet delikate për ekonominë e një vendi janë ato shkencore, të cilat, në çfarëdolloj raporti dhe statusi të tyre, shtetëror apo privat, janë gjithmonë me interes publik dhe si të tilla, janë padyshim dhe si institucion, këshilltarët zyrtarë numër një të qeverisë shqiptare. Deklarimet dhe polemikat nga kushdo qoftë, përfshi ato zyrtare, nuk mund të jenë veçse abuzive, të pasakta dhe me dëm të lartë për ekonominë.

Në mungesë të këtyre strukturave dhe deri në instalimin e tyre, një Këshill ekspertësh, ku padyshim mund të përfshihen edhe ekspertë të huaj, është jo vetëm i rekomandueshëm, por edhe një detyrim moral. Përndryshe, një kosto e lartë e paparashikueshme do të jetë e pashmangshme, përpos faktit që kontestues joprofesionistë (në shumicën e rasteve analistë politikë) do të gjenden me shumicë, që në vend që t’i bëjnë mirë procesit dhe interesit publik, e rëndojnë atë padrejtësisht.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of