Projekti, 200 mijë euro për programin rajonal të investimeve të veri të vendit

20/11/2019 11:00 AM 0 komente

Banka Europiane e Investimeve, në kuadër të projektit të investimeve në rajonin verior të Shqipërisë, njoftoi se ka akorduar 200 mijë euro, për përgatitjen e planit.

BEI, sipas kontratës së nënshkruar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që është autoriteti kontraktues, deklaron se kjo është faza e parë dhe ka lidhje me asistencën teknike me përgatitjen e një programi rajonal të investimeve në Veri të Shqipërisë.

Ky është hapi i parë në një program më të gjerë të asistencës teknike të miratuar me vlerë deri në 3 milionë EUR për t’u zbatuar në partneritet me FSHZH në mbështetje të rajonit.

Ndihma teknike, e financuar nga BEI, nëpërmjet Iniciativës së Rezistencës Ekonomike (ERI), ka të bëjë me një zonë që përfshin vijën bregdetare të Adriatikut midis Shëngjinit dhe Velipojës, brigjet e Liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe portës së Koplikut në Alpet shqiptare, dhe përfshin pjesë të territoreve të bashkive të Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe.

Si pjesë e këtij bashkëpunimi, BEI do të ndihmojë FSHZH-në në përcaktimin e Strategjisë së Integruar të Turizmit dhe Azhurnimit Urban të Portës Bregdetare të Alpeve, si dhe në vlerësimin e pasurive natyrore dhe potencialit të zonës, si dhe adresimin e çështjeve mjedisore. Kjo do të mundësojë përgatitjen e një plani afatmesëm dhe afatgjatë të investimeve kapitale që do të plotësojë Master Planin ekzistues të Alpeve duke përmirësuar aksesin, cilësinë e mjedisit dhe pajisjet lokale.

“Duke ndihmuar hartimin e një programi investimesh të infrastrukturës publike bazuar në potencialin rajonal të turizmit dhe një analizë të thelluar të mangësive ekzistuese të infrastrukturës, Banka do të kontribuojë në realizimin e potencialit të rritjes së pashfrytëzuar të veriut të Shqipërisë”, tha Alessandro Bragonzi, përfaqësuesi i BEI për Shqipërinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of