Banka Botërore ka përkeqësuar vlerësimin e saj për avancimin e projektit për burimet ujore dhe ujitjen zbatuar nga qeveria shqiptare.
Në një rishikim të fundit të projektit, BB ka cilësuar progresin e përgjithshëm në funksion të arritjes së objektivave nga niveli “i kënaqshëm” që ishte më herët në “relativisht i kënaqshëm”. Projekti, me kosto 66.7 milionë dollarë, mbështetur nga Banka, mori aprovimin në nëntor 2012 dhe sipas datës origjinale duhet të mbyllej më 31 maj 2018. Por në atë kohë u kërkua rishikim dhe mbështetje e dytë nga BB, e cila u aprovua dhe kaloi si datë të re të mbylljes 31 majin 2020.
Por çfarë thotë konkretisht Banka në raportin e rishikuar dhe publikuar këto ditë.
“Një numër aktivitetesh janë ngadalësuar për arsye të ndryshme, ndërkohë që disa të tjera janë nën prokurim ose përgatitje, një vit para mbylljes së projektit. Nga ana tjetër, punimet në Krutje kanë ecur mirë dhe kanë shënuar progres sa i përket çështjeve të mbrojtjes, si dhe janë zgjidhur aspekte të identifikuara më parë dhe punimet do të mbyllen. Lidhur me aktivitete të tjera kryesore si rehabilitimi i pesë skemave shtesë sa i përket supervizimit inxhinierik dhe kontraktorit janë prokuruar dhe pritet që të nisë puna. Për një pjesë tjetër janë duke u zhvilluar dëgjesa publike dhe prokurimi do të nisë së shpejti. Asistenca teknike për bashkitë lidhur me ofrimin e shërbimit të ujitjes monitorimin dhe vlerësimin është në fazat e fundit të prokurimit, shumë i vonuar.
Mbështetja institucionale për Kadastrën e Ujit është në fazën finale të prokurimit. Edhe kjo shumë e vonuar por aktiviteti do të nisë dhe granti është zgjatur në kohë për të lejuar një kompletim të suksesshëm të tij.
Progresi i përgjithshëm si dhe cilësia e zbatimit vuajtën gjatë periudhës së tranzicionit me shqetësime të lidhura kryesisht me vlerësimin dhe monitorimin, mbrojtjen dhe vijimin që nga vlerësimi i bërë nën projektin e përfshirjes sociale” thuhet në dokument.
Projekti për burimet ujore dhe ujitjen përbëhet nga katër komponentë ku i pari është ai për rehabilitimin e sistemit të kullimit dhe ujitjes, si dhe digat, me kosto mbi 60 milionë dollarë. Komponenti i dytë për mbështetjen institucionale për ujitjen e kullimin ka një kosto 1.71 milionë dollarë duke vijuar më pas me komponentin e tretë për menaxhimin e integruar të burimeve ujore me një kosto 4 milionë dollarë dhe e fundit mbështetja e zbatimit me 0.99 milionë dollarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.