Projekti 80 mln euro i hartës dixhitale, gati specifikimet teknike për përmbajtjen e të dhënave

09/12/2020 4:56 PM 0 komente

Që nga kufijtë e njësive administrative, rrjetet e transportit (tokësor, ajror, detar, hekurudhor), ndërtesat deri në të dhëna konfidenciale të popullsisë do të jenë imazhi bazë i hartës dixhitale të Shqipërisë. Në Fletoren Zyrtare u botua vendimi me specifikimet teknike dhe standardin e informacionit për realizimin e saj. Në vendim përcaktohet se harta dixhitale do të përmbajë edhe emërtimet gjeografike, të dhëna për zonat e mbrojtura të vendit, imazhe dixhitale nga terreni etj.

Në hartë do të përfshihen edhe të dhëna që cilësohen konfidenciale, si ato personale të popullsisë, të cilat ekzistojnë, por nuk mund të shfaqen,pasi mbrohen nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale. Në vendim parashikohen edhe specifikimet teknike dhe standardet për reflektimin e këtyre të dhënave.

“Kjo shprehet duke përdorur shumëllojshmërinë:nëse një karakteristikë mund të ekzistojë apo mund të mos ekzistojë në botën reale, vlera minimale do të përcaktohet si 0. P.sh: nëse një adresë ka apo nuk ka një numër shtëpie,shumëllojshmëria e përkatësisë përkatëse do të jetë 0..1; nëse për një karakteristikë të caktuar ekziston të paktën një vlerë në botën reale, vlera minimale do të përcaktohet si 1. P.sh: nëse një njësi administrative ka gjithmonë të paktën një emër, shumëllojshmëria e përkatësisë përkatëse do të jetë 1..*”, shpjegohet në dokument.

Për realizmin e këtij projekti, qeveria më herët hodhi për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin për infrastrukturën kombëtare të informacionit”. Një ndër aktivitetet kryesore, që parashikohej të shtohej me këtë ligj, është dhe veprimtaria e krijimit të hartës bazë në shkallë të mëdha dhe azhurnimit të vazhdueshëm të saj, sipas standardeve të Këshillit të Europës.

Në total kostoja e projektit, që nga mbledhja e të dhënave, përpunimi i tyre dhe krijimi i hartës dixhitale parashikohet të arrijë deri në 80 mln euro. Për të filluar procesin e ndërtimit të hartës bazë kryhet fillimisht një vlerësim i materialeve burimore nga  harta  bazë  ekzistuese. Harta bazë kombinon të  dhënat ekzistuese tematike, duke kryer përpunimin e  të dhënave  dhe  modelit  gjeohapësinor të  zbatuar, që ndikojnë në produktin përfundimtar.

Për më tepër lexo këtu:

Projekti 80 mln euro për krijimin e hartës dixhitale të Shqipërisë, si do realizohet për 5 vitet e ardhshme 

Realizimi i projektit do të shtrihet në kohë nga 5 deri në 8 vitet e ardhshme. Nga buxheti i shtetit do të financohet 15% e kostos, kurse pjesa tjetër do të financohet nga donatorët dhe fondet e IPA-s.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of