Projekti / Akses fermerëve shqiptarë në Sistemet e Njohurisë dhe Inovacionit në Bujqësi

10/07/2019 10:58 AM 0 komente

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me mbështetjen e GIZ dhe projektit IPESA të financuar nga BE, organizoi për herë të parë forumin me temë: “Sistemi i Njohurive dhe Inovacionit në Bujqësi (AKIS)”. I pranishëm ishte zv.ministri z.Dhimo Kote; Presidenti i Bordit të Forumit Evropian për Shërbimin Këshillimor në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (EUFRAS), z.Tom Kelly, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, z. Bahri Musabelliu etj.

AKIS në Shqipëri është një domosdoshmëri dhe sfidë njëkohësisht, sipas njoftimit të MB. Në vendin tonë ka shumë aktorë të AKIS, por niveli i bashkëpunimit mes tyre nuk është i mjaftueshëm dhe nuk i përgjigjet sa duhet sfidave me të cilat ndeshen sot fermerët shqiptarë. Nga ana tjetër, zv.ministri Dhimo Kote gjatë fjalës së tij foli për një angazhim më të madh të Agjencive të Ekstensionit Bujqësor si një prej aktorëve kryesor të AKIS.

“Në kuadër të këtij projekti ne besojmë se do të arrijmë të bëjmë një transformim të Agjencive të Ekstensionit Bujqësor, si një nga aktorët kryesorë të AKIS në Shqipëri. Për të konsoliduar më tej zhvillimin e këtij sektori dhe për të qenë gjithnjë e më shume konkurrues në tregjet ndërkombëtare, ne duhet t’u krijojmë akses fermerëve në Sistemet e Njohurisë dhe Inovacionit në Bujqësi. Kemi nevojë për ndryshim të strukturës, për trajnime të mëtejshme të njerëzve që punojnë në këto agjenci dhe për një plan strategjik të veprimit”, tha Kote.

Një shërbim këshillimor modern dhe funksional do të ndihmojë fermerët tanë të menaxhojnë më mirë veprimtarinë e tyre, të shtojnë prodhimin, të rrisin cilësinë, të jenë më konkurrues dhe rrjedhimisht që sigurojnë më shumë të ardhura.

Në vitin 2018, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ndërmori një reformë të qenësishme për përmirësimin e shërbimit këshillimor publik në Shqipëri. Reforma, me krijimin e 4 Agjencive të reja Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB), duke synuar t’i përgjigjet, në formë sa më efikase, nevojave të një sektori në rritje të vazhdueshme.

Krijimi i AREB-eve përmirëson fokusin drejt shërbimit këshillimor dhe synon rritjen e ndërveprimit me Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) duke ofruar një shërbim sa më cilësor ndaj fermerëve dhe aktorëve të tjerë të interesuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of