Projekti i BB për rrugët lokale “kalon” në Tepelenë, ja ku do ndërhyhet

16/09/2019 12:00 PM 0 komente

Projekti i Bankës Botërore për rrugët lokale dhe urbane i cili po zbatohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit këtë herë ka vendosur fokusin e vet në zonën e Tepelenës. Në një njoftim të bërë në faqen e Bankës nënvizohet se do të ndërhyrhet në një tjetër rrugë të rëndësishme për këtë zonë siç është ajo Lekdushk-Bënçë- Tepelenë.

“Rikonstruktimi i kësaj rruge loti i 2 parashikohet të zgjasë 12 muaj dhe parashikon ndërhyrje në segmentin Bënç-Lekdushk. Kjo rrugë shtrihet në zonën jug-perëndimore të vendit në zonën e Kurveleshit në Vlorë. Lidh njëri pas tjetrit fshatra të tillë si  Bënnca dhe Lekdushk. Rruga aktuale kalon në një zonë kodrinore dhe kushtet në të janë shumë të varfra. Nuk ka struktura, gjerësia e rrugës shkon nga 3-4 metra dhe nuk ka pjesë mbrojtjeje. Nuk ka masa sigurie dhe në gjendjen aktuale shpejtësia e udhëtimit ishte 10km/orë.

Rruga e re parashikon ndërtimin e strukturave të reja, zgjerimin e rrugës në 6.5 metra dhe ndërtimi i shtresave të rrugës përfshin asfaltin, instalimin dhe sinjalizimin vertical dhe horizontal. Rruga e re do të rrisë sigurinë dhe shpejtësinë si dhe do të ulë kostot” thuhet në dokumentin e BB.

Ndërhyrjet përmes projektit të rrugëve rajonale dhe lokale po financohen nga Banka Botërore pas zbatimit të fazës së parë të tij për disa vite nga ana e FSHZH. Ky projekt synon përmirësimin e jetës së qytetarëve në zonat rurale, afrimin e tyre me tregjet dhe qëndrat urbane si dhe impakt në aspektin turistik.

Zona e Tepelenës, Bënçës dhe Lekdushk është pak e eksploruar nga aspekti turistik edhe për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme edhe pse paraqet potencial duke qenë se ka burime të shumta natyrore si dhe një të kaluar të pasur historike dhe kulturore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of