Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar se, si autoriteti kontraktues i projektit të financuar nga Banka Botërore për përmirësimin e lidhjes rrugore në Shqipëri, ka zgjedhur një ndërmarrje të përbashkët që përfshin ‘Fred Engineering’ të Italisë dhe kompaninë lokale ‘Infrakonsult’ për të ofruar shërbime mbikëqyrjeje për zbatimin e projektit në fjalë.
Vlera e parashikuar e kontratës është 187.680 dollarë (ose 171,021 euro).
Detyra përfshin shërbime këshillimi për identifikimin dhe mbikëqyrjen e ndërhyrjeve të mundshme të sigurisë rrugore dhe inspektimet e sigurisë rrugore.
Ky projekt do të duhet të zbatohet brenda një afati prej 10 muajsh dhe sipas të dhënave të detajuara, në total shtatë kompani morën pjesë në tenderin e kontratës.
Qëllimi i shërbimeve është kontrolli i sigurisë së segmenteve rrugorë në zbatim të këtij projekti dhe përgatitja e projektimit të një zone modeli me standardet më të larta të sigurisë. Konsulenti gjithashtu do të ketë të drejtë të mbikëqyrë ndërhyrjet e propozuara në këtë detyrë.
Banka Botërore po ofron një kredi 50 milion dollarë për zbatimin e projektit për rindërtimin e rreth 45 km rrugë rajonale dhe lokale në Shqipëri.
“Projekti mbështet përmirësimin e qasjes në disa qendra bujqësore dhe turistike në Shqipëri,” tha Banka Botërore në prill.
Ky projekt synon përmirësimin e jetës së qytetarëve në zonat rurale, afrimin e tyre me tregjet dhe qëndrat urbane si dhe impakt në aspektin turistik.
Projekti i ri për rrugët rajonale dhe lokale vjen pas atij të rrugëve dytësore, i cili nisi në vitin 2008 dhe u financua me një vlerë prej 368 milionë dollarësh.
Projekti i ri ka si synim prioritarizimin e investimeve në funksion të turizmit, agrikulturës, por edhe disa sektorëve të tjerë të rëndësishëm.
“Ky projekt i ri ngrihet mbi këto rezultate e eksperiencë. Ai do të orientohet drejt një qasje më strategjike, që mundëson zhvillimin e turizmit dhe sektorët agrikulturorë, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore që siguron akses të drejtëpërdrejtë për potencialet turistike e agrikulturore dhe ofron lidhje alternative me sistemin rrugor ekzistues. Programi i rrugëve rajonale e lokale do të promovojë gjithashtu zhvillim të qëndrueshëm rajonal përmes përmirësimit të infrastrukturës rrugore në mbështetje të zhvillimit të sektorit të turizmit dhe agrikulturës” thuhet në dokumentin e Fondin Shqiptar të Zhvillimit i emërtuar si Kuadri i Politikave të Risistemimit, Projekti i Rrugëve dytësore dhe Lokale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.