Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në kuadër të investimit të saj për projektin ‘Hekurudhës Shqiptare’, për rehabilitimin e seksionit hekurudhor Tiranë-Durrës, ka bërë me dije se kërkon një konsulent lokal për të rritur aftësinë e shoqërisë civile të Shqipërisë për të promovuar përdorimin e sigurt dhe përfitimet e qëndrueshme të transportit hekurudhor.
“Shoqëria civile shqiptare luan një rol vendimtar në ndihmën për të përmirësuar ndërgjegjësimin e publikut për përfitimet e përdorimit të transportit publik në përgjithësi dhe masat e sigurisë në veçanti. Organizatat lokale të shoqërisë civile (OSHC) janë palë të rëndësishme të interesit në nxitjen e përdorimit të sigurt dhe të qëndrueshëm të transportit, i cili është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të projektit të investimit. Sidoqoftë, aftësia e organizatave lokale të shoqërisë civile për të zbatuar aktivitetet e nevojshme të ngritjes së vetëdijës dhe komunikimit është e kufizuar. Projekti i propozuar i bashkëpunimit teknik (TC) (“Projekti TC”) do të ndihmojë në rritjen e aftësive të shoqërisë civile dhe ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me përfitimet mjedisore, sociale dhe ekonomike të transportit hekurudhor, rreziqet e sigurisë dhe përmirësimet që rrjedhin nga ndryshimet në linjë dhe lëvizja e ndryshuar e trenave si dhe dispozitat ligjore në lidhje me shkeljet e hekurudhave. Projekti TC do të zhvillohet në koordinim dhe plotësues të përpjekjeve të angazhimit të palëve të interesuara të kërkuara nga Plani i Angazhimit të Palëve të Palëve të përfshira në Planin e Veprimit Mjedisor dhe Social për projektin e investimit.”-sqaron më tej BERZH në një njoftim të fundit.
“Puna pritet të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2020 dhe ka një kohëzgjatje të përgjithshme prej 18 muajsh. Kostoja e vlerësuar e detyrës është 119,250 euro dhe do të financohet nga Iniciativa e Evropës Qendrore (CEI). Qëllimi i përgjithshëm i detyrës është të rritet ndërgjegjësimi i publikut për përfitimet e transportit hekurudhor dhe të promovojë praktikat e sigurta të kalimit hekurudhor në Shqipëri,” shtoi huadhënësi.
Qeveria shqiptare ka miratuar në maj të vitit të 2018 marrëveshjen e grantit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës. Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë euro. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet është në shumën prej 35,435,000 Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.
Trafiku që pritet të gjenerohet përmes kësaj linje, pritet të jetë i madh. Sipas raportit teknik të bërë publik një vit më parë, pjesa më e madhe e trafikut do të jetë në linjën Tiranë – Durrës.
Parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë – Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik. Gjithashtu parashikohet që të rritet edhe shpejtësia e udhëtimit nga 40 km/orë që është sot në 100 km/orë.
Kostoja e këtij projekti llogaritet në rreth 81.5 milionë euro nga të cilat 44%, ose 35.4 milionë euro, do të akordohen nga BERZH dhe pjesa tjetër, kredi që do të paguhet nga qeveria shqiptare. Projekti do të konsistojë në rikonstruksionin e segmentit ekzistues mes Tiranës dhe Durrësit, si dhe me ndërtimin e ri të pjesës që do të lidhet me Rinasin. Ky segment ka një gjatësi prej 50 km, ndërsa kostoja llogaritet në rreth 50 milionë euro. Studimi i fizibilitetit ka treguar se ndërtimi i segmentit Tiranë – Durrës – Rinas do të zgjasë mbi 3 vjet.
Në tetor 2019, Hekurudhat Shqiptare në pronësi të shtetit hapën tender për të dy projektet, si pjesë e një projekti 90.3 milion euro (100.4 milion dollarë), i cili do të financohet nga të ardhurat e një kredie nga EBRD dhe një granti nga Korniza e Investimeve e Ballkanit Perëndimor të BE-së (WBIF) marrë përmes BERZH-it.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.