Banka Botërore bëri së fundmi një vlerësim për ecurinë e projektit të përmirësimit të sistemit shëndetësor, duke nënvizuar se deri më tani, 44% e fondit total është disbursuar, ose në vlerë përkon me 16.96 milionë dollarë.
Në total, projekti ka një fond 40 milionë dollarë dhe pjesa e mbetur për t’u disbursuar në vijim, deri në 31 dhjetorin e vitit të ardhshëm është 21.80 milionë dollarë.
Misioni që vlerësoi ecurinë e projektit, e cilësoi atë me një ecuri të kënaqshëm në mënyrë të moderuar, duke mos bërë asnjë ndryshim në raport me vlerësimin paraardhës. Edhe pse një pjesë e objektivave të projektit janë arritur duket se për Bankën ka disa aspekte që kanë frenuar progresin e pritur, por sipas shënimeve të bëra në vlerësim pritet të marrin zgjidhje. Një ndër to është edhe strategjia e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore si dhe adoptimi i disa planeve, e cila parashikohet sipas komentit të nisë brenda këtij shtatori.
Një tjetër koment që shënon vonesën në projekt është përzgjedhja e pesë sëmundjeve si dhe termat e referencës që sipas BB, do të jenë përfunduar dhe do të ndahet me këtë institucion brenda marsit të vitit të ardhshëm.
E vonuar është edhe pika që lidhet me prokurimin për kostimin e paketave, që do të rinisë sipas termave të referencës paralelisht me zbatimin e platformës me paketat tashmë të kostuara.
Dy punë të tjera ende nuk kanë nisur sipas bankës dhe e para lidhet me masterplanin e-HEALTH dhe aktivitetet e lidhura me të si dhe numri i regjistrimeve esenciale që janë të konsoliduara dhe të disponueshme online.
Raporti pavarësisht komenteve për mosrealizimet sjell në vëmendje se, disa aspekte të tjerë të projektit janë duke ecur sipas parashikimit ndërkohë që edhe pse në pakicë disa tregues janë tejkaluar në raport me objektivin fillestar.
Projekti për përmirësimin e sistemit shëndetësor u miratua në vitin 2015, me një kredi të Bankës Botërore dhe përbëhet nga tre komponentë. Deri në mars 2021, të dhënat zyrtare tregonin se ishin disbursuar vetëm 36% e fondeve, apo 13.9 milionë dollarë, ndërkohë që pjesa më e madhe mbeten ende të patërhequra. Për shkak të vonesave afati i projektit u rishikua duke e shtyrë atë deri më 31 dhjetor 2022. / N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.