Projekti për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë që nisi në vitin 2015 në Shqipëri dhe u mbështet financiarisht me 150 milionë USD nga Banka Botërore do të ketë me shumë gjasa një datë të re për mbylljen.
Në rishikimin e fundit ishte parashikuar që data e mbylljes të ishte 30 nëntori 2020 por Banka Botërore në një vlerësim të fundit të ecurisë së projektit ka theksuar se për shkak të vonesave të shkaktuara nga COVID-19 do të ketë nevojë për më shumë kohë.
Këtë herë BB ka komentuar shkurt situatën duke u shprehur se pas disa muajsh vështirësish në fillim të pandemisë tani gjërat janë kthyer në normalitet dhe punët po vazhdojnë të avancojnë.
“Në mes të marsit 2020 zbatimi në vazhdim i projektit nisi që të çalonte gjerësisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në mes të majit 2020 aktivitetet e projektit u kthyen gradualisht dhe që nga ai moment nuk ka pasur më anulime. Data e mbylljes së projektit pritet që të zgjatet deri në 30 qershor 2021” thuhet në raport.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet se deri më tani janë disbursuar 72 për qind të fondeve të projektit që në vlerë llogariten në 81 milionë dollarë. Edhe pse projekti fillestar kishte shumën 150 milionë dollarë me kërkesë të qeverisë shqiptare ai u rishikua në ulje të vlerës së financimit vitin e shkuar duke e lënë atë 126.38 milionë USD.
I njëjti raport ndalet në disa prej zhvillimeve të sektorit energjetik në vend ku ndër të tjera tek Bursa e Energjisë e cila pritet që të nisë operimet vitin tjetër si dhe tek liberalizimi i tregut të energjisë.
Lidhur me këtë të fundit nënvizohet se së shpejti pritet të dalin në tregun e parregulluar konsumatorët e lidhur në tension 20 kilovolt dhe më pas ata në 10 dhe 6 kilovolt. Në total llogariten rreth 4000 konsumatorë të kësaj natyre me një konsum total prej 790 gigavat/orë në vit.
Po kështu BB ka vlerësuar se kompanitë e krijuara nga OSHEE kanë filluar të funksionojnë secila sipas atributeve që iu janë dhënë që në fillim duke çuar para edhe reformën e ndarjes së operatorit të shpërndarjes së energjisë dhe duke plotësuar tregun e energjisë me hallkat e nevojshme funksionale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Cudi
Ne te muajt e fundit per nje projekt pese vjecar do te thote qe dueht bere konercializimi i tij, rezultatet e tij dhe disbursimet e fundit. Pra thjesht permbyllja dhe inagurimi i tij. Nese e shtyn edhe nje vit do te thote se dicka nuk shkon me te:
– niveli humbjeve
– digitalizimi i rrjetit etj