Marrëveshja për shtesën e kredisë mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për financimin e Projektit të Modernizimit të Ndihmës Sociale (PMNS) që mbështet reformën për rritjen e efikasitetit në sistemin e dhënies të ndihmës sociale, synon të financojë një pjesë të fondit për shërbimin e konsulencës. Shërbimet e këshillimit do të përfshijnë krijimin e një mekanizmi të ri referimi për Mbikëqyrjen dhe Drejtimin e Reformës së Aftësisë së Kufizuar.
Nëpërmjet këtij shërbimi synohet të përmirësohet administrimi dhe të krijohet transparenca e vlerësimit të ndihmës të aftësisë së kufizuar, përmes krijimit të një mekanizmi të qartë referimi, i cili përcakton afatet dhe programin që mund t’i referohet specifikisht pushteti vendor dhe strukturat përgjegjëse të monitorimit.
Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Fletoren Zyrtare është publikuar shprehja e interesit për shërbimin e konsulencës lokale që synon “Krijimin e një mekanizmi të ri kontrolli dhe udhëheqjeje për reformën e aftësisë së kufizuar”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmes ekipit të menaxhimit të projektit fton shoqëritë të përshtatshme për të treguar interesin e tyre për ofrimin e shërbimeve. Shprehjet e interesit duhet të dorëzohen pranë Ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (personalisht, ose me postë, ose me faks, ose përmes postës elektronike te [email protected]) deri më 1 shkurt 2021.
Kompanitë e interesuara për ofrim këshillimi në këtë projekt duhet të kenë të paktën 5 vjet përvojë të provuar në fushën e zbatimit të projekteve të shërbimeve të mbrojtjes sociale ose programeve të ndihmës së personave me aftësisë të kufizuar, si dhe programet e mbrojtjes sociale (përmbushja e këtij kriteri vlerësohet me 40 pikë). Në dokumentet e dorëzuara kompanitë konsulente duhet të përshkruajnë edhe llojin e kontratave të ngjashme të zhvilluara në 5 vitet e fundit, kohëzgjatjen e tyre, burimin e financimit, buxheti i tyre ( përmbushja e këtij kriteri do të vlerësohet me 50 pikë); disponueshmëria e personelit brenda kompanisë do të vlerësohet me 10 pikë.
Kompanitë që kërkojnë të marrin pjesë në prokurim, për të rritur kualifikimin e tyre kanë të drejtë të shoqërohen nga operatorë të tjerë në formën e një sipërmarrjeje të përbashkët ose të një nënkontraktori. Në shprehjen e interesit parashikohet se në rastin e një sipërmarrje të përbashkët, të gjithë ortakët do të jenë përgjegjës nëse kontrata zgjidhet.
Në prill të 2017 nisi një program pilot i kryer në Bashkinë e Tiranës, konkretisht në njësitë administrative, nr. 6 dhe nr. 7, për ngritjen e skemës të përfitimit të ndihmës, bazuar në modelin e vlerësimit psiko-social të personave me aftësi së kufizuar pas marrjes të informacionit.
Për të siguruar përhapje më të gjerë të këtij projekti pilot në qershor të 2019 qeveria miratoi dokumentin e politikave për reformën e programit, së bashku me planin e veprimit. Ky dokument parashikon shtrirjen progresive mbarëkombëtare të vlerësimit psiko-social të aftësisë së kufizuar bazuar në modelin e Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit dhe Shëndetit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Reforma e aftësisë së kufizuar është planifikuar të zgjerohet gradualisht në qarkun e Tiranës, në Durrës, Elbasan etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.