Banka Botërore ka bërë rishikimin e parë në start të projektit për rrugët lokale të cilën po e mbështet me një financim 50 milionë dollarësh. Në raportin e publikuar Banka jep afatet kur pritet që të mbarojnë punimet në tre rrugët e para lokale të caktuara si prioritet siç janë Thethi, Tushemishti dhe rruga e Semanit, por edhe detaje teknike mbi zgjerimin e tyre dhe plotësimin me korsi biçikletash për dy të fundit.
“Misioni ra dakord me agjencinë implementuese, Fondi Shqiptar i Zhvillimit për një plan pune mbi aktivitetet e prokurimit që lidhen me tre rrugët: rruga e Tushemishtit në Bashkinë e Pogradecit, rruga e Thethit në Bashkinë e Shkodrës dhe Semani në Bashkinë e Fierit. Në veçanti plani i punës synon përfundimin e prokurimeve për punët civile dhe mbikëqyrjen inxhinierike për rrugën e Tushemishtit dhe të Thethit deri në prill 2019 dhe për rrugën e Semanit në verën e 2019-ës. Ky plan kërkon përpjeke domethënëse nga një skuadër e dedikuar projekti që përfshin një koordinator, një inxhinier, një specialist prokurimi dhe një specialist sigurie. Për më tepër duke nisur nga zbatimi i punëve civile në rrugët e Tushemishtit dhe Semanit do të kërkohet blerja minimale e shiritave të tokës për të përshtatur zgjerimin, trotuaret dhe koristë e biçikletave. Megjithëse koha e parashikuar e FSHZH-së për përfundimin e procesit të zgjidhjes së kësaj pike është shtatë muaj e gjysmë, kemi besim se qeveria mund ta përshpejtojë këtë proces përmes rialokimeve të duhura në buxhet për ta përfunduar atë deri në momentin e nënshkrimit të kontratës së punimeve” vlerëson Banka Botërore.
I njëjti dokument nënvizon se cilat kanë qenë pikat kyçe që kanë propozuar qytetarët gjatë fazës së konsultimeve për ndërhyrjet në secilën nga rrugët ku për Thethin kanë qenë disa shtesa në projekt për të kalimin e bagëtisë për në zonat e kullotjes kurse në Tushemisht ndriçimi më i mirë i zonës.
Projekti për rrugët lokale ka në total tre komponentë ku komponenti i parë me një fond 46.88 milionë dollarë është parashikuar për përmirësimin e akesit, komponenti i dytë me kosto 1 milionë dollarë përfshin ndërtimin e kapaciteteve për bashkitë dhe komponenti i tretë me 2 milionë dollarë mbështetjen për zbatimin e projektit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.