Projekti më i ri, “Ishulli i vogël”, mbi lumin Hudson në Nju Jork

25/11/2019 12:53 PM 0 komente

Janë publikuar pamjet e para të projektit më të ri, Pier 55, i studios së arkitektëve Thomas Heatherwick.

Ato janë publikuar nga Fondacioni Diller-von Furstenberg, i cili është njëkohësisht edhe financuesi i projektit, i cili njihet ndryshe edhe me emrin “Ishulli i Vogël”.

Ai do të ndërtohet në 55 Hudson Greenway mbi lumin Hudson në Nju Jork.

Dizajni i projektuar nga Heatherwick Studio përfshin gjithsej 132 kolona betoni në formë tulipanësh që do të ngrihen mbi ujë për të krijuar një park të ri.

“Ky është një prej projekteve më emocionuese që ne po financojmë dhe me padurim po presim që të shikojmë të njëjtin gëzim edhe tek çdo banor i Nju Jorkut apo edhe tek çdo turist që do ta vizitojë atë, duke lënë pas kështu zhurmën dhe lodhjen që të jep një qytet i madh si Nju Jorku”, u shpreh Barry Diller, bashkëthemelues i Fondacionit Diller-von Furstenberg.

Kolonat e betonit që do të ngrihen mbi ujë janë projektuar për të krijuar imazhin e tulipanëve me lartësi të ndryshme, që fillojnë nga 4.5 metra deri në 18.9 metra, duke krijuar një peizazh topografik, dhe të mundësojnë një pamje krejtësisht ndryshe nga ajo e qytetit. “Ishulli i vogël” do të përfshijë zona të veçanta ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme si shfaqje teatrale, programe edukative, etj.

Studioja britanike, Thomas Heatherwick  ka bashkëpunuar me studion e arkitektëve Signe Nielsen të Mathews Nielsen Landscape Architects për të projektuar hapësirën  e gjelbër prej 2.4 hektarësh, e cila do të jetë e mbushur plot me lëndina, shtigje dhe kodrina të gjelbra. Në këtë “Ishull të vogël” do të mbillen rreth 100 loje pemësh dhe bimësh.

Projekti pritet të përfundohet në vitin 2021.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of