Projekti pilot për obligacionin referencë  5 vjeçar shtrihet edhe në maturimin 3-vjeçar

21/07/2019 11:00 PM 0 komente

Tregu i letrave me vlerë të qeverisë është përfshirë në një reformë, e cila synon t’i bëjë më reale dhe transparente normat e interesit dhe të zhvillojë më tej tregun sekondar të borxhit të brendshëm. Teksa modeli i ri ka nisur të pilotohet për obligacionet me maturim 5-vjeçar prej një viti, nga muaji shkurt i këtij viti ka nisur emetimi i obligacionit reference tre -vjeçar.

Obligacionet reference kuotohen çdo ditë, duke krijuar një normë referencë për interesat e letrave të borxhit qeveritar.

Kuotimi i përditshëm I yield-it të kësaj letre me vlerë nga zhvilluesit e tregut rrit transparencën mbi normat e interesit dhe bën të disponueshme në treg në kohë reale një informacion mbi çmimin e një instrumenti financiar “pa risk”, i cili është i nevojshëm për përcaktimin e normave të interesit të instrumenteve financiare afatgjata.

Ndryshe nga letrat e tjera më vlerë të qeverisë, obligacionet referencë kanë spektër më të kufizuar tregtimi, pasi vetëm pesë banka kanë të drejtë ta blejnë atë të në tregun primar e më pas ta shesin në tregun sekondar. Aktualisht lejen e kanë Banka Amerikane e investimeve, Banka Credins, Banka Intesa Sanpaolo Albania, Banka Kombëtare Tregtare, Banka e Parë e Investimeve, Albania.

Obligacioni 5 -vjeçar referencë filloi të tregtohej me 17 korrik 2018. Aktualisht interesi i tij është 3,26% në raport me 5.01 % kur ai nisi të tregtohej.

Ndërsa ndryshe ndodhi me obligacionin referencë 3-vjecar, interesi i cilit aktualisht është 2.26% nga 1.80 për qind që ishte në shkurt kur nisi emetimi i tij.

Banka Qendrore pret që emetimi i titujve referencë (benchmark) nëpërmjet Zhvilluesve të Tregut, të rrisë konkurrencën në tregun primar, si dhe likuiditetin e titullit nëpërmjet zhvillimit të tregut sekondar.

Për sa i përket aksesit të individëve, institucioneve të tjera financiare që nuk janë Zhvillues Tregu apo të çdo të interesuari për të marrë pjesë në investimin në titujt referencë në tregun primar, Banka e Shqipërisë shpjegon se janë të lirë të marrin pjesë nëpërmjet Zhvilluesve të Tregut, njësoj sikundër marrin pjesë për titujt e tjerë nëpërmjet bankave të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of