Një draftligj i ri “Për metrologjinë” relacioni i të cilit argumenton se përafron legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, legjitimon edhe koncesionin e kontollit ligjor të pompave të naftës dhe gazit duke sanksionuar se kjo pjesë nuk është detyrim i Drejtorise së Përgjithshme të Metrologjisë.
Konkretisht bëhet fjalë për pikën 2 të nenit 22 që ka të bëjë me verifikimin e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara.
Kjo pikë shpreh se “Me përjashtim të shërbimit të kontrollit ligjor, nëpërmjet verifikimit të të gjitha instrumenteve matëse, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, kryerja e të cilit bëhet ekskluzivisht nga një person juridik privat i autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi, shërbimet e tjera të verifikimit të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, e cila mund t’ua delegojë këtë shërbim personave juridikë privatë, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 39, të këtij ligji”.
Kjo do të thotë se kontrolli tek hidrokarburet do të bëhet nga një subjekt privat që ështe ndryshe nga subjektet, që kanë thjesht një autorizim nga DPM.
Qeveria ka kaluar kontrollin e pompave të karburanteve dhe gazit tek një kompani private për një periudhë 20 vjeçare.
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë gjithashtu mund të kalojë tek subjekte të tjera private përmes autorizimeve detyra te saj të kontrollit kur nuk ka kapacitete të mjaftueshme për ta bërë këtë.
Në rastin e karburanteve dhe gazit DPM verifikon vetëm pjesën e dokumentacionit.
Projektligji kategorizon disa lloj inspektimesh dhe kontrollesh. Kështu të gjithë instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, i nënshtrohen verifikimit që mund të jetë fillestar, pasardhës, periodik i rregullt, i kryer në intervale kohore specifike dhe jashtë radhe.
“Shtimi i frekuencës së verifikimeve të lartpërmendura bëhet në varësi të analizës së riskut në treg. Verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, bëhet jo më pak se dy herë në vit dhe përfshin kontrollin dhe sigurimin e regjimit automatik” thuhet në draft që tashmë është dorëzuar në Kuvend.
Drafti parashikon edhe procedurat se çfarë ndodh kur duhet të bëhet riparimi i një sistemi matës, afati i nevojshëm për këtë nderhyrje, personat e autorizuar e një sërë elementësh të kësaj natyre.
Autorizimet që u jepen subjekteve private nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë kane afat 4 vjeçar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.