Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama tha sot në Kuvend se nuk do të votojë projektligjin për rritjen e pagave, konkretisht pikën ku përfshihet rrija e menjëhershme e pagës edhe për deputetët dhe ministrat.
Sipas kryeministrit rritja e pagës për këtë kategori duhet të bëhet pasi të miratohet e gjitha paketa e rritjes, deri te personi i fundit në vend.
“E vërteta është që deputetit për misionin që ka, për punën që i kërkohet dhe për çfarë duhet të bëjnë për të gjithë ata që i zgjedhin, meritojnë pagën e propozuar. Kjo nuk diskutohet. Sa e bëjnë punën? Sa përmbushin misionin? Këto nuk lidhen me si vihet paga, ama unë në një gjë jam kundër. Prapë sot po ju them. Unë nuk e votoj këtë pikë. Le të bëhet çfarë të dojë, unë vetë nuk e votoj.
Për mua paga duhet të vendoset sot dhe duhet të hyjë në fuqi ditën që bëhet rritja e pagës deri tek më i fundit. Pra nëse mësuesve dhe mjekëve të përgjithshëm dhe shumë të tjerëve iu themi që ju do të merrni sot këtë rritje dhe rritjen tjetër do ta merrni në harkun e vitit dhe paga juaj do të jetë e plotë, e rritur dhe ne do të kemi mesataren 900 euro në Shqipëri ne mes të vitit të ardhshëm, atëherë për deputetët dhe për ministrat paga duhet të hyjë në fuqi dhe duhet të vijë në llogaritë e secilit vetëm kur të jetë bërë për të gjithë. Ky është qëndrimi im. Përpara kësaj, unë mendoj që është e pamoralshme. Këtu po, unë jam dakord. Për solidaritet dhe për atë që kush merr më shumë duhet të bëjnë më shumë, ky është principi jonë”.
Deri në prillin e ardhshëm paga mesatare do të mbërrijë ne vlerën e 900 eurove deklaroi kryeministri Edi Rama.
“Sot jam shumë i lehtësuar për hir të së vërtetës sepse vijmë për të kaluar një projekt, të cilin kemi dashur ta kalojmë vite më parë dhe për të cilin kem luftuar çdo ditë të këtyre viteve. E kemi marrë këtë vend, kur tabela e klasifikimit ishte si vijon; 259 euro paga mesatare, ndërkohë që Kosova e kishte 444 euro, Maqedonia e Veriut e kishte 504 euro, Serbia e kishte 537 euro dhe Mali i Zi e kishte 726 euro. Kemi qenë jo thjeshtë të fundit, por të fundit me diferencë. Sot tabela është si vijon. Kosova 504 euro, Maqedonia e Veriut 705 euro, Serbia 763 euro, Bosnje-Hercegovina 890 euro, Mali i Zi 792 euro dhe me votimin e sotëm, ne i hapim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen, pra në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare. Sigurisht që edhe të tjerët do rriten në raport me këtë, por sipas të gjitha gjasave me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit”, deklaroi Rama.
Në seancën e sotme plenare protet të miratohet projektligji për rritjen e pagave të Presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe nëpunësve të administratës publike.
Komisioni i Ekonomisë miratohi të martën dy projektligjet që i hapën rrugë rishikimit të pagave të administratës publike për herë të parë që nga viti 2006.
Në projektligj parashikohet edhe rishikimi i pagave për 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, që pagën e kanë të lidhur me atë të presidentit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.