Qeveria nuk do të mund të parashikojë ecurinë e borxhit publik në bazë të parashikimeve të saj mbi rritjen ekonomike, të cilat kanë rezultuar këto vitet e fundit mbioptimiste.
Ligji i ri organik i buxhetit që ka kaluar për diskutim në parlament vë si referencë për ecurinë e borxhit publik parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në dokumentin “Perspektiva Ekonomike Botërore” (World Economic Outlook).
“Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës, nuk mund të jetë më e lartë sesa vlera respektive e parashikuar ose vlerësuar në raportin (World Economic Outlook), të FMN-së, më i fundit i publikuar në kohën kur ligji vjetor i buxhetit dorëzohet për miratim në Kuvend” thuhet në projektligjin e qeverisë.
Në çdo ligj vjetor fillestar të buxhetit si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, kur rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto, e parashikuar në raportin respektiv “Perspektiva Ekonomike Botërore”, të FMN-së, është, të paktën 5%, atëherë deficiti i përgjithshëm nuk mund të jetë më i lartë se sa 2% e Produktit të Brendshëm Bruto, përveç rasteve të rrethanave të jashtëzakonshme, të përcaktuara paraprakisht me ligj.
Në fazat monitoruese të buxheteve faktikë, nëse për shkak të rishikimeve të mundshme të PBB-së nominale ose për shkak të ndryshimeve në kurset e këmbimit, që përdoren për vlerësimin e stokut faktik të borxhit publik, rezulton se raporti i borxhit publik ndaj PBB-së nuk është më i ulët, kundrejt nivelit të vitit pararendës, atëherë, si rregull, këto devijime duhet të kompensohen në planifikimet e viteve buxhetore pasuese, thuhet në projektligj.
Gjithashtu ligji i ri përcakton se në çdo vit buxhetor të planifikuar duhet të përfshihet një kontingjencë e veçantë, prej jo më pak se sa 1% e shpenzimeve totale të buxhetit, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.