Komsioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në parim këtë të mërkurë projektligjin ““Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” duke marre edhe komentet nga palët e interesit mbi mundësitë për të bërë përmirësime. Përfaqësuesi i Autoritetit të Mbikqyrejs Financiare Niko Kotonika në mbrojtjen që i bëri draftit sqaroi se ai është në përafrim të direktivave të Bashkimit Europian dhe disa prej eksperiencave të huaja që synojnë zhvillimin e tregut. Sipas Kotonikës në draft sillen disa koncepte të reja mbi aktorët e tregut, hapësirave të tregtimit, procedurave të lidhura me bashkimin e fondeve apo nënfondeve. Një vëmendje e shtuar sipas Kotonikës i është vënë transparencës si dhe kujdesit ndaj investitorëve që janë pjesë e këtye fondeve.
“Në kreun 12 vëmendja është tek mbikqyrja e AMF si insititucion. Këtu kemi një risi ku draftligji i jep AMF të drejta hetimi për subjektet që licencohen. Është një praktikë ndërkombëtare. Komisionet e titujve kanë të drejtë të hetojnë subjektet ose personat nëse shohin një praktikë të gabuar.
Po kështu vëmendje ka për mbrojtjen e investiorit nga mashtrimet si dhe masat administrative që mund të merren ndaj aktorëve të tregut. Ligji ka edhe tre shtojca ku në pjesën e parë është përcaktuar informacioni minimal që duhet të përmbajë prospektusi i fondit. Shtojca 2 përcakton metodikat e llogaritjes për fondet e reja dhe shtojca 3 përcakton informacionet vjetore dhe pasqyrat e ndërmjetme” sqaroi Kotonika.
Në lidhje me këtë projektligj palët e interesit shprehën komentet e tyre. Nga Raiffeisen Invest Albania Edlira Konini u ndal në dy pika ku së pari kufizimin që sjell ligji lidhur me ndarjen e shoqërisë administruese dhe depozitarit. Sipas saj shoqëritë administruse që kanë mundësi që shëbrimet t’i marrin nga banka mëmë mund të shihej kjo heqje kufizimi. Po kështu Konini u ndal edhe në një kriter që ka të bëjë me pjesëmarrjen në ankandet në euro ku përcaktohet një kufizim 6 ankande kur në fakt qeveria shqiptare sipas saj zhvillon vetëm tre të tillë në euro në vit.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe përfaqësuesja e Credins Invest Estela Koçi e cila nënvizoi se ishte dakord me propozimet e Raiffeisen por shtoi se ka nevojë dhe për disa rishikime të tjera në ligj.
“E para ka të bëjë me afatet e miratimeve për licencën nga AMF. Parashikohet 6 muaj. Ne sugjerojmë që kjo periudhë të jetë 2 muaj. Gjithashtu është edhe në nenin 92 që për ndryshimet e rëndëishme në prospektin e kompanisë kërkohet një periudhë 3 mujore për të njoftuar AMF dhe 2 mujore për klientët pra 5 muaj që është goxha e gjatë kështu që sugjerojmë që kjo të bëhet nga 3 muaj në 1 muaj. Në analogji me depozitarin thuhet se nëse ai është në procedurë likujdimi apo falimenti asetet e tij janë të papekshme. Këtë lloj sigurie ne kërkojmë që ta ketë dhe shoqëria administruese. Dispozitat përcaktojnë një afat 18 mujor sa i takon zbatimit. Ligji është kompleks dhe ndoshta duhet të vendosej një instruksion nga AMF sesi ne në këto muaj të jemi në gjendje ta zbatojmë” tha Koçi.
Gentiana Gjonça nga ABI Invest nënvizoi se në nëne të caktuara thuhet që shoqëria administruese dhe depozitari mbajnë përgjegjësi të njëjta kur në fakt marrdhënien me klientin e ka shoqëria administruese. “Do doja të ishte më e qartë pjesa e masave administrative për depozitarin” tha Gjoncaj.
Arton Lena nga WVP Fund Management u shpreh se ligji jep një hapësirë të madhe për zhvillimin e tregut financiar në vend por që sipas tij është më i avancuar sesa tregu që ndoshta do të shërbejë si nxitje për ecurinë e tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.