Investimet e huaja dhe ato vendase do të ketë mbrojtje dhe detyrime të barabarta para ligjit. Një draft ligj që ka për objekt të pikërisht investimet është nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në një përpjeke për të unifikuar në një të vetëm kuadrin ligjor. “Miratimi i projektligjit ‘Për investimet’ ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike. Në këto kushte u mendua që hartimi i një ligji të unifikuar të investimeve që mbron njësoj si investimet vendase, por dhe ato të huaja, duke u përshkuar i gjithë ligji nga parimet e transparencës, barazisë dhe të trajtimit pa diskriminim të investitorëve do të rriste garancinë e investitorëve” thuhet në relacion.
Drafti duket se është një përmbledhje e gjithë kuadrit ligjor për investimet strategjike dhe ato që nuk i përkasin këtij kategorizimi. Lidhur me strategjikët sektorët janë lënë të njëjtë duke nënvizuar se si të tillë do të konsiderohen sektori energjetik dhe minerar, sektori i transportit, i infrastrukturës, i komunikimeve elektronike dhe i mbeturinave urbane, sektori i turizmit (strukturat turistike), sektori i bujqësisë (fermat e mëdha bujqësore) dhe i peshkimit, sektori i zonës ekonomike zonat me prioritet zhvillimi.
Projektligji sjell si risi edhe zgjidhjen e shpejtë në rastet e konflikteve mes institucioneve dhe investitorëve për të evituar Arbitrazhet.
“Risi në projektligj përbën trajtimi i një mekanizmi të shpejtë brenda pushtetit ekzekutiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i lindin një investitori me institucionet shtetërore, duke u përpjekur kësisoj të evitohen kostot e shtuara gjyqësore apo të tjera.
Me anë tjetër, miratimi i projektligjit “Për investimet” përveçse ndikon drejtpërdrejte në krijimin e një klime më të favorshme për investimet në vend e duke sjellë kësisoj efekte pozitive në ekonomi, pritet të sjellë garanci e standarde të përparuara në disa fusha. Po ashtu ligji siguron zbatimin e standardeve dhe rregulloreve të punës, të sigurisë dhe të mbrojtjes së mjedisit” sqarohet në relacion.
I njëjti nënvizon se qeveria mund të jetë bashkëpjesëmarrës në investime strategjike ndërkohë që vetë investitori mund të kërkojë miratimin e kontratës edhe në Kuvend përveçse në Këhsillin e Ministrave si një garanci më shumë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.