Projektligji për Rimëkëmbje, Odat e Hotelerisë dhe Turizmit kërcënojnë me protesta

24/11/2020 3:03 PM 0 komente

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ende s’është finalizuar në Kuvendin e Kosovës, përkundër që në lexim të parë ka kaluar. Ky Ligj është votuar në një seancë të jashtëzakonshme, me 64 vota për, mirëpo nuk ka arritur ende të miratohet në lexim të dytë.

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka paralajmëruar protesta në rast se as në seancën e ardhshme nuk kalon Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Pas më shumë se një orë e gjysmë takim, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka marrë disa vendime në rast se nuk kalon Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva ka treguar se së bashku me odat tjera, kanë ndikuar që sot të mos ketë mbyllje totale të vendit, duke shpëtuar edhe miliona euro.

“E para u vendos që të kalohet sa më parë, bile në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike të kalohet sa më parë. Përndryshe pas kësaj, nëse kjo nuk kalohet do të pasojnë protestat, ndoshta fillohet iniciativa e pa dëgjueshmërisë të këtyre masave aktuale. Pastaj të paguhen të gjithë punëtorët, sepse ende nuk janë paguar punëtorët të cilët e kanë pasur obligim. Interesi bankar të stopohet sa më parë, kjo mos të na i trazojë bizneset hoteliere në Prishtinë”, tha ai.

Sogojeva pas këtij takimi tha se po kërkohet edhe që të paguhet qiraja, pasi sipas tij njerëzit janë në hall.

“Ne si Odë morëm vendim që të ngremë padi ndaj qeverisë edhe të kaluarën edhe kësaj sot, sepse deri në ligjin e pandemisë të gjitha vendimet kanë qenë antikushtetuese, andaj ne do të ngremë padi kolektive, sepse dëmet të cilat janë bërë në atë kohë t’i kthehen bizneseve”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se do të dakordohen edhe me odat tjera, që në rast se edhe në seancën e ardhshme nuk kalon Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, do të fillojnë daljen në protesta. Ndër tjera, kanë kërkuar sa më parë të shfuqizohen masat të cilat janë në fuqi, meqë siç tha ai këto nuk po ndihmojnë në mos-përhapjen e COVID-19.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se seanca për votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, mund të mbahet gjatë javës së ardhshme

Gashi ka thënë se tashmë është thirrur seanca e jashtëzakonshme për votimin e Ligjit.

“Seanca e jashtëzakonshme është e thirrur, por besoj që do të aktivizohet gjatë javës së ardhshme. Nëse do të jemi në rregull, pasi ka disa deputetë që janë me COVID-19 dhe ka përpjekje që ta mundësojnë me thirr seancën”.

https://www.monitor.al/rimekembja-peng-i-nje-ligji-qe-nuk-u-votua-kurre-2/

Përfaqësuesit e gastronomëve, gjatë një proteste kundër masave kufizuese, ia kishin dorëzuar “çelësat” e bizneseve të tyre Qeverisë së Kosovës. Për këtë arsye, të gjitha subjektet ekonomike në Kosovë, disa herë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që votojnë projektligjin.

Pasi sipas tyre, vetëm “veprimi i shpejtë, i përcjellë me masa që adresojnë në mënyrë proporcionale dëmin e shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.

Qeveria e Kosovës, në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike deri më tani ka ndihmuar bizneset edhe me 60 milionë euro. Nga kjo shifër, kanë përfituar mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.

Se duhet të votohet ky ligj për t’u ringjallur ekonomia e vendit pas dëmeve nga pandemia COVID-19, e kanë thënë edhe ambasadorë të huaj, e po ashtu edhe ekspertë të ekonomisë.

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ende s’është finalizuar në Kuvendin e Kosovës, përkundër që në lexim të parë ka kaluar.

Ky projektligj është votuar në një seancë të jashtëzakonshme, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. I njëjti kap vlerën e 385 milionë eurove.

Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshin edhe tërheqjen e 10 përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.

Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, me anë të një njoftimi për media, pati sqaruar se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet nga ky institucion.

“Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë, ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura”, thuhej në njoftimin e Trustit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of