Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA ishte e ndarë ndërsa miratoi projekt-ligjin për të pezulluar tavanin e borxhit prej 31.4 trilion dollarësh, me mbështetjen e shumicës si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, për të shmangur një falimentim katastrofik.
Dhoma e kontrolluar nga republikanët, votoi 314-117 për dërgimin e legjislacionit në Senat, i cili duhet të miratojë masën dhe ta çojë atë në tryezën e Presidentit Joe Biden, përpara afatit të së hënës, kur qeveria federale do të të ketë mbetur pa para për të paguar faturat.
“Kjo marrëveshje është një lajm i mirë për popullin amerikan dhe ekonominë amerikane”, tha Biden pas votimit. “I bëj thirrje Senatit, që ta miratojë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që unë ta nënshkruaj atë në ligj”.
Masa, një kompromis midis Biden dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, hasi kundërshtimin nga 71 republikanë. Kjo normalisht do të mjaftonte për të bllokuar legjislacionin partizan, por 165 demokratë – më shumë se 149 republikanët që votuan për të – e mbështetën masën.
Legjislacioni pezullon – në thelb, heq përkohësisht – kufirin e huamarrjes së qeverisë federale deri më 1 janar 2025. Afati kohor i lejon Biden dhe Kongresit, të lënë mënjanë çështjen me rrezik politik, deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024.
Ai gjithashtu do të kufizojë disa shpenzime qeveritare gjatë dy viteve të ardhshme, do të përshpejtojë procesin e lejeve për projekte të caktuara energjetike, do të kthejë fondet e papërdorura të COVID-19 dhe do të zgjerojë kërkesat e punës, për programet e ndihmës ushqimore.
Zyra e Buxhetit të Kongresit tha se legjislacioni do të rezultojë në 1.5 trilion dollarë kursime gjatë një dekade. Kjo është nën kursimet prej 4.8 trilion dollarësh, që synuan republikanët në një projekt-ligj, që kaluan në Dhomën e Përfaqësuesve në prill, dhe gjithashtu nën 3 trilion dollarë deficit, që buxheti i propozuar nga Biden, do të kishte ulur gjatë asaj kohe përmes taksave të reja.
Në Senat, udhëheqësit e të dyja partive thanë se shpresonin të miratonin legjislacionin përpara fundjavës. Por, një vonesë e mundshme mbi votat e amendamentit, mund t’i ndërlikojë gjërat.
Në një fitore për republikanët, projektligji do të zhvendoste disa fonde nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme, megjithëse Shtëpia e Bardhë thotë se kjo nuk duhet të zvogëlojë zbatimin e taksave.
Marrëveshja e lë të paprekur infrastrukturën dhe ligjet e energjisë së gjelbër, dhe shkurtimet e shpenzimeve dhe kërkesat e punës janë shumë më pak se sa kishin kërkuar republikanët.
Republikanët kanë argumentuar se shkurtimet e mëdha të shpenzimeve, janë të nevojshme për të frenuar rritjen e borxhit kombëtar, i cili është afërsisht i barabartë me prodhimin vjetor të ekonomisë.
Sipas parashikimeve të qeverisë, pagesat e interesit për atë borxh, parashikohen të konsumojnë një pjesë në rritje të buxhetit, pasi popullsia në plakje rrit kostot e shëndetit dhe pensionit. Marrëveshja nuk do të bënte asgjë për të frenuar ato programe me rritje të shpejtë.
Shumica e kursimeve do të vinin nga kufizimi i shpenzimeve për programet e brendshme si strehimi, arsimi, kërkimi shkencor dhe forma të tjera të shpenzimeve. Shpenzimet ushtarake do të lejohen të rriten gjatë dy viteve të ardhshme.
Përplasja me tavanin e borxhit, bëri që agjencitë e vlerësimit, të paralajmërojnë se mund të ulin borxhin e SHBA-së, i cili mbështet sistemin financiar global.
Agjencia e vlerësimit të kredisë DBRS Morningstar, vuri Shtetet e Bashkuara në shqyrtim për një ulje të mundshme javën e kaluar, duke i bërë jehonë paralajmërimeve të ngjashme nga Fitch, Moody’s dhe Scope Ratings.
Një agjenci tjetër, S&P Global, uli borxhin e SHBA-së pas një bllokimi të ngjashëm me tavanin e borxhit në vitin 2011, gjatë një ndarjeje të ngjashme me një president demokrat dhe shumicën e Senatit dhe një Dhomë me shumicë republikane. / Reuters