Projektligji i ri nuk jep një zgjidhje finale për problematikat e tregut. Në draftin e propozuar nga AMF, kompanitë e sigurimit shohin disa pika pozitive, por edhe disa që mund të ishin menduar më mirë.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë së fundit që hyri në treg gjashtë vite më parë, ANSIG, Edlir Ruka, shprehet se mund të ishin menduar mekanizma që nxisnin më shumë konkurrencën në treg. Sipas tij, tregu i sigurimeve vijon të varë mbijetesën e tij nga sigurimi motorik, duke frenuar zhvillimin e përgjithshëm që mund të kishte duke rritur edhe pjesën e sigurimit vullnetar.
Ju jeni kompania e fundit që i jeni shtuar këtij tregu pak vite më parë. Si e shihni sot këtë treg, pas disa vitesh operim në të? Në çfarë faze ndodhet sot ky treg?
Prej vitit 2012, ANSIG ushtron veprimtarinë në tregun e sigurimeve, i cili, që në momentin e parë që shoqëria ka hyrë në treg e deri në ditët e sotme, e ka ndryshuar shumë pak fizionominë, ndërkohë që problematikat vijojnë të jenë të njëjta.
Sigurimi i detyrueshëm motorik praktikisht përcakton mbijetesën e shoqërive në këtë treg dhe konkurrenca në këtë produkt, praktikisht ka frenuar mundësitë dhe incentivat për zhvillim apo penetrim të produkteve vullnetare. Mungesa prej vitesh e reformave strukturore thjesht ka agravuar problemet e trashëguara, duke vënë nën presion stabilitetin afatmesëm të tregut.
Nga ana e saj, shoqëria ANSIG, edhe pse u përball me një sërë problemesh, që vinin si pasojë e një historiku të gjatë të operatorëve ekzistues, si deficiti i fondit të kompensimit, mungesa e diferencimit të produkteve dhe penetrimit të produkteve vullnetare, përsëri ka arritur të sigurojë një rritje të kontrolluar dhe pozicionim të qëndrueshëm.
Fondi i Kompensimit është bërë herë pas here objekt debati për mënyrën sesi është menaxhuar. Çfarë problematikash konstatoni ju në lidhje me këtë fond?
Sikurse e theksova në përgjigjen për pyetjen e parë, ne jemi kompania më e re në tregun e sigurimeve në Shqipëri, që u licencuam 6 vite pas licencës më të fundit të dhënë. Pra, hyrja në këtë treg me lojtarë të konsoliduar na ballafaqoi menjëherë me të gjitha problemet e tij të trashëguara në vite. Një nga këto probleme, madje ndër më madhorët do të thoja, ka qenë mënyra jo e mirë e menaxhimit të fondit të kompensimit, që demonstrohet me deficitin e lartë të krijuar në vite për shkak të dëmeve të mbetura pa paguar.
Kompania jonë i ka vuajtur drejtpërdrejt problemet e menaxhimit jo të mirë, nga të gjitha palët e përfshira, të fondit të kompensimit. Sapo hymë në treg u përballëm me kërkesat për pagimin e detyrimeve të prapambetura në masë të konsiderueshme për një kompani që nuk kishte as treg dhe aktivitet të kufizuar, pra ende nuk kishim grumbulluar të ardhura dhe të ishim konsoliduar. E thënë më thjesht, ne e kemi filluar aktivitetin si kompani “me detyrimin për të paguar borxhe të të tjerëve”, borxhe të cilat ishin grumbulluar prej më shumë se një dekade (nga viti 2001, kur kompania hyri në treg në shtator 2012). Për hir të së vërtetës, problemet me fondin e kompensimit u panë plotësisht dhe u bënë të njohura vetëm pas analizave dhe vlerësimeve të misionit të FSAP.
Në këto rrethana, shoqëria e adresoi problemin në rrugë administrative dhe gjyqësore. Praktikisht kemi sfiduar në gjykatë vendimet nga viti 2015 e në vijim dhe çështjet i kemi fituar. Dhe pas gjithë këtyre vitesh dhe vendimesh të gjykatave (si administrative dhe civile) në favorin tonë, çështja nuk ka marrë zgjidhje përfundimisht në mënyrë të drejtë dhe kompania jonë përballet me këtë pasiguri, e cila na ka frenuar në strategjinë tonë të rritjes. Aktualisht autoriteti mbikëqyrës ka në diskutim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm dhe po ndjekim procesin nëse ka vullnet për ta korrektuar situatën.
AMF ka gati draftin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. A i zgjidh ky draft problematikat që shfaq sot tregu. Çfarë është bërë mirë dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë?
Po vijoj me përgjigjen e dhënë, po ndjekim me shumë vëmendje nëse ka vullnet që nëpërmjet këtij projektligji t’i jepet zgjidhje problemeve me fondin e kompensimit. Në variantin e projektligjit që është publikuar ka zgjidhje pjesore, jo të motivuar në bazë të parimit të sanksionimit të rregullave të barabarta për të gjithë në treg dhe mbi të gjitha, që nuk nxisin konkurrencën.
Ndryshimet në arkitekturën institucionale (në lidhje me ndarjen e byrosë së sigurimeve) nuk sjellin risi që të justifikojnë këtë proces. Përkundrazi, në opinionin tim shtojnë kostot operacionale, si rrjedhojë e rritjes së numrit të institucioneve në treg. Gjithashtu, është i paqartë procesi i transferimit të detyrimeve nga Byroja tek Enti dhe i financimit të tyre, me pasoja pasigurie, si për shoqëritë e sigurimit, edhe për të dëmtuarit në aksidente.
Projektligji ka një aspekt pozitiv, që prezanton sistemin bonus-malus, për të lidhur përcaktimin e çmimit të produktit me rrezikun që mbulon në bazë individuale, por, nga ana tjetër, ka deformuar parimin e përcaktimit të liberalizuar të primeve për sigurimin e detyrueshëm.
Aspekt tjetër pozitiv është që projektligji ka krijuar hapësirë për të zgjeruar spektrin e vërtetimit me sigurim, duke përfshirë edhe format e dematerializuara të sigurimit të detyrueshëm motorik, gjë e cila është në harmoni me zhvillimet në tregje të tjera dhe ndihmon konsumatorin. Por projektligji nuk ka parashikime të plota të nevojshme për ta kthyer këtë risi ligjore në zbatim konkret në praktikë. Edhe në këtë aspekt, projektligji ka nevojë të rishikohet, në mënyrë që ky element të jetë i zbatueshëm në praktikë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.