Detyrat për prefektët e qarqeve pritet të shtohen e po kështu edhe aksesi i tyre mbi mjetet e nevojshme për të përmbushur ato.
Një projektligj të paraqitur nga Ministria e Brendshme për konsultim jepen edhe detajet lidhur me këto ndryshime. Relacioni që shoqëron projektligjin nënvizon se prefekti do të ushtrojë kontroll më të gjerë tek njësitë e vetëqeverisjes vendore ndërkohë që task-forcat e nivelit qendror që ngarkohen me misione të veçanta do të vënë në dispozicion mjetet e nevojshme edhe për këtë hallkë.
“Prefekti me akte ligjore dhe nënligjore të veçanta drejton shtabe dhe task-forca dhe organizma në qark siç janë; për emergjencat civile dhe krizat, për energjinë elektrike, për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, për mbarëvajtjen e sezonit turistik etj. Lidhur me mbarëvajtjen e këtyre është parashikuar, që rast pas rasti prefektit të qarkut i kalohen mjetet dhe fondet e domosdoshme nga task-forcat qendrore për funksionimin e task-forcës vendore” thuhet në relacion.
Kështu prefekti për institucionet e varësisë ka të drejtë tashmë që të kërkojë fillimin e procedurës së inspektimit në rast se konstaton shkelje ligjore, gjatë kryerjes së kontrolleve dhe monitorimeve apo shqyrtimit të ankesave, si dhe përcaktimin e mënyrës së kontrollit dhe monitorimit të zbatimit të politikave në qark do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Lidhur me nevojat për staf sipas detyrave që i ngarkohen prefekti ka të drejtë që të kërkojë edhe punonjës me kontratë të përkohshme. Kjo bëhet pranë ministrisë përgjegjëse.
Konkretisht ministria, me kërkesë të prefektit të qarkut, për detyra suplementare që rrjedhin nga task-forcat ose detyrime të tjera të transferuara pranë tij, i kërkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të miratoje punonjës me kontratë për institucionin e prefektit të qarkut. Rregullorja tip e funksionimit të administratës së prefektit të qarkut miratohet nga ministri.
Lidhur me funksionin për nënprefektin është shtuar se propozimi që bëhet duhet të jetë jo me një por me dy kandidatura. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.