Një projektligj i ri i cili pritet që të nisë diskutimet shumë shpejt në Kuvend, përmban rregullat për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, të dhënave daktiloskopike dhe të dhënave të regjistrimit të automjeteve mes 10 shteteve të Europës Juglindore dhe BE. Me anën e shkëmbimit automatik të të dhënave të ADN-së dhe daktiloskopike, Shqipërisë i krijohet mundësia që të shfrytëzojë 10 bazat e të dhënave të shteteve të tjera që do të bëhen palë të projektligjit, duke i dhënë akses që të kontrollojë profilet e ADN-së, shenjat daktiloskopike dhe të dhënat e regjistrimit të automjeteve, si të shtetasve shqiptarë ashtu dhe profilet e ADN-së të ngjarjeve kriminale të ndodhura në Shqipëri, me qëllim identifikimin on-line të personave që janë përfshirë në këtë aktivitet kriminal apo kanë ndryshuar të dhënat e tyre identifikuese, emër, mbiemër etj.
Në lidhje me kostot financiare për këtë projektligj, relacioni shpjegon se kosto shtesë duhet të planifikohen për implementimin e rrjetit të kriptuar TESTA që do të bëjë të mundur realizimin e sigurt të lidhjes fizike të dy sistemeve, atij CODIS dhe AFIS/APIS me sistemet respektive të të 10 shteteve anëtare të PCC SEE (EJL). Po kështu, kosto shtesë do të ketë dhe për shkëmbimin automatik të të dhënave të regjistrimit të automjeteve në sistemin EUCARIS.
“Republika e Shqipërisë ka aderuar me ligjin nr.145/2014, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin në lidhje me Sistemin Europian të Informacionit për Automjetin dhe Lejen e Drejtimit (EUCARIS)”, në këtë traktat. Për sa i përket rrjetit TESTA, kostot e instalimit dhe mirëmbajtjes së këtij rrjeti do të varen nga sa institucione që lidhen me të. Rrjeti TESTA administrohet nga Komisioni Evropian dhe është një rrjet i sigurt dhe që ofron kriptim. Në vendet e BE-së përdoret për komunikimin e administratave dhe nga ministritë përgjegjëse për financat dhe drejtësinë. Ashtu si në rastin e Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, palët kanë rënë dakord të nënshkruajnë bazën ligjore të bashkëpunimit dhe të punojnë hap pas hapi mbi ngritjen e kapaciteteve për zbatim. Ky projektligj pritet të kontribuojë në rritjen e efektshmërisë së strukturave ligjzbatuese në zbulimin dhe identifikimin e personave të përfshirë në aktivitet kriminal, nëpërmjet aksesit në bazat e të dhënave të vendeve të tjera. “- thuhet në relacion.
Ky projektligj përmban rregullat për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, të të dhënave daktiloskopike, të të dhënave të regjistrimit të automjeteve, si dhe shkëmbimin e të dhënave personale në dispozicion.
Për mbështetjen e zbatimit të transmetimit dhe krahasimit të të dhënave të ADN-së, të dhënave daktiloskopike dhe të dhënave të regjistrimit të automjeteve, palët përcaktojnë:
- Dispozitat mbi kushtet dhe procedurat për transferimin e automatizuar të profileve të ADN-së, të dhënave daktiloskopike dhe të dhënave për regjistrimin e automjeteve.
- Dispozitat e nevojshme administrative dhe teknike, për zbatimin e shkëmbimit të automatizuar të të dhënave të ADN-së, të të dhënave daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve.
- Me qëllim ofrimin e të dhënave personale dhe informacioneve të tjera të lidhura me të dhënat e referencës, çdo palë do të caktojë një pikë kombëtare kontakti. Për të siguruar konfidencialitetin dhe integritetin e të dhënave që do të dërgohen te palët e tjera, do të merren të gjitha masat e nevojshme duke përfshirë dhe kriptimin e tyre.
- Për hetimin e veprave penale dhe për të ndihmuar në identifikimin e personave të humbur dhe mbetjeve njerëzore të paidentifikuara, palët me një pëlqim të përbashkët, nëpërmjet pikave të tyre kombëtare të kontaktit do të krahasojnë profilet e ADN-së, me të gjitha profilet e ADN-së të dosjeve të analizës së ADN-së kombëtare. Profilet do të ofrohen dhe do të krahasohen në një formë të automatizuar.
Palët do të sigurojnë disponueshmërinë e të dhënave nga dosja për sistemet kombëtare të automatizuara të identifikimit të gjurmëve të gishtave, të përcaktuara për parandalimin dhe hetimin e veprave penale, si dhe për të ndihmuar në identifikimin e personave të humbur dhe të mbetjeve të paidentifikuara njerëzore. Të dhënat e referencës do të përfshijnë vetëm të dhënat daktiloskopike dhe një numër reference, duke mos ofruar asnjë të dhënë nga të cilat subjekti mund të identifikohet në mënyrë direkte.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.