Këshilli i Ministrave nuk ka ende një faturë të plotë të dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e fundshtatorit që goditën Shqipërinë por në planin e masave të mara përveç ndryshimit të buxhetit qeveria ka rishikuar procedurat e prokurimit publik.
Me ndryshimet e miratuara në mbledhjen e të mërkurrës qeveria ka rritur tavanin monetar të prokurimeve që do të realizohen pa garë nga 400 mijë në 1 milionë lekë.
Sipas VKM-së, në fund të pikës 2, të nenit 8, “Kufijtë monetarë”, të tekstit të rregullave të prokurimit publik, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Përjashtimisht, për vitin 2019 lejohen autoritetet kontraktore, të cilat janë prekur nga tërmeti i datës 21 shtator 2019, që të përdorin procedurën e prokurimit me vlerë të vogël, siç përshkruhet në nenin 40 të këtyre rregullave, për plotësimin e nevojave emergjente që ka shkaktuar kjo ngjarje, në rastin kur vlera e përllogaritur që do të prokurohet për plotësimin e këtyre nevojave do të jetë deri në 1 000 000 (një milion) lekë.”
Vendimi është marrë me propozimin e Kryeministrit, nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe të nenit 75, të ligjit nr.9643, datё 20.11.2006, “Pёr prokurimin publik”, tё ndryshuar, dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.