Prokurimi publik – një mjet për praktikat korruptive në Bullgari

11/09/2020 10:01 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Dhënia dhe zbatimi i prokurimit publik në Bullgari duhet të garantojë interesin qytetar për shpenzimin e financave publike, por vitet e fundit, ai është kthyer në një mishërim të praktikave korruptive në vend. Mjeti më i përdorur është prokurimi publik në fushën e ndërtimeve, ku projektet janë në shkallë të gjerë dhe arrijnë në disa miliona euro.

“Tenderët e prokurimit publik në Bullgari nuk fitohen, ato shpërndahen”, tha në një intervistë për programin Horizon të BNR, profesori Metodi Andreev nga Dhoma e Inxhinierëve në Dizajnin e Investimeve, pedagog në Universitetin e Arkitekturës, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Planifikimit Urban, në Sofje. Kryeministri Boyko Borissov ka krijuar një administratë publike, që jep kontrata publike dhe krijon “një mjedis shumë të korruptuar”, pretendon profesori.

Prandaj, ne nga Dhoma e Inxhinierëve në Dizajnin e Investimeve, si dhe nga Dhoma e Arkitektëve, kemi shprehur vazhdimisht një pozicion serioz kundër kësaj forme praktike të procesit të investimit në “ndërtim”, por nuk është marrë asnjë masë, tha Andreev. Cilat janë pasojat?

“Së pari, shfaqja e varësisë financiare të projektuesit nga ndërtuesi, – ku projektuesi, duhet të plotësojë dëshirat e ndërtuesit. Kjo kufizon lirinë e vendimeve të dizajnit nga projektuesi, dhe në shumicën e rasteve, ato nuk përqendrohen në cilësinë dhe sigurinë e ndërtimit, por kanë një natyrë krejtësisht komerciale, duke kënaqur interesin ekonomik të ndërtuesit, si dhe faktorët politikë të cilët kanë lobuar për të fituar prokurimin publik përkatës.

Përveç kësaj, roli kryesor i ndërtuesit në procesin e prodhimit, i jep atij mundësinë për të zgjedhur një projektues besnik, i cili shpesh nuk ka përvojën dhe kualifikimet e duhura, por është i gatshëm për të mbrojtur interesin financiar të ndërtuesit në këmbim të shpërblimit. Si rezultat, krijohen projekte me cilësi të dobët dhe ndërtime me cilësi të ulët.

Gjithashtu, ekziston një mbikëqyrje zyrtare e realizuar nga dizajnerë të tjerë që varen financiarisht nga ndërtuesi, gjë që është në dëm të cilësisë dhe kostos së ndërtimit. Kjo çon në cilësinë e dobët të ndërtimeve, të kombinuara me nivele të larta e të korruptuara çmimesh”, shpjegon Andreev.

Sipas tij, për të pasur një çmim optimal, cilësi të mirë dhe mbrojtje të interesit publik, pjesëmarrësit kryesorë në proces duhet të jenë të pavarur. Inxhinieria e praktikuar në Bullgari “eliminon këtë pavarësi financiare dhe e kthen ndërtuesin në një “sundimtar” të procesit të investimit. Dhe pas tij fshihet fytyra e shëmtuar e korrupsionit politik bullgar”, thotë Andreev.

Metodi Andreev e sheh rolin e oligarkisë së ndërtimit si “grindje për të fituar sa më shumë para”, duke përdorur burimet publike, buxhetin, pjesë të programeve europiane dhe kthimin e disa prej këtyre parave “në formën e komisioneve të faktorëve politikë”.

Kjo makineri po i shtyn kompanitë e vogla dhe të mesme të ndërtimit në periferi, të cilat po përjetojnë vështirësi serioze në situatën aktuale të krizës. Në këtë drejtim, ka pasur sugjerime për ndryshimin e përparësive dhe në vend të vendeve të mëdha të ndërtimit si autostradat, fondet mund të rialokohen në komuna më të vogla, për rinovimin e mjedisit urban, në mënyrë që të ndihmojnë bizneset e vogla në sektor.

“Askush në vend nuk është kundër ndërtimeve dhe investimeve”, thotë Metodi Andreev. “Ne jemi kundër mënyrës së zbatimit të këtyre projekteve të prokurimeve publike. Ne jemi kundër cilësisë së dobët, për të cilën, natyrisht, kompanitë e ndërtimit nuk mund të jenë fajësohen sepse, nëse një ndërmarrje i është dhënë një prokurim publik dhe duhet të rikthejë në formën e komisioneve dhe ryshfeteve 40-50% të shumës së saj, ajo nuk do të prodhojë një produkt cilësor. Kështu krijohet problemi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sepse në Bullgari ka 20-30 ndërmarrje të mëdha që paraqiten në forma të ndryshme në të gjitha prokurimet publike në fushën e ndërtimeve. Këto kompani janë të njohura për afrimitetin e madh që kanë me njerëzit në pushtet. Për fitimin e tenderëve, ato përdorin ndërmarrje të vogla dhe të mesme si nënkontraktorë.

Shumë herë, ndërmarrjet e mëdha nuk paguajnë detyrimet e tyre ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Përveç kësaj, ekziston një legjislacion shumë i fortë për lobim, i cili rëndon edhe më tej barrën financiare të qytetarëve bullgarë”, thotë eksperti, sipas të cilit, korrupsioni shpjegon të gjitha fenomenet negative që aktualisht janë duke lulëzuar në sektorin e ndërtimit në këtë vend.

“Ky korrupsion është pandemik në Bullgari, ai është bërë një simbol i qeverisjes”, thekson specialisti nga Dhoma e Inxhinierëve në Projektimin e Investimeve, profesor Metodi Andreev.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of